MASH tha se do të korrigjohen lëshimet në tekstin shkollor për klasën e 5-të, ASh: BDI bën propagandë

Në lidhje me vërejtjet e caktuara të transmetuara nga mediet gjatë ditë së djeshme për tekstin shkollor të Gjuhës Shqipe për klasën e 5-të, MASH u arsyetua se procesi i miratimit të një teksti shkollor udhëhiqet nga Komisioni Nacional i teksteve shkollore dhe se gjoja të njëjtit në asnjë rast dhe në asnjë aspekt nuk ndikojnë strukturat udhëheqëse të ministrisë, dhe asnjë lloj faktori politik, transmeton Portalb.mk.

“Duke marrë parasysh atë se arsimi, ndërsa gjithashtu i gjithë procesi edukativo-arsimor janë politikisht neutrale dhe jashtë politikave ditore partiake, ndërsa me qëllim të shmangjes së involvimit të një partie ose strukture të caktuar politike në tekstet shkollore, MASH i bën thirrje autorit të tekstit shkollor të theksuar dhe Shërbimit Pedagogjik, të veprojnë sipas Ligjit për tekstet shkollore”, thuhet në arsyetimin e MASh-it.

Nga Ministria shtojnë se neni 14 i zgjidhjes ligjore rregullon në mënyrë të prerë në rast se konstatohet se në tekst shkollor të miratuar nevojiten disa korrigjime ose plotësime, ndërsa të njëjtat nuk përfaqësojnë më shumë se 30% të përmbajtjes së tekstit shkollor, Shërbimi Pedagogjik duhet të dorëzojë kërkesë deri te botuesi, gjegjësisht autorit të propozojë korrigjim ose plotësim në tekst të tekstit shkollor brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të kërkesës. Kërkesë për plotësim ose korrigjim mund të parashtrojë edhe vetë autori ose botuesi.

“Menjëherë pas veprimit të autorit dhe Shërbimit Pedagogjik, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në komunikim me operatorin ekonomik i cili është zgjedhur t’i botojë tekstet shkollore për nxënësit e arsimit fillor, në afat sa më të shkurtër kohor dhe pa shpenzime shtesë të buxhetit, do të bëjë korrigjimin e lëshimeve dhe gabimeve të bëra”, thuhet në reagimin e MASh-it.

Lidhur me këtë rast ka reaguar Aleanca për Shqiptarët nga ku akuzaun BDI-në se po bën propagandë me tekstet shkollore, partizim të arsimit në nivel skandaloz

“Nëse do ta shkatërrosh një popull pa bërë luftë, shkatërroja arsimin, e një ndër format më të “mira” për ta arritur këtë është politizimi dhe partizimi i arsimit. Me vite kemi ngritur zërin kundër formave të ndryshme të partizimit të arsimit. Nga ky pushtet kemi dëgjuar vetëm premtime se do të punojnë për depolitizim, ndërsa në realitet kanë bërë të kundërtën, dule futur partinë në çdo pore të arsimit. Së fundmi partia hyri edhe në libra shkollorë edhe atë në tekstet e grupmoshave më të ndjeshme”, tha zëdhënësi i ASH-së Naim Bajrami gjatë një konference për mediat.

Sipas tij, BDI tanimë ka hyrë si shembull në librin e gjuhës shqipe për klasën e pestë, konkretisht në mësimin për shkurtesa ku përmenden shembuj të shteteve dhe institucioneve ndërkombëtare. Ky, siç shprehet ai, është një keqpërdorim skandaloz i teksteve shkollore për propagandë partiake, për indoktrinim të fëmijëve ngjashëm si në kohën e komunizmit, kohën e shokut Tito e shokut Enver.

“Është një servilizëm i turpshëm i vetë autorit Vehbi Kadriu, babai i ish kandidatit të BDI-së, Endrin Kadriu i cili më pas u emërua drejtor i Radiodifuzionit. Sa i takon Ministrit për Arsim dhe Shkencë, Jeton Shaqiri, e kemi thënë shumë më herët dhe sot vetëm po e rikonfirmon, se ai është ministër për shkatërrimin e arsimit. Kërkojmë publikisht që ky libër urgjentisht të tërhiqet nga përdorimi dhe bashkë me të edhe emisari partiak i quajtur ministër”, tha Naim Bajrami, zëdhënës i ASH.

Ndryshe, libra me gabime të tilla nuk janë një “fenomen” i rrallë në Maqedoninë e Veriut. Libri i Gjeografisë për vitin e II, qëndroi me vite në kurrikulat mësimore edhe pse kishte përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve. Pavarësisht se shumë shpesh i ri-aktualizuar si problem dhe pavarësisht se shpesh në krye të MASh-it qëndronin ministra shqiptar, problemi përsëri nuk gjente zgjidhje. I njëjti tekst më në fund u tërhoq në mars të vitit 2021, ku pas konstatimeve të Komisionit recenezus vendimi për tu tërhequr ky libër nga kurikulat mësimore u nënshkrua nga ministrja e atëhershme e arsimit Milla Carovska. Për ekzistencën e këtij libri skandaloz, ku shqiptarët fyhen në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka pasur ndër vite arsyetime me bollëk, por zero përgjegjësi. Askush prej askujt, tekstualisht, nuk kërkoi përgjegjësi për miratimin apo lëshimin në përdorim të këtij libri dhe librave si ky. Udhëheqësit politik, janë shprehur vetëm se këto libra do të ndryshohen, por vetëm kaq, llogaridhënia nuk përmendet për asnjë moment.

Përgjegjësia për lëshimin e një libri të tillë bie mbi disa instiucione arsimore, duke filluar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe organi i saj – Njësia për Shërbim Pedagogjik, Komisioni Nacional, si dhe Byroja për Zhvillim të Arsimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button