RMV, çmimi i gazit nuk ulet bashkë me çmimet e derivateve të tjera pasi nuk është i rregulluar me ligj

Çmimi i gazit të lëngshëm (GLN) nuk ulet paralelisht me çmimet e benzinës dhe të dizelit, të cilat janë në trend rënës që nga tetori për shkak të uljes së çmimit të naftës dhe gazit natyror në bursat botërore, transmeton Portalb.mk.

Çmimi i GLN-së, i quajtur autogaz, edhe në tetor edhe tani është 48 denarë për litër, ndërsa për disa muaj në ndërkohë ishte 50 denarë.

Që atëherë, dizeli nga 103,5 denarë për litër ka rënë në 72 denarë, ndërsa benzina nga 89 denarë për litër në 82 denarë. Kur benzina dhe dizeli ishin më të shtrenjtat, në qershor të vitit të kaluar edhe çmimi i tyre ishte 110 denarë për litër, çmimi i gazit ishte 53 denarë.

Për dallim nga benzina, dizeli, vaji djegës dhe mazuti,  për çmimin e gazit nuk është kompetent Komisioni Rregullator për Energjetikë dhe i njëjti përcaktohet lirshëm në treg. Jozyrtarisht, burime nga organi rregullator thonë se çmimi i GLN-së nuk do të ndjekë lëvizjen e çmimit të naftës dhe gazit natyror në bursat botërore për aq kohë sa do të mbetet në tregun e parregulluar në vend.

Kjo gjendje është që nga marrëveshja e shitblerjes për rafinerinë OKTA në vitin 1999, me të cilin parashikohej që gazi të mos rregullohej, ndërsa më pas në bazë të asaj marrëveshjeje, kjo lëndë djegëse mbeti e parregulluar në Ligjin për Energjetikë.

Sipas të dhënave zyrtare të Entit Shtetëror të Statistikave, shumica e veturave në Maqedoni qarkullojnë me naftë, pastaj me benzinë ​​dhe rreth 12 mijë vetura me gaz.

Dy vite më parë, Qeveria ka dhënë subvencione deri në 300 euro për vendosjen e një pajisjeje të gazit në automjete. Masa e qeverisë kishte për qëllim uljen e ndotjes së ajrit dhe përfshiu 600 qytetarë.

Kjo masë për herë të parë u zbatua në vitin 2019 kur u subvencionuan 731 qytetarë të cilët instaluan pajisje të tilla në automjetet e tyre. Vitin 2020, si rezultat i pandemisë dhe rialokimit të fondeve të parashikuara për këtë masë për të mbështetur qytetarët dhe kompanitë më të prekura nga kriza, kjo masë nuk u zbatua.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button