Bota e një romani që mund të jetë dhe jona

Bota e romanit “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” është bota kurtoaze dhe plot falcitet, në të cilën të aftit rrinë nën hijen e injorantëve që bëjnë karierë me dekorata presidenciale.

Është kjo bota stereotipe, monotone, njëdimensionale, e pandryshueshme, e vetëmjaftueshme…, ku gjithë robërit janë të njëjtë, duken njësoj, vishen njësoj, këndojnë të njëjtat këngë, shkruajnë të njëjtin libër, portretojnë të njëjtën botë bardh-e-zi, lindin dhe vdesin njësoj brenda ferrit dhe parajsës monoforme të diktaturës moniste a demokratike, krejt një.

Është kjo bota plot sançopanço e mbetur pa prometejë, ku rritet rasati i kultit të baballarëve të kombit, që përveçse prijës të revolucionit janë dhe inxhinierët e shpirtit të robit dhe arkitektët e të ardhmes pa të ardhme. Detyra e tyre është mpakja e ndërgjegjes së rajës së mpirë me narkozë ideologjike dhe mbjellja e halucinacioneve që jetën mizerje e shndërrojnë në parajsë engjëjsh të hareshëm, ku s’ka vend për hajdutë, keqbërës, lypsarë, fatprerë dhe shpirtrobër. Në këtë parajsë ku njerëzit nuk njohin Zot tjetër përveç faraonëve të partishëm, edhe arti është ndryshe prej artit të pjesës tjetër të botës, sepse është art proletar e pragmatik, i krijuar prej artistësh të shkrirë në magmën popullore dhe në shërbim të pushtetit.

Në një sistem të këtillë nuk ekzistojnë shkallë kierarkike vlerash kulturore, letrare, shkencore… Aty ka vetëm padronë të frustruar privilegjesh dhe vartës kokëunjur, pa të drejtë mendimi e fjale. Aty gjithçka është dyngjyrëshe, si nata me ditën. Miqësia e sinqertë ndërmjet njerëzish është pothuajse kategori e panjohur, natyrisht: nëse nuk konceptohen për të tilla lidhjet ndërmjet punëdhënësit dhe shërbëtorit, që mbarojnë posa pushon mandati i të parit, sepse njeriu vlen për aq kohë sa ka pushtet.

Sistemi në fjalë është i pabesë. Shtyllat e tij janë mediet e verdha, mashat, hafijet dhe shpifarakët. Rregullat e mbijetesës kërkojnë që askush askujt mos t’i besojë. Është kjo zeja e të gjithëve, pa asnjë përjashtim. Pushtetarët e shfrytëzojnë për ngritje në karierë, kurse njerëzit e thjeshtë për çështje mbijetese dhe për shkak të frikës së futur në palcë. Viktimat e revolucionit, edhe kur gjenden përpara skuadrave të pushkatimit, për fjalë të fundit zgjedhin: Të rojë faraoni dhe partia! Kurse prometejët qirinjë të Atdheut, rrezikojnë të vdesin si spiunë dhe të mbeten pa varr.

Këto copa jete Dritëroi i portretoi me skenime të përpikta, i ironizoi duke lëvizur nëpër tehun e shpatës që mund t’ia priste kokën, gjë që më së miri e ka përkufizuar studiuesi freng Alen Boske, që, pas leximit të veprës, e quajti atë: Dinamit të mbuluar me petale.

Pa dyshim, veprat si kjo mbeten të gjithkohëshme, sepse në bërthamën e tyre lexuesit gjejnë kromozomet e sëmura të shoqërive që kanë nevojë për derman.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button