Mickoski: Është sekret publik që ASh po negocion për hyrje në qeveri, por çfarëdo që të bëjnë është vendim i tyre

Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, thotë se negociatat e Aleancës për Shqiptarët për hyrjen në Qeveri janë sekret publik dhe se për këtë flitet me javë të tëra, transmeton Portalb.mk.

Deklarata e Mickoskit vjen pasi Aleanca për Shqiptarët njoftoi sot se vepron Presidenti, Arben Taravari sot në Qeveri do të ketë takim me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Duke komentuar këto zhvillime në njoftim, kreu i partisë më të madhe opozitare thotë se çdo parti politike ka “vendimmarrjen autonome dhe autoktone”.

Në lidhje me atë se partitë e vetme politike në opozitë, nëse ASh bëhet pjesë e qeverisë, do të mbeten VMRO-DPMNE, BESA dhe E majta, Mickoski u përgjigj se ky është mesazh i mjaftueshëm për qytetarët se si të veprojnë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. 

“Ky është një mesazh i mjaftueshëm për qytetarët se si të veprojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Nëse e keni LSDM-në si faktor pakicë në qeveri që do të bëjë gjithçka për të qëndruar një ditë më shumë që të kalojnë disa tendera në katër sy, që të vjedhin më shumë, që të gëzojnë më shumë privilegje dhe të krijojnë parazitë për të cilët publikojmë këto ditë, atëherë i vetmi sovran që mund ta pengojë, përveç neve politikanëve në opozitë, është populli. Dhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pres që të shkatërrohen politikat e kësaj qeverie të udhëhequr nga LSDM-ja”, thotë Mickoski.

Ai konsideron se nëse Aleanca për Shqiptarët bëhet pjesë e qeverisë së LSDM-së dhe BDI-së, atëherë është një përmbysje e plotë politike nga tezat që partia i mbrojti në periudhën e kaluar.

Mickoski thekson se nëse një politikan e akuzon qeverinë se punon gabimisht, në mënyrë të korruptuar dhe kriminale, e më vonë bëhet pjesë e saj, atëherë do të thotë legjitimim i të gjitha politikave të gabuara dhe e vetmja gjë që ju intereson është që të marrin një pozitë të caktuar dhe një kolltuk.

“Nëse kërkoni mendimin tim për hyrjen eventuale të Aleancës për Shqiptarët në qeveri, do të thotë devijim i plotë politik nga të gjitha ato teza që janë thënë vitet e kaluara. Thelbi është tjetër, nëse thua se kjo qeveri po punon gabim, nëse thua se kjo qeveri e ka fajin që shumë shqiptarë u larguan nga vendi, nëse thua se kjo qeveri është kriminale dhe e korruptuar dhe pastaj hyn në atë qeveri, pastaj që legjitimon ato politika, pranon me vete se ke gënjyer, dmth nuk ke thënë të vërtetën dhe e vetmja gjë që të intereson është të rrëmbesh një funksion  dhe kolltuk”, ka thënë Mickoski.

Lideri i VMRO-DPMNE-së beson se te Taravari dhe Aleanca për shqiptarët do të mbizotërojë arsyeja, por çfarëdo që të vendosin për hyrjen eventuale në qeveri të LSDM-së dhe BDI-së, do të jetë vendim i tyre.

Tema e hyrjes së Aleancës për Shqiptarët në koalicionin qeveritar doli në opinion në fund të shtatorit, kur ishte Taravari ai që tha se nëse i vjen një ofertë, partia do ta shqyrtojë.

Pas deklaratës së Taravarit, kryeministri Dimitar Kovaçevski më 7 tetor deklaroi se nuk kanë biseduar për një opsion të tillë, por tha se duhet të diskutohet për çdo mbështetje të mundshme të Qeverisë së tij.

Në ndërkohë, në Kuvend u mbajt takimi i liderëve i iniciuar nga kryeministri Kovaçevski, ku të pranishëm ishin liderët nga pothuajse të gjitha partitë parlamentare. Lideri i Lidhjes Demokratik (PLD), Pavle Trajanov, pas mbledhjes së kryesisë tha se një parti me tetë deputetë pret të hyjë në Qeveri, aq sa ka Aleancë për shqiptarët.

Taravari, nga ana tjetër, pas mbledhjes së kryesisë nuk ka dashur të komentojë për një opsion të tillë.

Kryeministri Kovaçevski përsëriti qëndrimin e tij një javë më parë se aktualisht nuk diskutohet për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët  në Qeveri, por tha se i vjen mirë që qëndrimet e qeverisë për të ardhmen e vendit kanë mbështetjen e kësaj partie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button