ESM: Ngrohje qendrore do të ketë, gaz është furnizuar për tërë dhjetorin nga Makpetrol dhe TE-TO
Sh.A. ESM është deklaruar me kumtesë për qytetarët e Shkupit se furnizimi me energji termike vijon pa pengesa dhe se ashtu do të vijojë edhe në periudhën e ardhshme, njofton Portalb.mk.
“Për tërë periudhën dhjetor është siguruar gaz natyror nga MAKPETROL PROM-GAS, por edhe sasia e nevojshme shtesë nga TE-TO. Vazhdojmë me praktikën e furnizimit të gazit natyror në intervale më të shkurtra kohore për shkak të kushteve financiare më të mira”, thonë nga ESM.
Banorët e Shkup Veri, prej disa ditësh janë pa ngrohje. Ngrohtorja nuk ka mjete të mjaftueshme për blerjen e gazit dhe Qyteti i Shkupit nuk i ka lejuar të përdorin mazut.
Në ndërkohë, për shkak të radiatorëve të ftohtë, një numër i madh i nxënësve në shkollat fillore në komunën e Çairit nuk vijojnë mësimin, ndërsa kryetari i Komunës ka kërkuar koordinim nga të gjitha institucionet për tejkalimin e krizës.
Kryetarja e partisë DOM dhe deputetja, Maja Moraçanin, në një intervistë për MIA-n, kërkon që ngrohtoret në Shkup të vazhdojnë të punojnë me gaz, në interes të shëndetit të qytetarëve.
Moraçanin thotë se do të insistojnë që të respektohet qëndrimi i tyre dhe kërkojnë që ngrohtoret të vazhdojnë me gaz dhe të mos kalojnë në naftë apo mazut, që realisht ndotin shumë, sepse kjo do të reflektohet në ndotjen e ajrit në Shkup.
“Situata është e vështirë dhe prandaj them se këto janë çështjet që janë në interes të qytetarëve. Për këtë kam folur jo vetëm në koalicion, por edhe në takimin e liderëve të organizuar nga kryeministri Kovaçevski me të gjithë kryetarët e partive politike në Kuvend dhe e kam theksuar këtë çështje. Qëndrimi ynë si DOM dhe kërkesa jonë ishte që të vazhdojmë funksionimin e ngrohtoreve në Shkup me gaz, të mos kalojmë në naftë apo mazut, të cilat realisht ndotin shumë dhe kjo padyshim reflektohet në ndotjen e ajrit në Shkup“, thotë Moraçanin.
Ajo shton se edhe nëse ngrohja me gaz është më e shtrenjtë, është në interes të shëndetit të qytetarëve që ngrohtoret të vazhdojnë të punojnë me gaz.
Për këtë temë Moraçanin ka biseduar edhe me ministrin e mjedisit dhe pritshmëritë e saj janë që ngrohtoret të vazhdojnë të punojnë me gaz.
Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike. Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht deri në prill të vitit të ardhshëm.
Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.
Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.
Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%, por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.
- LEXO: EMV-ja në nëntor do të shfrytëzojë gazin e Makpetrollit, ndërsa nga Bullgaria do të merren 500 mijë metra kub çdo ditë
- LEXO: Bekteshi për rrymën: Sot do të dërgojmë kërkesë në KE për ndihmë për industrinë dhe bashkëfinancim për amvisëritë
- LEXO: Ministri Bekteshi raportoi që institucionet shtetërore në muajin shtator kanë kursye deri 18 % energji elektrike
- LEXO: Kuvendi votoi vazhdimin e gjendjes së krizës në fushën e energjetikës
- LEXO: Qeveria e RMV-së ndau 1.1 miliardë denarë për furnizim me energji termike
- LEXO: Pendarovski: Kriza energjetike do reflektojë negativisht ndaj ambientit, prioriteti i vendit duhet të jetë investimi në mjedis
- LEXO: Kovaçevski dhe Donev kanë biseduar për rritje të kapacitetit të gazsjellësit