Mickoski kërkon zgjedhje të parakohshme në maj, ndryshimet kushtetuese janë tradhëti, LSDM mohon

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski sot edhe njëherë përsëriti se partia e tij mbetet në qëndrimin për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ai pret që nga fundi i janarit ose më së voni në fillim të shkurtit të votohet shpërbërje e Parlamentit, nga mesi i shkurtit të formohet qeveri teknike, ndërsa zgjedhjet të mbahen nga mesi i dytë i majit. Ndërsa, nga LSDM-ja qeveritare përmes një kumtese me shkrim reaguan se nuk do të ketë zgjedhje, njofton Portalb.

Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve pas liturgjisë për Krishtlindje në Shkup, Mickoski pa thënë emra konkret vlerësoi se “shumicë e madhe e deputetëve të LSDM-së dhe BDI-së reflektojnë pozicion se dëshirojnë të ketë zgjedhje të parakohshme dhe të vijë deri në përfundim të kësaj Qeverie”.

“Absolutisht mbetemi në kërkesën për zgjedhje të parakohshme, që të mund të ecë vendi përpara. Të bashkohemi rreth kësaj dhe të mbështesim zgjedhje të parakohshme më së voni deri nga mesi ose gjysma e dytë e majit. Duke e pasur parasysh karakterin e BDI-së dhe LSDM-së, gjyqësinë dhe prokurorinë e obstruuar, metodat në të cilat janë të gatshëm që t’i mbajnë kolltuqet, nuk do të shkoja me emra. Vlerësojë se kjo që për ne na inkurajon dhe pozicionet e tyre për zgjedhje të parakohshme deri në fund të janarit, më së voni fillim të shkurtit do të votojmë shpërbërje të Parlamentit, nga mesi i shkurtit formim të qeverisë teknike dhe zgjedhje nga gjysma e dytë e majit”, tha Mickoski.

Ai ndryshimet kushtetuese i kualifikoi si tradhti.

“Ajo nuk është bashkim, ajo është tradhti dhe këtë dikush duhej ta mendojë para se ta dakordojë. Ne nuk dolëm në zgjedhje duke u premtuar qytetarëve ndryshim të Kushtetutës, nuk dolëm në zgjedhje duke u premtuar qytetarëve nënshkrim të kapitalizimit dhe tradhti. Ai që këtë e ka nënshkruar duhet të dijë se nuk ka kushte për ta dorëzuar. Kjo është pikërisht një nga ato momente të cilët sjellin përçarje midis popullit maqedonas. Por, populli maqedonas është i mençur dhe nëse i shikoni të gjithë matjet e mendimit publik, do të shihni se shumicë e madhe, më shumë se tre e katërta, janë kundër aktit të këtillë. Të jemi të ndershëm dhe të bashkohemi rreth ndershmërisë ndaj qytetarëve, ndërsa për këtë na nevojiten zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare në të cilat secili nga ne do të dalë me program dhe me mënyrë të tij të zgjidhjes së këtij problemi, pastaj qytetarët le të vendosin. Tani problemin e kemi, na solli kjo Qeveri e BDI-së dhe LSDM-së dhe tani duhet ta zgjidhim nëse duam të ecim përpara dhe të sigurojmë shtet të atillë siç meritojnë qytetarët tanë”, theksoi Mickoski.

Nga LSDM-ja thonë se zgjedhje të parakohshme parlamentare nuk do të ketë.

“Zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë, Mickoski mbetet peng i Apasievit dhe në hijen e Gruevskit. Asgjë nuk ka ndryshuar tek Mickoski. E filloi vitin njëjtë siç e përfundoi dhe siç e ka kaluar gjithë vitin e kaluar 2022. Mickoski nuk ka qëndrim për asnjë çështje të rëndësishme shtetërore ose strategjike, vetëm rri ulu anash, në pasiguri për kolltukun. Zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë. Mickoskin në vitin 2024 e pret disfata e 7 dhe e 8 e njëpasnjëshme si kryetar i VMRO-DPMNE-së”, thonë nga LSDM-ja.

Nga LSDM-ja potencojnë se vazhdojnë me kursin reformues, me politika ekonomike për rritje të pagave dhe pensioneve dhe mbrojtje të standardit të qytetarëve, vazhdon me investimet dhe me hapërimet për anëtarësim të plotfuqishëm në BE.

Ndryshe, pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare. Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor. Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button