Presidenti Pendarovski dhe Shtajnmajer shëtitën nëpër Çarshinë e Shkupit
Presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank Valter Shtajnamjer, i cili është në vizitë dyditore në Maqedoninë e Veriut, bashkë me presidentin nikoqir Stevo Pendarovski, sot kanë shëtitur nëpër Çarshinë e Shkupit, njofton Portalb.mk.
Koha me shi nuk i pengoi që të dy presidentët të shijojnë arkitekturën, ambientin dhe dinamikën ditore të një prej vendeve më atraktive të Shkupit.
Presidenti gjermani vizitoi një pjesë të dyqaneve artizanale, ku të nderuar nga prania e tij, pronarët ia kanë prezantuar punimet e tyre.
Shtajnmajer gjithashtu sot u takua edhe me ekipin e filmit “Tokja e Mjaltë”. Për takimin me ekipin e dokumentarit ai foli edhe dje në Kuvend.
“Nesër do të bisedoj me Atixhe Muratova dhe autorët e filmit “Toka e mjaltë”. Muratova, e cila është një nga bletarët e fundit të egër në Evropë, kur mbledh hoje dhe mjaltë u thotë bletëve të saj: “Gjysma për mua, gjysma për ju”. Ky mesazh, i këtij filmi të suksesshëm maqedonas, i mbushur me kuptime në të njëjtën kohë, bëri xhiron e botës. Edhe ne e dimë në Gjermani. Në sytë e mi, ‘Honeyland’ është dy gjëra në të njëjtën kohë: shprehje e kulturës krenare të një vendi të vogël dhe në të njëjtën kohë përcjell një mesazh edhe më të madh, kuptimi i të cilit shkon përtej kufijve të një vendi individual. Ne nuk duhet të shfrytëzojmë plotësisht dhuratat e natyrës, as të shkatërrojmë në mënyrë të pakthyeshme mjedisin tonë. Kjo është detyra e njerëzimit dhe ne në Gjermani duam të bashkëpunojmë në këtë fushë”, tha dje Steinmeier para deputetëve.
Përveç takimit dhe shëtitjes nëpër Çarshinë e Vjetër të Shkupit, presidenti gjerman në kuadër të vizitës dyditore e pati takim edhe me vizitorët e rinj të Shkollës politike të Qendrës presidenciale për edukim politik.
Pasdite, Steinmeier do të vizitojë parkun e erës në Bogdanc, i pari i këtij lloji në Ballkanin Perëndimor dhe më pas fabrikën Drexlmeier në Kavadar.
Kreu i shtetit gjerman ka nisur dje vizitën e tij në Maqedoninë e Veriut. Me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake në kabinetin presidencial atë e priti presidenti Stevo Pendarovski, me të cilin patën takim dhe mbajtën konferencë të përbashkët për media. Së bashku vendosën lule në varrin e Goce Dellçevit në kishën “Shën Spas”.
Steinmeier u takua edhe me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, i cili iu drejtua deputetëve në Kuvend ku tha se Maqedonia e Veriut është para një vendimi të rëndësishëm nëse me ndryshimin e ardhshëm të Kushtetutës do t’i hapet rruga hapjes së kapitujve të negociatave me BE-në. Ai tha se tani nuk është koha për pikë politike dhe për të rënë në ngjyrime nacionaliste. Për rrugën drejt Evropës, hapi tjetër i vështirë ia vlen, tha Steinmeier dhe shprehu besimin se vendi mund të vazhdojë të mbështetet në Gjermaninë në rrugën drejt BE-së, por duhet të vazhdojë edhe me agjendën e reformave.
Kjo është vizita e parë zyrtare e Steinmeierit në Maqedoninë e Veriut. Nga Shkupi, presidenti gjerman niset për vizitë në Shqipëri.