Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar për fillimin e Strategjisë Ndërkombëtare për Gratë dhe Vajzat 2023-2030

Shkrim i ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar për Portalb.mk

Ndonjëherë duket sikur lufta për barazi gjinore po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Gratë në Iran keqtrajtohen për shkak të mënyrës se si vishen, vajzat në Afganistan nuk e kanë të lejuar të shkojnë në shkollë, ndërsa nga fushëbetejat në Ukrainë vijnë edhe histori për dhunë seksuale të tmerrshme.

Mbretëria e Bashkuar (MB) i vendos gratë dhe vajzat në qendër të gjithçkaje që bëjmë. Avancimi i barazisë gjinore, parandalimi i dhunës me bazë gjinore, promovimi i të drejtave dhe lirive të grave nuk është vetëm gjëja e duhur për t’u bërë – por është një politikë nga e cila përfitojnë që të gjithë.

Për të krijuar një sistem për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna me bazë gjinore në përputhje me ligjin e ri dhe Konventën e Stambollit ne në Maqedoninë e Veriut punojmë bashkë me UNFPA-në. Projekti e mbështet zbatimin e legjislacionit të ri përmes hartimit të akteve nënligjore, duke punuar për rritjen e kapaciteteve të të gjithë ofruesve të shërbimeve, përfshirë këtu edhe organizatat e shoqërisë civile, si dhe për të sfiduar normat e dëmshme në shoqëri përmes fushatave dhe punës me autorët.

Vizita e ambasadorit në strehimoren Skaj Plus në Strumicë, foto nga Ambasada e Britanisë

Bashkë me Ministren e Punës dhe Politikës Sociale, Kryetarin e Komunës së Strumicës dhe partnerët e UNFPA-së këtë javë vizitova Qendrën Strehimore Sky Plus (Sky Plus Shelter) të dedikuar për gratë viktima të dhunës në familje, për të parë nga afër se si funksionon modeli i bashkëpunimit ndërmjet aktorëve të ndryshëm në dobi të viktimave dhe të mbijetuarve. Përforcimi i kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve nga të gjithë sektorët për viktimat dhe të mbijetuarit, në partneritet me të gjithë aktorët kryesorë, është i një rëndësie shumë të madhe dhe ne jemi të kënaqur që mundëm të kontribuojmë. Kjo punë është e rëndësishme dhe tregon se si pushteti lokal, sektori i biznesit dhe udhëheqësit fetarë të komunitetit mund të punojnë në partneritet për të ndihmuar në zgjidhjen e këtij problemi.

Ne gjithashtu punojmë edhe me Këshillin Rinor Kombëtar të Maqedonisë dhe Rrjetin Stella për të mundësuar mundësi të barabarta për vajzat dhe gratë e reja në Maqedoninë e Veriut. Nëpërmjet një fushate për ngritjen e vetëdijes publike, mentorimit, këshillimit për karrierë, krijimit të mundësive të reja për punë për gratë e reja, projekti që ne e mbështesim do të rrisë të kuptuarit e koncepteve gjinore, do ju japë fuqi më të madhe grave dhe vajzave që ato të përpiqen për një status shoqëror dhe përfshirje të barabartë në shoqëri.

Macedonian Chevening Alumni Association, foto nga Ambasada e Britanisë

Duke punuar së bashku me Asociacionin Chevening Alumni të Maqedonisë (Chevening Alumni Association), ne i mbështetëm ekspertët për çështjet gjinore nga Asociacioni Chevening Alumni nga Ballkani Perëndimor për të formuar një rrjet të ekspertëve të barazisë gjinore me qëllim ndarjen e ekspertizës dhe njohurive në fushën e politikave gjinore.

Macedonian Chevening Alumni Association, në Saraj, foto nga Ambasada e Britanisë

Ne gjithashtu mbështetëm gra nga Maqedonia e Veriut për të marrë pjesë në “Konferencën për gratë në pozita udhëheqëse” (Women into Leadership Conference) që u mbajt në Birmingham të Mbretërisë së Bashkuar për të promovuar zhvillimin e mëtejshëm të grave lidere në Ballkanin Perëndimor. Tani jemi sërish nikoqir i grave nga rajoni në Konferencën e dytë që po mbahet në Mbretërinë e Bashkuar.

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar shpalli një strategji të re – “Strategjia Ndërkombëtare për Gratë dhe Vajzat 2023-2030”, e cila fokusohet në trajtimin e pabarazisë gjinore në mbarë botën dhe në kundërshtimin e çdo zbrapsjeje të të drejtave dhe lirive të grave.

Duke e shpallur strategjinë në Sierra Leone gjatë një vizite në disa nga programet tona për gratë dhe vajzat, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar James Cleverly tha se barazia gjinore është “themeli kryesor i të gjitha demokracive të shëndetshme”.

Women Into Leadership, foto nga Ambasada e Britanisë

Si pjesë e këtij plani të ri, Zyra e Commonwealth-it dhe e Zhvillimit të Jashtëm e Mbretërisë së Bashkuar është zotuar se deri në vitin 2030 të paktën 80% e programeve bilaterale për ndihmë do të përfshijnë fokusim në barazinë gjinore.

Do të punojmë edhe më intensivisht me grupet për të drejtat e grave. Këto organizata janë më afër punës në terren dhe e dinë se çfarë është më e nevojshme për të siguruar një ndryshim të qëndrueshëm. Shpesh herë ato marrin shumë pak fonde, në periudhën 2021–2022 vetëm 1.25% e Ndihmesës Zyrtare për Zhvillim nga MB e dedikuar për barazinë gjinore përfundoi tek organizatat dhe lëvizjet për të drejtat e grave. Ne po e ndryshojmë këtë – me programin e ri global.

Sapo shpallëm një program të ri për shëndetin reproduktiv, i cili do të arrijë deri tek 10.4 milionë gra në Afrikën Sub-Sahariane, ku shkalla e natalitetit, ajo e martesave të fëmijëve dhe vdekshmërisë së nënave janë më të lartat në botë.

Strategjia jonë është e përqendruar në tre “E“:

  • (Educating girls)Arsimimi i vajzave dhe lufta për të drejtën për një arsim cilësor 12-vjeçar për të gjitha vajzat,
  • (Empowering women and girls and championing their health and rights)Fuqizimi i grave dhe vajzave dhe lufta për shëndetin dhe të drejtat e tyre, pavarësisht nëse kjo bëhet nëpërmjet qasjes në shëndet adekuat seksual dhe reproduktiv, pjesëmarrjes qytetare dhe politike, paqes dhe sigurisë së grave apo nëpërmjet fuqizimit ekonomik,
  • (Ending gender-based violence) – Përfundimi i dhunës me bazë gjinore, siç është dhuna seksuale që buron nga konfliktet, martesat e hershme ose me detyrim, skllavëria moderne, trafikimi i qenieve njerëzore, dhuna në internet dhe gjymtimi i organeve gjenitale femërore.

Strategjia jonë do të synojë sigurimin e investimeve për fazat kyçe për gratë dhe vajzat, për të siguruar ndikim më të madh gjatë gjithë jetës dhe ndër breza.

Strategjia do të mobilizojë mbështetje për gratë që u kanë mbijetuar krizave të tilla si lufta dhe fatkeqësitë natyrore, dhe do i përforcojë sistemet politike, ekonomike dhe sociale që kanë një rol kritik në mbrojtjen dhe fuqizimin e grave dhe vajzave.

Jemi të pozicionuar mirë për t’i drejtuar përpjekjet në luftën për barazi gjinore. Nga viti 2015 e deri më sot ne kemi ndihmuar në arsimimin e më shumë se 8 milionë vajzave; nga viti 2013 e deri më sot ne kemi ndihmuar në realizimin e premtimeve nga më shumë se 27 milionë njerëz për t’i dhënë fund praktikës së gjymtimit organeve gjenitale të femrës dhe nga viti 2018 kemi ndihmuar 25 milionë gra dhe vajza të kenë qasje në këshillim për planifikimin e familjes.

E dimë se kjo nuk do të jetë e lehtë dhe nuk mund ta bëjmë të vetëm. Ju ftojmë të na bashkëngjiteni në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të grave dhe vajzave në mbarë botën, që ato të mund ta arrijnë potencialin e tyre të plotë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button