Katër Ambasador në mesin e të cilëve edhe ai i Shqipërisë, dorëzojnë letrat kredenciale

Ambasadorët e sapoemëruar të Republikës së Polonisë, Jacek Stefan Multanovski, i Mbretërisë së Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore, Çarls Edmond Garet, i Republikës Popullore të Kinës, Ven Xhanshun dhe i Republikës së Shqipërisë, Petrit Bushati sot do t’ia dorëzojnë letrat kredenciale presidentit Gjorge Ivanov.

Siç kumtoi Kabineti i presidentit Ivanov, Garet vjen në vendin e ambasadorit të deritanishëm britanik Kristofer Ivon, i cili njëherit ishte edhe doajen i korit diplomatik në vend. Në diplomacinë britanike punon nga viti 1987, ndërsa pas vetes ka përvojë në përfaqësitë britanike në Hong-Kong, Nikozi, Bern dhe Tajpei.

Ambasadori i ri i Kinës, Xhanshu, i cili e zëvendëson të deritanishmin Cui Zhivei, është ish-gazetar. Ka kryer master në Akademinë për politikë diplomatike në Vjenë, ndërsa prapa vetes ka përvojë në Drejtorinë e punëve perëndimore evropiane në MPJ-në kineze, si dhe në ambasadat e vendit të tij në Gjermani dhe në Luksemburg.

Në Shkup vjen nga vendi i konsullit të përgjithshëm në Frankfurt. Një ish-gazetar do të udhëheqë edhe me Ambasadën shqiptare në Shkup. Bushati, krahas karrierës 11-vjeçare si gazetar, prapa vetes ka edhe përvojë diplomatike në përfaqësitë e Shqipërisë në Vjenë, Stokholm dhe në Uashington.

Letrat kredenciale i dorëzoi edhe ambasadori i sapoemëruar i Republikës së Polonisë, Multanovski.

Lajme të ngjashme

Back to top button