Qeveria e publikoi propozimin e ri francez, Kovaçevski: Shumë më i favorshëm për ne

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel, njofton Portalb.mk.

“Në propozimin francez janë të përfshira vërejtjet tona dhe qartë janë shprehur qëndrimet. Pozita në të cilën sot gjendemi është shumë më e favorshme për ne, pozicioni jonë dhe strategjia dhanë rezultate”, tha Kovaçevski në konferencë për shtyp, bashkë me përfaqësuesit e partive të koalicionit qeveritar.

Ai tha se në takimin e sotëm kanë filluar konsultime që të ndërtohet qëndrim shtetëror për këtë çështje, duke paralajmëruar konsultime edhe me presidentin e shtetit, Kuvendin, opozitën, por edhe ekspertët, sektorin civil, mediat.

“Propozimin e shohim si bazë solide për ndërtimin e qëndrimit shtetëror serioz dhe përgjegjës si mundësi e cila hapet për vendin tonë”, tha Kovaçevski.

Ahmeti - Kovaçevski
Ahmeti – Kovaçevski

Ai theksoi se të gjitha pretendimet e rrejshme në forma të ndryshme, janë fundosur.

“Në propozimin evropian kemi pozicione të definuara për pranim të qartë të gjuhës maqedonase, por edhe Protokolli të mos jetë në kornizën negociuese. Pozita jonë për fillimin e mëtutjeshëm të procesit negociues dhe mbajtje të konferencës me BE-në gjithashtu është përfshirë në propozim”, tha kryeministri.

Sipas procedurës, pas konsultimeve, propozimi duhet që të miratohet në Qeveri, ndërkaq më pas të dërgohet për miratim në Kuvend.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se ka pasur bisedë të mirë telefonike me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Në një publikim në “Twitter” ajo shkruan se e përshëndet lajmin se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë afër marrëveshjes.

“Pata bisedë të mirë telefonike me kryeministrin Kovaçevski. I përshëndes lajmet se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria janë afër marrëveshjes e cila i merr parasysh interesat dhe kujdeset. Komisioni Evropian është i gatshëm ta fillojë skriningun me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si hap i radhës në rrugën e tyre evropiane”, theksoi Von der Leyen.

Tre dokumentet e propozimit francez:

Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet një kumtese përshëndeti siç theksuan, rolin konstruktiv të presidencës franceze për gjetjen e  zgjidhjes së pranueshme në kontestin e vendit tonë me Bullgarinë fqinje dhe vlerëson që propozimi i dhënë në formën e ideve për zgjidhje është bazë e mirë për të përmbyllur kontestin dhe për të zhbllokuar rrugën tonë evropiane.

Paraprakisht, Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE në konferencë për shtyp, theksoi se propozimi në thelb është i njëjtë dhe se është i pafavaroshëm për shtetin dhe nuk i zgjidh kontestet me Bullgarinë. Ai kërkoi nga Qeveria që të publikohet propozimi.

Kovaçevski paraprakisht bëri thirrje për përgjegjësi nga të gjithë aktorët relevant të shoqërisë, pasi spekulimet për çështje të rëndësishme shtetërore dhe nacionale nuk janë për të mirën e askujt.

“Prej këtu, u bëj thirrje të gjithë aktorëve politik dhe mediave të mbështeten në informacionet zyrtare nga institucionet. Kërkoj konstruktivitet dhe mbështetje nga të gjitha palët, për të sjellë vendim të menduar mirë në interes të të gjithë qytetarëve”, thuhet në statusin në Facebook profilin e kryeministrit Kovaçevski.

Presidenti francez- Emmanuel Macron dje në margjinat e samitit të NATO-s nga Madridi bëri të ditur se Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë arritur kompromis për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për përmbajtjen e Kornizës Negociuese sipas të cilës Shkupi duhet të zhvillojë negociatat me BE-në.

“Unë mendoj se kemi gjetur kompromis për mosmarrëveshjen midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut mbi Kornizën e Negociatave të BE-së,” tha Macron.

Ndryshe, së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga Bullgaria. Sofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button