Bekim Sali për “Zhan Mitrevin”: Në RMV nuk ka të paprekshëm, nëse vërtetohet do të ketë përgjegjësi
Ministria e Shëndetësisë veç më ka ndërmarrë disa hapa pas publikimit të dokumentarit hulumtues gazetaresk të IRL-së, në të cilin thuhet se metoda për mjekimin e të sëmurëve nga covid 19 me hemofiltrim në spitalin “Zhan Mitrev”, në të vërtetë ka qenë studim klinik dhe jo mënyrë e dëshmuar dhe e suksesshme, për të cilën pacientët kanë paguar dhjetëra mijëra euro, transmeton Portalb.mk.
Informatën e ka kumtuar ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali në konferencë për media, i cili tha se ka kërkuar të kryhen mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektive në Spitalin Klinik “Zhan Mitrev” dhe se të mërkurën do të dalë para opinioni me të dhëna konkrete nga mbikëqyrjet. Ai u shpreh se, në RMV nuk ka njerëz të paprekshëm, nëse vërtetohet do të ketë përgjegjësi.
“I është dërguar shkresë Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor që menjëherë të bëhet mbikëqyrje e jashtëzakonshme inspektive në Spitalin Klinik “Zhan Mitrev”. Kam kërkuar informatë nga inspektorati nëse në periudhën në tre vitet e fundit janë zbatuar mbikëqyrje të rregullta dhe të jashtëzakonshme dhe cilat janë rezultatet. Në momentin e njëjtë kur do ta marrë informatën do të informojë opinionin në mënyrë transparente”, tha ministri Sali.
Ai tha se, Agjencia e barnave MALMED ka inicuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese për atë nëse është respktuar apo jo procedura për testim klinik të hemofiltrimit si metodë për mjekimin e Covid – 19. Sipas ministrit, informatat e para tregojnë se nuk është respektuar, por tha se do të presin të vërtetohet gjendja faktike në spital.
Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga Oda e Mjekëve zbatimin e mbikëqyrjeve profesioniste ndaj mjekimit të pacinetëve në “Zhan Mitrev”.
Qeveria në seancën e sotme obligoi Ministrinë e Shëndetësisë që t’i shqyrtojë në mënyrë të detajuar informatat në lidhje me storjen e publikuar të IRL-së për Spitalin Klinik “Zhan Mitrev”, ndërsa për shkak të reagimeve të shumta në opinion, Ministria e Shëndetësisë është e obliguar të përgarisë informatë në lidhje me këtë dhe në afat prej dy ditësh t’ia dorëzojoë Qeverisë.
Emisioni dokumentar hulumtues “Gjaku i papastër” i IRL-së është i bazuar në dëshminë e një familje, anëtari i së cilës ka ndërruar jetë në klinikën private pasi shumë infeksione bakteriale intrahospitale, sepse i është nënshtruar hemofiltrimit. Klinika nuk ka pasur miratimin e MALMED-it për shfrytëzimin e kësaj metode, megjithëse të sëmurët nga covid – 19 kanë qenë të vendosur në procedurë eksperimentale për mjekim. Pacientëve dhe familjeve të tyre nuk u është treguar që janë objekt i eksperimentit.