Policia parandaloi incident ndëretnik gjatë protestës antievropiane, u arrestua një person për gjuajtje me armë zjarri

Pasditen e sotme është shmangur incident ndëretnik pasi që një grup i protestuesve maqedonas kundër propozimit francez, u përleshën me një grup të qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup. Policia parandaloi përballje direkte dhe përshkallëzim të situatës, transmeton Portalb.mk.

Në ditën e pestë të protestave antievropiane të udhëhequra nga VMRO-DPMNE dhe Levica, ka ndodhur një incident mes grupit të protestuesve maqedonas dhe një grupi tjetër të qytetarëve shqiptarë. Gjatë incidentit janë përdorur gurë, shishe dhe gjësende të forta, por janë dëgjuar dhe të shtëna me armë zjarri.

Policia ka reaguar në kohë dhe ka shmangur përplasjen direkte. Si rezultat i këtij incidenti, janë dëmtuar disa makina të cilat kanë qenë të parkuara në parkingun afër sheshit.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka shpërndarë një fotografi të një personi me pistoletë në dorë, duke akuzuar se “ky është personi i cili është dashur të më vret”.

Ai ka kërkuar nga MPB dhe ministri, Oliver Spasovski, personi të arrestohet.

Nga MPB njoftuan se personi në fjalë është arrestuar.

“Sonte në orën 20.10 para një banke përballë memorialit të “Skënderbeut”, policët e SPB Shkup e kanë privuar nga liria E.J. nga Shkupi i cili i paraprakisht ka gjuajtur me armë në ajër, derisa një grup protestuesish, të cilët po lëviznin nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt Ministrisë së Punëve të Jashtme e kanë prishur rendin dhe qetësinë publike duke gjuajtur me gurë një grup qytetarësh. E.J. është ndaluar në stacionin policor, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja. Pas dokumentimit të çështjes, ndaj tij do të bëhet parashtresa përkatëse”, thonë nga MPB.

Mickoski, në konferencë për media deklaroi se ka marr informacione për eliminimin e tij nga ana e pushtetit.

“Ka kohë që kam marrë informacione për eliminimin tim, të cilin e urdhërojnë autoritetet. Sonte pamë të paktën dy persona me armë zjarri të cilët ishin gati ta bënin atë. Unë askund nuk pashë  policë”, theksoi Mickoski.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit për përkatësinë politike të të arrestuarit, Mickoski në konferencën e sotme për media tha se nuk i intereson nëse është apo jo anëtar i Aleancës për Shqiptarët dhe kërkoi që kjo çështje të mos politizohet.

“Të mos e politizojmë çështjen. Le të jemi mbi politikën dhe le të jemi mbi ata politikanë që bënin thirrje për tensione etnike. A është anëtar apo jo, nuk më intereson. Ky njeri kreu një krim, tregoi një armë te njerëzit dhe duhet të mbajë përgjegjësi”, tha Mickoski.

Sipas tij, Policia nuk ka reaguar gjatë incidentit. Por, MPB nëpërmjet videos e demantuan deklaratën e Mickoskit se Policia, duke treguar she dhjetëra policë të njësisë speciale menjëherë kanë intervenuar.

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim e kanë “dënuar fuqishëm incidentet në protestat antievropiane të nxitura nga elementet pro ruse në shoqërinë tonë, përfshirë edhe incidentin e inskenuar sonte në sheshin “Skënderbeu në Shkup”.

“Incidenti midis aktivistëve të VMRO-së, LEVICËS dhe Aleancës nuk ka se si mos të konsiderohet i paramenduar dhe i planifikuar nga ky koalicion pasi që protagonistë ishin pikërisht këto tre parti dhe përkrahësit e tyre. Personi që sulmoi partnerët e koalicionit sonte, dje bënte fushatë bashkë me të vëllain për VMRO DPMNE-në, ndërsa sot është funksionar i VMRO-së, drejtor i Higjienës Komunale në Shkup. BDI fton për gjakftohtësi dhe mosnxitje të incidenteve ndëretnike dhe dhunës në protesta. Forcat antievropiane nuk do të ngadhënjejnë sepse vendi ynë është në NATO dhe qytetarët e duan Evropën”, thonë nga BDI.

Nga LSDM theksojnë se ka dështuar skenari i zi i Levicës dhe Aleanca për Shqiptarët e Mickoskit.

“Përpjekja e Hristijan Mickoskit së bashku me partnerët e tij Levica dhe Aleancën për Shqiptarët për të realizuar një lloj skenari të zi dështoi. Mickoski sonte tentoi të luajë viktimën dhe sulmin e rrejshëm për të shkaktuar incidente ndëretnike për të mbajtur gjallë protestat e tij të rreme”, thonë nga LSDM.

Lëvizja BESA gjithashtu e ka dënuar formën e dhunshme të protestave që po zhvillohen në Shkup sidomos gjatë mbrëmjes së djeshme dhe sonte.

“Lëvizja BESA dënon vandalizmin  ndaj pronave private në Çarshinë e Shkupit dhe bën thirrje që të gjitha palët të ruajnë qetësinë dhe sigurinë publike  dhe të protestohet në mënyrë paqësore.  Protesta e dhunshme cenojnë të drejtën e qytetarëve të tjerë dhe shtojnë pasigurinë në vend. Në vazhdimësi shqiptarët kanë qenë viktimë e inskenimeve të ndryshme të të gjithë pushteteve deri më tani, andaj apelojmë deri te pushteti që të reagojë në mënyrë profesionale dhe të shpejtë për të ruajtur qetësinë dhe pronën e qytetarëve, që të mos lihet dyshim se mund të bëhet fjalë përsëri për ndonjë inskenim. Poashtu ftojmë të gjithë aktorët politik në vend që në këto momente të rëndësishme të  orientimit euro-integrues, të gjithë të japim maksimumin që të ruhet qetësia dhe stabiliteti i vendit si dhe të japim kontributin maksimal për të përshpejtuar fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thonë nga Lëvizja BESA.

Qyteti i Shkupit njoftoi se drejtori Zudi Enuzi është shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës drejtor në Ndërmarrjen Publike Higjiena Komunale, pasi vëllai i tij ka gjuajtur me armë zjarri gjatë protestës së sotme.

“Qyteti i Shkupit, si qytet i bashkëjetesës dhe solidaritetit, nuk guxon të jetë qendër dhune dhe përplasjesh me armë zjarri dhe krijimi i tensioneve ndëretnike mes bashkëqytetarëve tanë. Politika po merr vrull dhe në asnjë rast nuk duhet të ndikojë në profesionalizmin e drejtimit të institucioneve. Pavarësisht menaxhimit të shkëlqyeshëm dhe profesional të ndërmarrjes publike Higjiena Komunale nga Zudi Enuzi, kodi im i etikës nuk e lejon atë të vazhdojë të menaxhojë ndërmarrjen. Për këtë arsye ai u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës”, thuhet në njoftimin e Qytetit të Shkupit.

Protestuesit kanë vazhduar protestën para Kuvendit ku e kanë djegur një transparent me fotografitë e deputetëve të shumicës parlamentare.

Dhuna e protestuesve ka vazhduar edhe para Kuvendit ku janë lënduar dy policë.

Dhunën e protestuesve e kanë dënuar partitë në vend, por edhe faktori ndërkombëtar.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit më 1 korrik, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel.

Presidenti, Stevo Pendarovski, propozimin e modifikuar të presidencës franceze të BE-së e ka vlerësuar si të pranueshëm.

Por, kështu nuk mendon opozita maqedonase. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas takimit me kryeministrin Dimitar Kovaçevski tha se i ka ofruar që nëse e refuzon propozimin francez, ai do të heqë dorë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kovaçevski tha se ky propozim përfundimtar evropian mundëson fillimin e pakushtëzuar të bisedimeve të Maqedonisë së Veriut me BE.

Opozita shqiptare e mbështet propozimin, ndërkaq partitë e vogla të koalicionit kërkojnë që i njëjti të ndryshohet.

Pos vendeve evropian, edhe SHBA përshëndet diskutimin për propozimin e rishikuar francez për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE me Maqedoninë e Veriut.

Së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button