Seanca gjyqësore për rastin “Besa Trans” më 15 nëntor, avokati kërkoi të mos lidhet rasti me aksidentin në Bullgari

Duhet të bëhet dallimi mes ngjarjes fatkeqe që ndodhi në Bullgari vitin e kaluar dhe këtij procesi gjyqësor, sepse nuk janë të ndërlidhura. Ky është një proces ekskluzivisht pas ngritjes së aktakuzës në fushën e funksionimit të vetë personit juridik, tha sot avokati Asmir Alispahiq, përfaqësues i të pandehurit në rastin “Besa Trans”.

“Ne besojmë në Gjykatë, ia lëmë Gjykatës të vendosë për pjesën e gjithçkaje që do të prezantohet nga Prokuroria dhe mbrojtja, si teori e rastit nga të dyja palët, kështu që do ta dini rezultatin”, tha ai.

Seanca e parë e gjykimit për “Besa Trans”, kompania me autobus të së cilës në një aksident në nëntor të vitit të kaluar humbën jetën 45 shtetas të Maqedonisë është shtyrë për 15 nëntor. Shtyrja ka ndodhur për shkak se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës publike për faktin se personi juridik i akuzuar nuk ka pasur përfaqësues zyrtar.

Në këtë çështje, një person fizik dhe një person juridik akuzohen për veprën penale të vazhduar “falsifikim dokumentesh”.

Në gjykimin i akuzuari Bekim Haxhiu, pronar dhe menaxher i “Besa Trans”, ka deklaruar se është përfaqësues i autorizuar i personit juridik të akuzuar, të cilit gjykata i ka theksuar se si i pandehur në këtë procedurë nuk mund të jetë edhe përfaqësues i autorizuar i personit juridik të akuzuar në të njëjtën procedurë.

“I pandehuri 41-vjeçar si drejtues i personit juridik nga Rashçe, duke shfrytëzuar të njëjtat marrëdhënie të përhershme, të njëjtat raste dhe rrethana të ngjashme, nëpërmjet drejtuesve të mjeteve që drejtonin autobusin në pronësi të kompanisë, ka kryer disa veprime të lidhura me kohën dhe ka përdorur si dokument publik të vërtetë çertifikatën fals të licencës për kryerjen e transportit publik në komunikacionin rrugor ndërkombëtar. Një licencë e tillë për autobusin në fjalë nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve dhe menaxheri ua ka dhënë dokumentin e përgatitur publik fals shoferëve që kanë vozitur autobusin dhe me të kanë kaluar kufirin shtetëror. Prokurori publik kompetent gjatë procedurës ka ofruar dëshmi se në periudhën prej datës 10.01.2021 deri më 21.11.2021, autobusi ka kaluar 20 herë kufirin shtetëror në pika të ndryshme kufitare në këtë mënyrë”, sipas propozim aktakuzës.

Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, ndërsa përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik Vladimir Miloshevski.

Ndryshe, Prokuroria Themelore Publike në Shkup në muajin shtator ka ngritur aktakuzë kundër një personi fizik dhe një personi juridik për veprën penale – falsifikimi i licencës për transport ndërkombëtar. Bëhet fjalë për pronarin e autobusit të Besa Transit, i cili më 23 nëntor të vitit të kalur u dogj në një autostradë në Bullgari, ku vdiqën 46 persona, 12 prej të cilëve fëmijë.

Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek, mes të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa shtatë mbijetuan.

Parahetimet për këtë rast, zgjasin me muaj. Prokuroria Publike e Shkupit tanimë tetë muaj e gjysmë po heton se si në periudhën nga tetori i vitit 2020 e deri në tragjedinë në autostradën “Struma” në Bullgari më 23 nëtor të vitit të kaluar, autobusi i “Besa Trans”-it mbi 120 herë ka dalë nga shteti përmes vendkalimeve kufitare Deve Bair, Bllacë, Qafëthanë dhe Dellçevë, çdoherë duke treguar certifikatë të falsifikuar nga licenca pa reaguar doganierët. Autobusi nuk shfaqet as në evidencën elektronike se më 18 nëntor, pesë ditë para tragjedisë, ka dalë nga Maqedonia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button