Policia e Kosovës parandaloi dy tentativa për kontrabandë me kafshë nga Maqedonia e Veriut

Policia e Kosovës njoftoi se dje pasdite ka parandaluar kontrabandimin e mbi 60 krerë dele dhe viça, të cilat raportohet se janë importuar përmes rrugëve ilegale nga Maqedonia e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Më datë 06.07.2022, rreth orës 17:10 në fshatin Ramijan komuna e Vitisë, bazuar edhe në analizën e riskut dhe informacioneve inteligjente të bëra nga ana e njësive të policisë kufitare është arritur të identifikohet automjeti kamionin e Mercedes Benz me targa kosovare të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar me iniciale (H. K), viti i lindjes 1971. Gjatë kontrollit zyrtaret policor kanë vërejtur se i dyshuari në rimorkio kishte të ngarkuar pesëdhjetë e shtatë (57) krerë dele për të cilat nuk posedonte kurrfarë dokumenti përkatës”, informuan nga policia e Kosovës.

Në një rast tjetër, po ashtu dje rreth orës 17:45 në rrugën Viti-Pozhoran, komuna e Vitisë, është arritur të identifikohet automjeti kamionin e Mitsubish me targa kosovare të cilin e drejtonte i dyshuari kosovar me iniciale (M. B), viti i lindjes 1974.

“Gjatë kontrollit zyrtarët policor kanë vërejtur se i dyshuari në rimorkio kishte të ngarkuar gjashtë (6) krerë gjedhe (lopë) për të cilat nuk posedonte dokumente përkatëse. Kafshët dyshohet të jenë futur në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve ilegale nga Republika e Maqedonisë se Veriut”, thuhet më tej në njoftim.

Këto raste janë në proces të trajtimit nga njësitet policore kufitare nga drejtoria rajonale kufitare-Lindje në bashkëpunim me Prokurorinë përkatëse, Inspektorët e AVUK-ut dhe Doganën e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button