Aleanca për Shqiptarët propozoi masa për subvencionim të energjisë elektrike për amvisëritë

Departamenti për ekonomi në Aleancën për Shqiptarët, sot ka prezantuar masat që duhet t’i ndërmarrë qeveria e RMV-së lidhur me subvencionimet e konsumatorëve që kanë arritur të kursejnë energji elektrike krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, masë e cila, sipas tyre, do të sillte efekte ekonomike pozitive edhe për vet buxhetin e shtetit dhe do të ishte shtysë që edhe konsumatorët e tjerë familjar ta kursejnë energjinë elektrike, njofton Portalb.mk.

“Propozimi i ASH konsiston në atë që pjesa e kursyer e energjisë elektrike në tarifën e lartë (ditore) krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë të subvencionohet. Supozojmë se një konsumator kursen energji elektrike këtë muaj në tarifën e lartë (ditore) krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë në masën prej 19,74 %, në këtë rast propozojmë që në këtë masë të përqindjes të subvencionohet edhe fatura aktuale e konsumatorit”, thonë nga ASH.

Ata nëpërmjet shembullit tregojnë se nëse konsumatori kursen energji elektrike në masën prej 19,74 %, atëherë sipas propozimit të tyre, konsumatori do të përfitojë subvencion në vlerë prej 650,25 denarë, ndërsa fatura në vlerë për të paguar do të jetë më e ulët  për 1.191,00 denarë (si rezultat i kursimit te energjisë dhe subvencionit te aprovuar).

“Ne rast të kursimit të energjisë elektrike me aplikimin e masës së subvencionimit për konsumatorët, do të ketë benefite edhe buxheti shtetëror pasi nuk do të ketë nevojë që përmes prokurimeve publike të importohet energji dhe e njëjta nuk do të paguhet me çmime aq të larta sa që aktualisht tregtohet në bursat evropiane të energjisë”, shtojnë nga ASH.

Këtë masë të subvencionimit ASH e propozon që të jetë aktive gjatë sezonit dimëror për periudhën dhjetor 2022 – prill 2023, interval kohor kur është në fuqi edhe masa antikrizë për energjinë elektrike

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button