Sali për rastin “Zhan Mitrev”: 560 pacientë me kovid janë trajtuar me hemofiltrim, do ta analizojmë secilin rast

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, në konferencën e sotme për media theksoi se pesë institucione të ndërlidhura me Ministrinë e Shëndetësisë do të analizojnë individualisht çdo dosje të pacientëve me kovid që janë trajtuar me hemofiltrim në klinikën private “Zhan Mitrev”, transmeton Portalb.mk.

“Kërkuam bashkëpunimin e pesë institucioneve që kanë lidhje me Ministrinë e Shëndetësisë: IShSSh, Oda e mjekësisë, MALMED, Komisioni i Infeksioneve Intraspitalore dhe Komisioni i ekspertëve që do të punojë në analizën e secilit rast individual për indikacionet për aplikimin e hemofiltrimi në trajtimin e pacientëve me kovid. Ne kemi marrë materiale nga ‘Zhan Mitrev’, ata ishin bashkëpunues dhe kanë ofruar të gjitha materialet e kërkuara. Bëhet fjalë për 560 pacientë që janë trajtuar me hemofiltrim. Do të na duhet kohë për të analizuar ato 560 dosje, të cilat janë të gjera, sepse kemi pacientë që kanë qëndruar atje edhe një muaj. I gjithë ai trajtim duhet analizuar nga ekspertë, mjekë që e kanë bërë atë punë gjithë jetën. Bëhet fjalë për grupe të formuara nga katër klinika: Kardiokirurgjia, Klinika Infektive, Kujdesi Intensiv dhe Nefrologjia. Ata do të analizojnë çdo rast individual dhe duhet të shkruajnë raport për çdo rast individual. 560 raste, le të jemi realistë, do të kërkojnë kohë të mjaftueshme për t’i dhënë më në fund publikut llogari përfundimtare të saktë të asaj që ndodhi. Megjithatë, le të bëjmë punën tonë sepse të gjithë jemi pjesë e shoqërisë. Nuk do të doja kurrë që dikush të dukej i njëanshëm”, theksoi Sali.

Ministri tregoi se është i gatshëm të jetë 24/7 në komunikim me gazetarët, por sërish kërkoi hapësirë ​​dhe kohë që, siç tha ai, të përfundojë punën si duhet. Ai tha se duhet të shihen të gjitha palët. Dhënia e parakohshme e informacionit, sipas tij, mund të keqpërdoret.

Hetimi dokumentar i Laboratorit të Raportimit Investigativ (IRL), i titulluar “Gjaku i pistë“, po bën ende bujë në opinion.

Sipas hulumtimit të IRL, spitali privat që priti më së shumti pacientë gjatë pandemisë kovid-19 dhe ku trajtimi kushtonte dhjetëra mijëra euro, përdori metodën e hemofiltrimit (filtrimi i gjakut), që praktikisht ishte studim klinik. Në kundërshtim me legjislacionin vendas, studimet klinike nuk janë raportuar dhe miratuar nga MALMED.

Në punimet shkencore të publikuara në bazë të studimeve klinike në “Zhan Mitrev” shkruhet edhe se një pjesë e konsiderueshme e pacientëve kanë marrë infeksione intrahospitalore gjatë trajtimit. Kështu pohojnë edhe disa nga familjarët e pacientëve të vdekur në spital. Sipas Qendrës për shëndet publik – Shkup, klinika “Zhan Mitrev” asnjëherë nuk ka raportuar për paraqitje të infeksioneve intraspitalore, edhe pse me ligj duhet ta njoftojë këtë organ shtetëror.

Pavarësisht reagimeve në opinion se në klinikën e famshme janë bërë eksperimente dhe se pacientët janë trajtuar si kafshë eksperimentuese, ministri përkatës është ende i rezervuar për koment.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button