Hetimi për aksidentin e autobusit: Prokuroria bullgare kërkon të marrë në pyetje të mbijetuarit dhe të afërmit e viktimave të autobusit “Besa Trans”

Është ndërprerë procedura parahetimore për aksidentin me autobusin në të cilin u dogjën 46 persona, tha zëdhënësja e kryeprokurorit, Sijka Mileva. Arsyeja për këtë është se prokurorët bullgarë kërkojnë më shumë seanca se sa homologët e tyre në Maqedoninë e Veriut, transnmeton Portalb.mk.

Në një intervistë për BNT, Mileva thotë se hetimet e deritanishme kanë vërtetuar fakte të reja lidhur me atë që ndodhi natën tragjike të 23 nëntorit të vitit të kaluar, kur u dogj plotësisht autobusi i “Besa Trans”.

Rrethoja mbrojtëse ka bllokuar derën, para së cilës pasagjerët po tentonin dëshpërimisht të dilnin.

“Kjo është një tragjedi e madhe që do të mbetet në mendjen time. Një rast i paprecedentë. I pashembullt në histori. Kështu u definua ky rast. Inspektimi zgjati më shumë se 24 orë. Filloi në errësirë ​​dhe mbaroi në errësirë. Prokurori publik ia besoi hetimin një ekipi hetuesish nga NSLS, të cilët punuan pa u lodhur nën mbikëqyrjen e Prokurorisë së qarkut – Pernik”, tha zëdhënësja Mileva për BNT, duke shtuar se gjashtë hetues dhe tre prokurorë kanë punuar në këtë rast, ndërsa mbledhja e provave përfundoi në vetëm 10 ditë.

Sipas Milevës, qasja e prokurorisë për kthimin e trupave të të vdekurve me avion është precedent.

“Të gjitha sendet e gjetura kthehen menjëherë, dhe secili artikull është i vulosur veçmas. Janë kryer 45 autopsi. Nga secila është marrë material biologjik, nga i cili është nxjerrë, për shembull, ADN. Me kërkesë për ndihmë juridike në organet e drejtësisë në RMV, janë kërkuar dhe identifikuar familjarët e viktimave, të cilëve u është marrë edhe mostra e ADN-së”, tha ajo.

Mileva sqaron gjithashtu se analiza krahasuese e mostrave të ADN-së të të ndjerëve dhe atyre të familjarëve të tyre ka zgjatur shtatë ditë dhe në këtë mënyrë janë identifikuar viktimat. Gjithashtu është kryer ekspertizë teknike komplekse zjarrfikëse si dhe ekspertizë mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes së pasagjerëve.

“Është konstatuar se një numër i madh i tyre kanë vdekur nga afiksiksia nga zjarri dhe nga goditja termike. Këtu kemi dy ngjarje – një aksident trafiku dhe një zjarr. Si pasojë e aksidentit ka rënë zjarri. Nga konkluzioni i ekspertizës është konstatuar se drejtuesi i mjetit ka drejtuar me shpejtësi të paarsyeshme dhe të madhe, për çka ka humbur kontrollin mbi mjetin që drejtonte. Kolegët kanë punuar edhe për versionin e aktit terrorist. Është bërë ekspertiza kimike, por definitivisht nuk është përcaktuar prani e lëndëve shpërthyese. Autoritetet maqedonase kanë ofruar bashkëpunim të plotë në hetimin e këtij rasti tragjik. Me ta mbajmë marrëdhënie shumë të mira miqësore dhe kolegjiale. Këtu dua të falënderoj edhe autoritetet e Ministrisë së Brendshme dhe zjarrfikësit që dhanë bashkëpunimin e plotë në hetim. Për mbylljen e fundit të rastit, prokurori publik ka shpërblyer hetuesit dhe mjekët që kanë punuar në këtë rast”, sqaroi Mileva.

Për momentin procedura para-hetimore është ndërprerë, pasi është përgatitur përsëri kërkesë për ndihmë juridike kundrejt hetusve maqedonas. Ata duhet të marrin në pyetje si dëshmitarë të mbijetuarit e aksidentit, si dhe të afërmit e viktimave.

“Ata duhet të informohen për të drejtat dhe detyrimet e tyre nga procesi penal bullgar dhe nëse duan t’u prezantohen materialet nga hetimi, si dhe të informohen për rrjedhën e procedurës penale”, shtoi Mileva.

Në këtë procedurë penale në Bullgari janë dëgjuar rreth 30 dëshmitarë, mes të cilëve shoferi i autobusit, udhëtarët e mbijetuar dhe dëshmitarë okularë.

Avokati i disa familjeve të pasagjerëve të vdekur dhe të plagosur nga tragjedia e autobusit “Besa Trans” në autostradën “Struma” në Bullgari, Nikolai Dimitrov, tha për MIA-n në Sofje se në vendngjarje ka filluar këqyrja në teren, qëllimi i të cilit është të tregojë nëse ka rrethana shkak-pasojë që kanë çuar në aksident.

Grupi i ekspertëve nisi hetimet tre kilometra larg vendit ku autobusi u përplas në bankinë dhe mori flakë.

Kërkesat për dëmshpërblim në aksidentin e autobusit “Besa trans”, që ndodhi vitin e kaluar në Bullgari janë mbi 750 mijë euro, tha Dimitrov.

Aksidenti ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek, mes të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa shtatë mbijetuan.

Ndryshe, parahetimet për këtë rast, zgjasin me muaj. Prokuroria Publike e Shkupit tanimë tetë muaj e gjysmë po heton se si në periudhën nga tetori i vitit 2020 e deri në tragjedinë në autostradën “Struma” në Bullgari më 23 nëtor të vitit të kaluar, autobusi i “Besa Trans”-it mbi 120 herë ka dalë nga shteti përmes vendkalimeve kufitare Deve Bair, Bllacë, Qafëthanë dhe Dellçevë, çdoherë duke treguar certifikatë të falsifikuar nga licenca pa reaguar doganierët. Autobusi nuk shfaqet as në evidencën elektronike se më 18 nëntor, pesë ditë para tragjedisë, ka dalë nga Maqedonia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button