Edhe nëse do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike pas Vitit të Ri do të jetë minimal

Nëse pas 1 janarit do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, ai do të jetë minimal, deklaroi sot drejtori i Përgjithshëm i SHA “EMV”, Vasko Kovaçevski, raporton MIA.

Sipas tij, me investimet e bëra në periudhën e kaluar në pajisjet vetanake dhe punën e minierave të EMV, me racionalizimin dhe funksionalizimin e kostove, çmimi i prodhimit të REK “Manastir” është ulur në rreth 58 deri në 60 euro për megavat orë të energjisë elektrike të prodhuar.

“Mirëpo, çmimi i energjisë elektrike që ofron EMV nuk varet vetëm nga REK “Manastir”, por edhe nga objektet tona të tjera, disa prej të cilave punojnë me naftë. Prandaj, sa do të jetë çmimi i energjisë elektrike, nëse ka, do të varet nga çmimet në bursë të naftës, por edhe të gazit natyror, i cili do të jetë i nevojshëm nëse termocentrali përfshihet në sistem”, tha Kovaçevski. gjatë vizitës së sotme në minierën “Suvodoll”.

Ai theksoi se nga miniera “Suvodoll” aktualisht po prodhohen rreth 15 mijë tonë thëngjill dhe po transportohen në REK “Manastir”, duke theksuar se për prodhimin e energjisë elektrike në ditë nevojiten 6.000 tonë thëngjill për secilin prej blloqet e Kombinatit, pra rreth 18.000 ton nëse do të punonin të tre blloqet.

Kovaçevski paralajmëroi se në fund të kësaj jave do të përfundojë remonti i Bllokut 1 në REK “Manastir”, ndërsa deri në fund të muajit pritet të arrijë transformatori për Bllokun 3, i cili do të mundësojë vendosjen e tre blloqeve në funksion të REK “Manastir” që nga fillimi i nëntorit.

“Një berber nuk mund të paguajë të njëjtin çmim për energji elektrike si një ndërmarrje publike apo ndonjë institucion tjetër, i cili së fundi është transferuar në tregun e rregulluar”, theksoi Kovaçevski.

Përndryshe, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 30 shtator e votoi vazhdimin e afatit të gjendjes së krizës për shkak të mungesës së energjisë elektrike në territorin e gjithë shtetit, si dhe për shkak të mungesës së energjisë termike.

Me këtë, gjendja e krizës në energjetikë u vazhdua edhe për gjashtë muaj, gjegjësisht prej sot deri në prill të vitit të ardhshëm.

Më 28 shtator, në seancën e 85-të të Qeverisë së RMV-së u miratua ndarja e 1.1 miliard denarëve për furnizim të vazhdueshëm me energji termike. Qeveria e Maqedonisë së Veriut sqaroi që do të subvencionohet për 80% energjia elektrike për 650 mijë shtëpi, ndërsa rreth 70 mijë kompani do të kenë energji elektrike tri herë më pak se çmimi i tregut. Kjo do të vlejë për kompanitë e vogla me qarkullim vjetor deri 2 milionë euro.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button