RMV, vegël për matjen e punës së prokurorive publike

Prokurorët publikë nuk i shmangen llogaridhënies dhe përgjegjësisë për punën e tyre, por edhe palët e tjera të interesit në qeveri duhet t’i ofrojnë të gjitha kushtet për të mundësuar funksionimin efikas të Prokurorisë Publike, tha prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ljubomir Joveski, në konferencën e sotme “Përmirësimi i efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies së Prokurorisë Publike”, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Në konferencë u prezantua vegla në përpunim për matjen e performancës së prokurorive publike.

Sipas Joveskit nevojitet staf shtesë, si dhe para shtesë që prokuroritë të funksionojnë më mirë.

“Pritjet e publikut për kryerjen efikase të punës mund të realizohen nëse prokuroritë kanë burime adekuate njerëzore, financiare dhe materiale, për të cilat kam thënë vazhdimisht se nuk janë në nivelin e duhur. Cilësia dhe efikasiteti i punës së prokurorëve publikë nuk varet vetëm nga gatishmëria dhe aftësitë e tyre, por edhe nga sigurimi i këtyre bazave materiale”, tha Joveski.

Ai theksoi se ai si prokuror publik nuk mund të pajtohet me besimin e ulët të qytetarëve në gjyqësor.

“Publiku ka nevojë dhe meriton sqarim më të mirë të procesit ligjor të punës së prokurorëve publik që do të dëshmojë se hetimet dhe akuzat tona janë legjitime dhe të bazuara në prova të forta”, tha Joveski.

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga ka rikujtuar se nga 1 janari është në funksion aplikimi i detyrueshëm i sistemit për evidentim elektronik të lëndëve në Prokurorinë Publike, i cili duhet të mundësojë qarkullim të pandërprerë të të dhënave dhe informacioneve lidhur me veprimet e prokurorive publike.

“Pa vizibilitet të punës dhe rezultateve të arritura, pa të dhëna krahasuese të matshme dhe cilësore që mblidhen dhe përpunohen ashtu si në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, drejtësia do të mbetet e verbër ndërsa qytetarët nuk do të marrin mbrojtjen e garantuar me kushtetutë”, tha Lloga.

Sipas kryetarit të Këshillit të prokurorëve publikë, Antonio Jollevski, vegla e ofruar në kuadër të projektit “Zhvillimi dhe prezantimi i veglës për monitorimin e performancës së sistemit të prokurorisë publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, i financuar nga Qeveria e Mbretëria e Bashkuar me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup, do të mundësojë monitorim të përmirësuar të efikasitetit.

“Do të na ndihmojë në Këshill që të shohim se ku kemi problem me personelin, të shohim fushëveprimin e punës së prokurorëve publikë dhe në këtë mënyrë të përmirësojmë perceptimin e qytetarëve për punën tonë”, tha Jollevski.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button