Vijojnë takimet për skriningun shpjegues të RMV-së, sot në fokus Kapitujt 26 dhe 19

Sot në Bruksel po mbahen dy skrining-takime shpjeguese për kapitullin 26 “Arsimi dhe kultura” dhe kapitulli 19, “Punësimi dhe politika sociale”, në të cilat Komisioni Evropian do të prezantojë korpusin e ri të legjislacionit të BE-së të miratuar në periudhën pas viteve 2018-2019, transmeton Portalb.mk.

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështjet evropiane dhe kryenegociatori me Bashkimin Evropian, Bojan Mariçiq, në fjalën e tij hyrëse tha se Qeveria njeh rëndësinë e arsimit, trajnimit dhe programet rinore, si bartës kryesorë të politikave zhvillimore që kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Të rinjtë meritojnë një të ardhme evropiane dhe mundësi si bashkëmoshatarët e tyre në Bashkimin Evropian dhe është detyra jonë t’ua mundësojmë këtë. Kemi bërë procese të rëndësishme reformuese dhe vazhdojmë të përparojmë më tej”, tha zëvendëskryeministri Mariçiq para përfaqësuesve të Komisionit Evropian.

Mariçiq iu referua reformave dhe aktiviteteve dhe projekteve aktuale që po punohen në fushën e arsimit dhe kulturës, duke vënë theksin tek reforma në arsimin profesional, qëllimi i së cilës është përgatitja e të rinjve për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës.

“Këtu përfshihet ngritja e Qendrave rajonale për arsimin profesional dhe shkencën. Në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për përmirësimin e cilësisë së arsimit, sipas Strategjisë për asrim të të rriturve 2019-2023, një nga prioritetet më të rëndësishme është ngritja e një sistemi për njohjen e të mësuarit informal, i cili do t’u mundësojë njerëzve të fitojnë kualifikim dhe të ketë përfshirje më të madhe në tregun e punës”, tha Mariçiq.

Sa i përket politikave rinore, ai theksoi se autoritetet vazhdojnë të krijojnë qendra rinore në çdo komunë për të mbështetur të rinjtë, se është miratuar Ligji për pjesëmarrjen rinore dhe politikat rinore, ndërsa njoftoi edhe se është duke u përgatitur Strategjia e re për rininë 2023-2027.

“Për sa i përket programeve të BE-së në këtë fushë, Maqedonia e Veriut është pjesëmarrëse shumë e suksesshme. I kemi nënshkruar dhe kemi filluar zbatimin e marrëveshjeve për pjesëmarrje në Erasmus + dhe Korpusin evropian të solidaritetit, për ciklin e ri financiar. Programi Erasmus+ menaxhohet me një shkallë të konsiderueshme angazhimi dhe kapacitet absorbues. Në kuadër të viteve 2014-2020 janë dhënë 4199 grante, ku janë përfshirë mbi 32 mijë pjesëmarrës dhe janë paguar 37 milionë euro”, theksoi Mariçiq.

Në këtë pjesë, drejtori i Agjencisë kombëtare për programe evropiane dhe mobilitet, Marko Gjorgievski, theksoi se Agjencia Kombëtare është e përkushtuar për promovimin e programeve Erasmus+ dhe Korpusit evropian të solidaritetit, duke organizuar punëtori për informim të mirë dhe njohje me programet.

“Krijojmë mundësi për të gjithë, veçanërisht për të rinjtë. Nëpërmjet Ekipeve kombëtare të trajnimit në arsimin profesional, përgatitemi për vitin e ardhshëm – Vitin e aftësive në nivel evropian. Përfshirja në programe, Eksploroni BE-në dhe Sportin na afrojnë dhe nxjerrin në pah mundësitë e shumta për të gjithë”, tha drejtori Gjorgievski.

Në fushën e kulturës, kryenegociatori me BE-në, Mariçiq, tha se Ministria e Kulturës mbetet e përkushtuar ndaj programit Evropa kreative, si një nga projektet kryesore evropiane për mbështetjen e bashkëpunimit kulturor evropian, i shprehur përmes krijimeve kulturore dhe unifikimit të diversitetit, në kuadër të të cilave janë mbështetur 14 projekte me një shumë totale prej rreth 2.5 milionë euro grante, përderisa në programin MEDIA janë mbështetur 3 projekte me 142.000 euro.

Përndryshe, fillimi i procesit të skriningut si fazë e parë nga bisedimet për anëtarësim në BE dhe mbështetja e sanksioneve kundër Rusisë në lidhje me invazionin ushtarak ndaj Ukrainës i sollën Maqedonisë së Veriut vlerësim pozitiv nga BE-ja. Por, në raportin evropian për progresin e vendit, Komisioni Evropian sërish ka gjetur vërejtje për zbatimin e ligjeve, punën e Kuvendit, por edhe nevojën për më shumë transparencë gjatë miratimit të vendimeve shtetërore. Në raport, thuhet se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për thuajse të gjitha kriteret.

Prej 11 nëntori deri më 9 dhjetor të këtij viti, do vazhdojë faza e dytë e skriningut, gjegjësisht atij bilateral. Në këtë proces Maqedonia e Veriut do të paraqesë shkallën e përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së, strukturën institucionale të zbatimit të ligjit. Në atë periudhë, ekipi i RMV-së do t’i prezantojë para përfaqësuesve të KE-së planet për harmonizim të mëtejmë dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe administrative, si dhe resurset e nevojshme njerëzore, financiare dhe IT për zbatimin e standardeve evropiane.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button