Qeveria miratoi Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Frontex

Qeveria në seancën e djeshme të 112-të ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian për aktivitetet operative të Agjencisë Evropiane të rojës kufitare dhe bregdetare (Frontex) në vend, njoftoi mbrëmë shërbimi për shtyp i Qeverisë, transmeton Portalb.mk.

Kjo Marrëveshje, sipas arsyetimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, hap mundësinë e themelimit të operacioneve të përbashkëta të Agjencisë Evropiane të rojës kufitare dhe bregdetare në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

“Përfundimi i kësaj marrëveshjeje ndërkombëtare, e cila do të kontribuojë në krijimin e një kuadri ligjor në përputhje me Rregulloren e re 2019/1896 për rojet kufitare dhe bregdetare evropiane, e cila do t’i mundësojë Agjencisë për Rojet Kufitare dhe Bregdetare Evropiane të vendosë ekipe në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, menaxhimin e kufirit, si dhe parandalimin e përbashkët të krimit ndërkufitar”, thuhet në njoftim.

Me hyrjen në fuqi të kësaj Marrëveshjeje, shtohet në njoftim, mundësohet që me kërkesë të vendit tonë, të dislokohen policë të Frontex në pikat kritike kufitare, së bashku me policët e Maqedonisë së Veriut. Kjo, siç u tha, do të kontribuojë në rritjen e nivelit të bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave dhe njohurive, si dhe mundësinë e përdorimit të të gjitha pajisjeve të Frontex.

“Kontributi më i rëndësishëm me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, është forcimi i sigurisë së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si partner i barabartë me vendet e tjera anëtare të BE-së, përmes ndarjes së përgjegjësive për siguri të përbashkët në kufirin e vendeve të Evropës”, ​​thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Marrëveshja duhet të ratifikohet (në të ashtuquajturin Parlament) për të qenë pjesë e rendit të brendshëm juridik të shtetit. Pas zbatimit të procedurës së ratifikimit do të njoftohet shërbimi ligjor pranë Komisionit Evropian.

Marrëveshja për statusin me Agjencinë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, Frontex, është nënshkruar më 26 tetor të këtij viti. Në nënshkrimin e Marrëveshjes mori pjesë edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ishte për vizitë zyrtare në vend me një delegacion të KE-së.

Në emër të BE-së, Marrëveshja u nënshkrua nga ambasadori i Republikës Çeke, Jaroslav Ludva, si përfaqësues i Presidencës çeke të Këshillit të BE-së, dhe Komisionerja Evropiane për Punë të Brendshme, Ylva Johansson, ishte pjesë e delegacioni i Von der Leyen. Nga ana maqedonase, nga ana tjetër, nënshkroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button