Me një lajmërim të rremë për bomba në 12 adresa, Shkupi u bllokua sërish

Me një mesazh elektronik me kërcënim të rrejshëm për vendosjen e bombave në 12 lokacione, përkundër faktit se u hoqën pjesërisht bllokadat e transportuesve privatë, Shkupi sot u bllokua sërish, transmeton Portalb.mk.

Krahas shtatë shkollave të mesme, të cilat prej kohësh janë shënjestër e sulmeve të tilla hibride, sot kërcënime pati edhe për qendrat tregtare East Gate, Biser, kompleksi banesor Adora Flatron, stacioni policor Qendër, si dhe stacioni hekurudhor.

Të gjitha objektet u evakuuan dhe janë bërë kontrolle nga policia, pas së cilës Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se kallëzimi është i rremë.

“Policët kanë marrë masa për evakuimin e sigurt të objekteve dhe më pas janë kryer kontrolle të detajuara nga ekipet e kontrollit antiterrorist dhe është konstatuar se bëhet fjalë për kallëzime të rreme”, njoftoi MPB.

Gazetarët e agjencisë së lajmeve Meta.mk kanë marrë një kopje të emailit me kërcënim të rremë. Është specifike se këtë herë thuhet se në secilin vend është vendosur jo një, por shumë bomba.

Kështu bëhet me dije se gjashtë bomba janë në stacionin hekurudhor, tri bomba në qendrën tregtare “East Gate”, tri bomba në ndërtesën Adora.

Për më tepër, një karakteristikë tjetër është se ky mesazh është i mbushur me retorikë dhe urrejtje antiperëndimore.

“Është koha që Shkupi, si epiqendra e mendimit toksik properëndimor, qendra e lakmisë dhe tradhtisë ndaj atdheut, të marrë atë që meriton”, thuhet në email.

Në fund të përmbajtjes dërguesi shkruante “Vdekje NATO-s, Vdekje BE-së, Vdekje Fashistëve”.

Ajo që është e ngjashme me mesazhet e mëparshme me kërcënime të rreme është se gjuha është maqedonase joletrare, me gabime gramatikore të dukshme.

Kujtojmë se dy ditë më parë alarme për bomba pati edhe në nëntë shkolla në Shkup dhe Bankën Popullore.

Paraprakisht shënjestër e kërcënimeve për bomba ishin edhe disa shkolla në Kriva Pallankë, si dhe Kavadar, ku poashtu u dha alarm për bomba në pesë shkolla.

Kujtojmë se më 2 dhjetor në adresat elektronike të tre shkollave fillore poashtu u dërgua kërcënim për vendosje të mjeteve eksplozive. Gjithashtu rreth orës 1, në po të njëjtën ditë në Stacionin Policor të Kriva Pallankës është paraqitur se në adresën elektronike të një shkolle fillore është dërguar kërcënim për vendosje të eksplozivit.

Kërcënime për bomba u dërguan edhe në ditën paraprake, gjegjësisht më 1 dhjetor, në 8 shkolla të mesme, për të cilat siç informoi MPB më pas, ishin të rrejshmne, ashtu sikur edhe paraqitjet e mëhershme.

Përndryshe, nga 26 tetori në SPB Shkup disa herë është denoncuar se email-adresat e disa shkollave në Shkup është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Nga Ministria e Punëve të Brendshme informuan se të gjitha paraqitjet kanë qenë të rrejshme.

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski njoftoi se mesazhet janë lëshuar nga jashtë shtetit.

Spasovski më 19 nëntor deklaroi se së shpejti do të ketë rezultate nga hetimi për paralajmërime për bomba, të cilat krijojnë shqetësim në opinion tashmë një kohë të gjatë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button