Agjencia konfirmoi se Higjiena Komunale e Shkupit e fsheh në mënyrë të paligjshme listën me emrat e 112 të larguarve nga puna

Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik e ka pranuar ankesën e Portalbit ndaj Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale Shkup, në lidhje me mosdorëzimin e listës me emrat e 112 të punësuarve që nuk është vazhduar kontrata e punës më 4 nëntor. Në vendim thuhet se Agjencia e obligon Higjienën Komunale ta dorëzojë listën, shkruan Portalb.mk.

“Bartësi i informatës është i obliguar që ta zbatojë vendimin në afat prej 15 ditëve prej ditës së pranimit të tij dhe për të njëjtën ta njoftojë Agjencinë”, thuhet në vendim.

Portalb.mk, deri te Higjiena Komunale e Shkupit ka dorëzuar kërkesë për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik, nëpërmjet së cilës ka kërkuar të dhëna për numrin e përgjithshëm të punësuarve, numrin e personave që pastrojnë në terren, arsyet për mosvazhdimin e marrëveshjes së punës për 112-të të punësuar dhe listën me emër dhe mbiemër të personave që nuk është vazhduar kontrata e punës.

Higjiena Komunale ka dorëzuar të dhënat, përveç listën me emrat e të larguarve nga puna me arsyetimin se emrat dhe mbiemrat e të punësuarve janë të dhëna personale.

“Kërkesa paraqet të dhëna personale, zbulimi i të cilës do të nënkuptonte shkelje të mbrojtjes së të dhënave personale. Publikimi i të dhënave personale të punësuarve të cilëve nuk u është vazhduar marrëveshja për punë, gjithsesi, paraqet shkelje të së drejtës ë të dhënave personale të subjekteve të të dhënave personale, e në këtë rast plotësisht ajo këta janë persona prej të cilëve nuk është marrë pajtueshmëri vullnetare për publikimin e emrave dhe mbiemrave të tyre në opinion”, thuhet në vendimin e Higjienës Komunale, duke shtuar se publikimi i emrave, do të kishte më shumë pasoja ndaj të dhënave personale se sa të plotësohet interesi publik.

Ndaj kësaj, Portalb.mk ka reaguar deri tek Agjencia për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik duke argumentuar se nuk bëhet fjalë për të dhënë personale duke e pasur parasysh se personat në fjalë janë të punësuar të cilët kanë marrë paga nga arka e Ndërmarrjes Publike e cila mbushet nga qytetarët.

Përveç kësaj, ish të punësuarit kanë shprehur revoltën e tyre për largimin e nga puna edhe publikisht gjatë protestës para drejtorisë si dhe kanë dalë me emra dhe mbiemra nëpër media, mes tjerash edhe në Portalb.mk.

Gjithashtu, publikimi i listës është me rëndësi, duke e pasur parasysh se ish të punësuarit akuzojnë drejtoreshën për diskriminim në bazë etnike. Gjegjësisht, sipas tyre, drejtoresha Kosana Mazneva i ka larguar prej pune shumicën me përkatësi etnike shqiptare. Akuzat e njëjta i ka thënë edhe ish nënkryetarja e Shkupit, tani këshilltare, Bujare Abazi.

“Është me interes që opinioni të informohet në lidhje me atë nëse ka indikacione për diskriminim të mundshëm, të cilat më pas institucionet do ta kontrollonin në mënyrë përkatëse. Kjo është në dobi të transparencës dhe llogaridhënies të cilën institucionet e kanë obligim që ta japin para qytetarëve. Si shembull mund ta marrim Komunën e Tetovës e cila në shkurt i publikoi emrat dhe mbiemrat e të punësuarve me kontratë në vepër”, thuhet në ankesën e Portalb.mk.

Agjencia për Mbrojtjen e Qasjes së Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik e ka shqyrtuar ankesën e Portalbit ndaj arsyetimeve të Higjienës Komunale dhe ka miratuar vendim në të cilin ankesa e Portalbit vlerësohet e drejtë. Sipas vendimit, Higjiena Komunale obligohet ta dorëzojë listën, pasi që e njëjta nuk i shkel të drejtat për mbrojtje të dhënë personale.

“Agjencia i tregon bartësit të informatave [Higjienës Komunale] se sipas nenit 10 paragrafi 1 alineja 6 nga Ligji për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik, bartësi i informatave është i obliguar që ta informojë opinionin nëpërmjet ueb-faqes së saj duke e publikuar: listën me personat e punësuar te bartësi i informatave, të cilëve nuk është vazhduar marrëveshja”, thonë nga Agjencia.

Ata shtojnë se Higjiena Komunale është e obliguar që të veprojë ndaj kërkesës së Portalbit, gjegjësisht t’i lejojë qasje në listë, duke i larguar të dhënat tjera personale.

Agjencia thekson se ndaj vendimit të tyre Higjiena Komunale mund të ankohet në Gjykatën Administrative.

Vendimin e plotë mund ta shihni më poshtë:

Ndryshe, katër ish punonjës të Higjienës Komunale të Shkupit (HKSH), të cilëve më 4 nëntor u ka skaduar kontrata e punës dhe më pas nuk u është vazhduar për Portalb.mk treguan se si janë larguar nga puna.

“Na tha “nuk na duheni” dhe nuk na i vazhdoi kontratat 112 të punësuarve të rregullt në Higjienën Komunale, në vend tonin u.d. drejtoresha Kosana Mazneva punësoi 41 persona. Mbi 95% prej të përjashtuarve jemi shqiptarë, të cilëve pa asnjë arsye dhe paralajmërim na kanë thënë, prej nesër mos ejani në punë duke na lënë në udhëkryq në këtë kohë krize”, deklaruan ish punonjësit.

9 nëntor, siç njoftoi “Slloboden Peçat“, Mazneva njoftoi se rreth 80 persona të punësuar nëpërmjet një agjencie të punësimit të përkohshëm, nga të cilët 46 operativë dhe 37 punonjës administrativë, nuk do të vazhdojnë punën në “Higjiena Komunale” pasi kompania nuk ka nevojë për angazhimin e tyre të mëtejshëm. Kontratat e tyre kanë skaduar më 4 nëntor dhe angazhimi i tyre është ndërprerë pas analizave të bëra nga drejtuesit.

Kosana Mazneva u emërua drejtoreshë nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska më 12 korrik të këtij viti, pasi paraprakisht u shkarkua asokohe drejtori i vetëm shqiptarë i ndërmarrjeve publike të Qytetin e Shkupit, Zudi Koka për shkak të incidentit gjatë protestave antievropiane në Shkup, ku vëllai i tij kishte gjuajtur me armë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.

Në gusht, drejtoresha Mazneva përjashtoi nga puna 33 punonjës, të gjithë shqiptarë. Mosvazhdimi i kontratave të punës, nxiti reagim të punësuarve, të cilët akuzojnë institucionin se “hakmarrja” është bërë për pazare politike dhe jo për parregullsi në punë.

Nga Higjiena Komunale asokohe deklaruan se të punësuarit nuk kanë shkuar në punë dhe kanë marrë rroga. Por, të punësuarit demantuan pretendimet e drejtoreshës, duke akuzuar se vendet e tyre do t’i mbushin me militantë partiak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button