Shoferët e presin rrogën më së voni deri nesër, NTP ende shpreson se Qeveria do t’i japë para

Sindikalistët e NTP Shkup, kanë vendosur që t’i japin afat të ri Ndërmarrjes së Transportit Publike (NTP) për deri nesër (19.10.2022) që t’ua paguajë rrogën e muajit shtator. Në të kundërtën, siç thonë, transporti i autobusëve në Shkup do të ndalojë, njofton Portalb.mk.

Premtimin se deri nesër do ta paguajë rrogën, e ka dhënë udhëheqësia e NTP Shkup, por me kusht që paratë t’i sigurojë Qeveria.

“Ndërmarrja e Transportit Publik Shkup apelon deri te Qeveria, komunat dhe borxhlinjve ndaj ndërmarrjes që sa më shpejtë t’i shlyejnë obligimet e tyre me qëllim që të mundësohet funksionimi normal ndërmarrjes. Për momentin, Qeveria, gjegjësisht Ministria e Arsimit ka borxh ndaj NTP-së 120 milionë denarë ose rreth 2 milionë euro për transportin falas për nxënësit dhe studentët. Plotësisht disa komuna të Shkupit i kanë borxh ndërmarrjes rreth 40 milionë denarë”, theksoi në konferencë për shtyp Zoran Gligorov, sekretar i përgjithshëm i Qytetit të Shkupit.

Qeveria ka vite që subvencionon funksionimin e NTP Shkup. Një nga premtimet kryesore të kryetares aktuale Danela Arsovska ishte vendosja e transportit publik falas për të gjithë, i cili ende nuk është realizuar.

Në gusht të këtij viti, Qyteti i Shkupit nën udhëheqjen e Arsovskës dhe VMRO-DPMNE-së me ribalancimin e buxhetit refuzoi kredinë prej 70 milionë euro nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për ndërtimin e sistemit të transportit të shpejtë me autobus (BRT).

Muajin e kaluar kryetarja e Shkupit Danela Arsovska tha se derisa të tejkalohet kriza energjetike, nuk mund të japë përgjigje definitive se kur do ta realizojë premtimin për transport publik falas. Në emisionin “Click Plus” në TV21, ajo tha se askush nuk e priste që të ndodhte një krizë kaq e madhe energjetike dhe se çmimet e larta të energjisë po e ngarkojnë shumë buxhetin e qytetit të Shkupit.

LEXO: Arsovska tha se për shkak të krizës energjetike, nuk ka transport publik falas

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button