Korridori 8 pjesë e rrjetit të Korridorit Evropian “Ballkani Perëndimor-Mesdheu Lindor”
Korridori 8 hyn në Korridorin Evropian për Ballkan Perëndimor-Mesdheun Lindur si pjesë e rrjetit të korridoreve kryesore transevropiane. Vendimi i Komisionit Evropian që ky propozim të vendoset në rend dite përpara Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Ministrave është rezultat i iniciativave të vendeve të Ballkanit Perëndimor përfshirë Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë, Shqipërinë dhe Italinë, informojnë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, njofton Portlab.mk.
Aktivitete drejt fillimit të ndërtimit të projektit më të madh në infrastrukturën hekurudhore – ndërtimi i hekurudhës drejt Bullgarisë, qasja e përbashkët në vendet e rajonit, por edhe nënshkrimi i deklaratës së Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Italisë për lidhje moderne Lindje – Perëndim i njoh nga ana e Këshillit të Ministrave për Transport të Bashkimit Evropian, shtojnë nga Ministria.
“Planet strategjike për ndërtim dhe modernizim të këtij korridori i prezantova edhe në Komisionin Evropian në Bruksel në kuadër të Këshillimit Ministror të 6-të në komunitetin transparent, nikoqir i së cilës ishte komisionerja për transport e BE-së Adina–Joana Valean. Falënderim për udhëheqësinë e Çekisë, mbështetjen e fuqishme nga ana e komisioneres për transport Valean, ministrave për transport nga rajoni dhe drejtorit të Sekretariatit të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjshek të cilët dhanë argumente serioze për këtë vendim shumë të rëndësishëm”, theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski.
Me këtë vendim, siç thuhet në kumtesën e Ministrisë së Transportit, korridori evropian transportues 8 si pjesë e Korridorit “Ballkani Perëndimor Mesdheu Lindor” do të jetë vlerë e shtuar dhe mundësi për rritje më të madhe ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.
Ndryshe më 29 tetor, në RMV filloi ndërtimi i hekurudhës të Korridorit 8 drejt kufirit me Bullgarinë.
Ndërtimi i hekurudhës drejt Bullgarisë ka filluar në vitin 1994, prej kur janë ndarë të holla nga buxhetet shtetërore deri në vitin 2004, kur për herë të parë janë ndaluar aktivitetet. Pas ngecjes pothuajse dekadëshe të punimeve ndërtimore, në mars të vitit 2014 filloi ripërtëritja e tuneleve dhe urave të ndërtuara dhe ndërtim i pjesëve të reja në pajtueshmëri me projektin e aksit të parë. Me marrëveshjen me realizuesin e atëhershëm – kompaninë gjermane “Vibe”, është paraparë që hekurudha të ndërtohet deri në shtator të vitit 2017, por për shkak të problemeve gjatë realizimit, kryesisht të karakterit juridiko-pronësore është nënshkruar aneks me afat për ndërtim deri në shkurt të vitit 2020, pas çka në qershor të vitit 2020 punimet u ndërprenë me 54 për qind realizim, ndërsa shteti paralajmëroi procedurë arbitrazhi. Në shkurt të vitit të kaluar NP HRSM Infrastrukturë përmes Bankës Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim shpalli tender të ri në të cilin i lidhi dy akset e para. Procedura e tenderit u rrumbullakësua me zgjedhjen e realizuesve të rinj të punimeve kompanitë “Gjulermak” dhe “Shtrabag” dhe nënshkrim të marrëveshjes deri në korrik të këtij viti.
Aksi i transportit transnacional Lindje-Perëndim (Korridori VIII) shtrihet nga porti i Barit në Itali deri në portet e Varnës dhe Burgasit në Bullgari. Pjesa qendrore e këtij korridori pan-europian 315 km i gjatë kalon përmes Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Kërçovës, Shkupit, Kumanovës, Beljakovcës dhe Kriva Pallankës. Megjithatë, lidhjet mungojnë në skajin perëndimor (nga Kërçova deri në kufirin me Shqipërinë) dhe në skajin lindor (nga Kumanova në kufirin me Bullgarinë).
Gjatësia totale e skajit lindor të Korridorit VIII hekurudhor është 88.2 km nga të cilat 34 km, përkatësisht seksioni Beljakovcë – Kriva Pallankë financohet nga BE-ja përmes Kornizës Investuese të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Një grant i financuar nga BE-WBIF prej 75 milion €, i plotësuar me 1 milion € kontribut kombëtar, është ndarë për ta përafruar këtë seksion hekurudhor me standardet moderne. Punimet do të kryhen nga tetori 2022 deri në fund të 2025 dhe përfshijnë tunele 5,5 km të gjatë, ura hekurudhore, mbikalime dhe nënkalime, stacione dhe ndalesa hekurudhore, si dhe një sistem të ri sinjalizimi dhe telekomunikacioni. Një grant shtesë i financuar nga BE-ja prej 210 milionë euro është në gatishmëri për përfundimin e skajit lindor të Korridorit VIII hekurudhor deri në kufirin me Bullgarinë.
Pasi të përfundojë, seksioni hekurudhor pritet të rrisë vëllimin vjetor të mallrave me 20% deri në vitin 2040 dhe të sigurojë qasje në mjetet moderne të transportit për më shumë se 350,000 njerëz. Koha e udhëtimit do të reduktohet, si dhe ndotja e ajrit dhe zhurmës.
Që nga viti 2007, BE-ja ka dhënë mbi 500 milionë euro për sektorin e transportit si në kuadër të Instrumentit të Para-Aderimit ashtu edhe nëpërmjet WBIF.
- LEXO: Nesër do të fillojnë punimet në seksionin hekurudhor të Korridorit 8 Kumanovë-Beljakovce-Kriva Pallankë
- LEXO: Gjykata Kushtetuese vendosi: Punëtorët në korridoret rrugore 8 dhe 10 nuk do të punojnë 60 orë në javë
- LEXO: Korridori 8 dhe 10D para zgjedhjes së konsulentit për transaksionin financiar, verës pritet të fillojnë punimet
- LEXO: Korridori 8, u nënshkrua marrëveshja për 110 milionë euro kredi për ndërtimin e pjesës Bukojçan – Kërçovë