Kovaçevski: U paraqitën shumë gënjeshtra dhe spekulime lidhur me propozimin francez, gjuha maqedonase është absolutisht e pastër dhe e barabartë me të gjithë gjuhët e tjera në Evropë

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot u prononcua në opinion që t’i përgënjeshtrojë, siç thekson, gënjeshtrat dhe spekulimet lidhur me propozimin francez dhe porosit se gjuha maqedonase do të jetë gjuhë zyrtare në Bashkimin Evropian, pa kurrfarë fusnota dhe plotësime, njofton Portalb.

“U paraqitën shumë gënjeshtra dhe spekulime të lidhura me propozimin francez. Dua të jem tërësisht i qartë: gjuha maqedonase është absolutisht e pastër dhe e barabartë me të gjithë gjuhët e tjera në Evropë me këtë propozim. Gjuha maqedonase do të jetë gjuhë zyrtare në Bashkimin Evropian. Nuk ka kurrfarë fusnota dhe plotësime, ato janë gënjeshtra”, shkruajti Kovaçevski në profilin e tij në Fejsbuk.

Strategjia dhe plani jonë po jep rezultate, shton Kovaçevski, kemi propozim të ri i cili i mbron interesat e tona strategjike dhe kombëtare. Potencon se edhe në propozimin dhe në negociatat, nuk do të lejojmë ato të rrezikohen.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në konferencën e sotme për shtyp duke komentuar propozimin e ri francez theksoi se në kornizë shkruan pastër, gjuha maqedonase.

“Korniza miratohet të njëjtën ditë që ne do të themi po për pakon dhe këtu mbyllet Kushtetuta e procesit të negociatave, ky është dokumenti që neve na lidh më tepër me Bashkimin Evropian, në këtë kornizë shkruan pastër gjuha maqedonase pa asnjë shtesë dhe nga ai moment bëhet gjuhë zyrtare në Bashkimin Evropian, fillimisht në procesin e negociatave pastaj me anëtarësimin në BE. Bullgaria dëshironte që ky paragraf për gjuhën të mos ekzistojë fare, të mos qëndrojë fare”, tha Osmani.

Propozimi i modifikuar i presidencës franceze me BE-në për fillim të negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian do të jetë në rend dite të seancës së Këshillit të Sigurisë që do të mbahet nesër në mesditë.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pas takimit të mbajtur me partnerët e koalicionit, në formë integrale në ueb-faqen e saj e ka publikuar propozimin nga presidenca franceze për tejkalimin e çështjeve mes RMV-së dhe Bullgarisë, me qëllim që t’i hapet rrugë fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian. Kryeministri Dimitar Kovaçevski, këtë propozim e ka vlerësuar si më të favorshëm se sa parapraku, të cilin e refuzoi në Bruksel.

Ndryshe, së fundmi në Bullgari, ra Qeveria e kryeministrit Kiril Petkovit, çka rëndoi edhe më tej krizën politike në Bullgari. Në Samitin e BE-së, Bullgaria nuk e kishte hequr veton, pasi parlamenti duhej të miratonte propozimin francez dhe për rrjedhojë edhe të hiqte veton. Por pas Samitit, gjegjësisht më 24 qershor të këtij viti propozimi i Macronit kaloi në Parlamentin bullgar, që nënkuptonte heqjen e vetos nga Bullgaria ndaj Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht edhe heqjen e pengesës për Shqipërinë për vijimin e mëtejshëm të procesit integrues në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button