Maqedonia do të subvencionojë fluturimet e disa aviokompanive, Sllovenia do të subvencionojë hapjen e linjës Lubjanë-Shkup

Ministria për Transport dhe Lidhje shpalli thirrje publike për subvencionimin e linjave të reja ajrore nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe Aeroporti Shën Apostol Pavle në Ohër. Subvencionet do të jepen në tre vitet e ardhshme, gjegjësisht nga viti 2023 deri në vitin 2025 dhe për këtë qëllim janë paraparë 1.1 milionë euro në buxhetin e vitit të ardhshëm, transmeton Portalb.mk.

Siç tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski, kjo thirrje publike është e ndryshme nga ato parapraket dhe për të mund të zgjidhen disa linja ajrore, e jo vetëm një, gjegjësisht kompania hungareze me buxhet të ulët “Wizzair” siç ishten deri tani.

“Kjo thirrje publike është në përputhje me politikat e kushteve të drejta dhe konkurruese sipas rregullores së Bashkimit Evropian. Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që të tërheqim kompani të reja që do të operojnë në destinacione të reja. Do të subvencionohen linjat që nuk kanë funksionuar së paku dy vjet”, tha ministri Boçvarski.

Kompanitë që duan të konkurrojnë në thirrjen publike duhet të kenë transportuar të paktën 10 milionë pasagjerë në vitin 2019, të kenë realizuar të paktën 25 milionë euro fitim në vitin 2019 dhe të fluturojnë të paktën dy herë në javë. Mbështetja financiare do të jepet duke renditur destinacionet e reja sipas periudhës së funksionimit të destinacionit, numrit të fluturimeve javore, atraktivitetit të aeroportit në të cilin operon dhe numrit të vendeve të ofruara për shitje.

“Përkrahja financiare do të jetë 7 euro për udhëtar që niset nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe 4,5 euro për udhëtar që niset nga Shën Apostulli Pal në Ohër. E gjithë procedura do të zhvillohet në mënyrë publike dhe transparente dhe ne do të përzgjedhim kompanitë ajrore që do të paraqesin ofertat më të mira sipas kritereve në thirrjen publike. Qëllimi ynë përfundimtar është të sigurojmë rritjen e trafikut ajror në vend dhe t’u ofrojmë qytetarëve destinacione tërheqëse sipas nevojave të tyre me çmime të përballueshme të biletave”, tha Boçvarski.

I pyetur nëse është e mundur që kompania hungareze me buxhet të ulët “Wizzair” të tërhiqet nga vendi, duke qenë se thirrja e re mundëson subvencionimin e më shumë kompanive dhe linjave të reja që nuk kanë funksionuar më parë nga Shkupi, Boçvarski tha se “Wizzair “nuk merr subvencione nga shteti, por edhe më tej fluturon me një numër të madh destinacionesh nga Shkupi dhe Ohri.

Sipas të dhënave të fundit nga janari deri në shtator të këtij viti, “Wizzair” përbën 58,2 për qind të numrit të përgjithshëm të udhëtarëve në Aeroportin e Shkupit dhe aktualisht ka të stacionuar 4 avionë Airbus 320 me 180 ulëse. Autoritetet maqedonase të aviacionit i frikësohen të mos iu ndodhë i ashtuquajturi “skenari ti Sarajevës” kur Wizzair mbylli bazën e tij në kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës pothuajse pa paralajmërim, duke kontribuar në një rënie dramatike të trafikut dhe në uljen e të ardhurave. “Wizzair” së fundi ka anuluar fluturimet për Turku në Finlandë, Torino në Itali, Billund në Danimarkë nga Shkupi dhe nuk do të rinovojë linjën nga Ohri në Friedrichshafen në Gjermani. Gjatë krizës së koronës, fluturimet nga Shkupi për në Barcelonë dhe për në Larnaka u anuluan dhe nuk janë rinovuar që atëherë. Në të njëjtën kohë, me orarin e fluturimeve dimërore, “Wizzair” anuloi katër linja nga Beogradi dhe një nga Lubjana.

Afati i fundit për dorëzimin e aplikacioneve për pjesëmarrje në procedurë është data 19 janar 2023. Hapja publike e aplikimeve për mbështetje financiare do të mbahet më 20 janar.

Qeveria sllovene, nga ana tjetër, njoftoi se do të subvencionojë linjat ajrore për të përmirësuar lidhjen ajrore të vendit vitin e ardhshëm, ndërsa Shkupi do të jetë ndër destinacionet e reja, njoftoi ueb-faqja e specializuar për trafik ajror “Exuaviation”.

Sllovenia deri më tani ka ofruar fonde të kufizuara për linjat ajrore që tashmë fluturojnë në vend, por tani planifikon të inkurajojë hapjen e linjave të reja. Ministri për zhvillim ekonomik dhe teknologji Matjazh Han tha se fokusi do të jetë në linjat rajonale dhe theksoi se Shkupi do të jetë një nga destinacionet për të cilat qeveria do të japë subvencione. Kryeqyteti i Maqedonisë ishte një nga linjat më të ngarkuara rajonale para rënies së linjës ajrore kombëtare “Adria Airways” në shtator 2019.

“Me falimentimin e ‘Adrias’ humbëm lidhjen me Shkupin, pavarësisht se kjo linjë ishte ndër më të rregulltat. Vitin e ardhshëm Ministria e zhvillimit ekonomik dhe teknologjisë do të subvencionojë fluturimet ajrore drejt destinacioneve evropiane dhe rajonale. Shkupi do të jetë pjesë e kësaj, e cila është shumë e rëndësishme për ekonominë dhe turizmin”, tha Han.

Bisedimet e fundit të qeverisë sllovene me linjat ajrore me kosto të ulët Wizzair, Ryanair dhe Easyjet që kërkojnë subvencione për hapjen e linjave të reja nga Lubjana nuk patën sukses.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button