Hapja e mundshme Kushtetutës së RMV-së për përfshirjen e bullgarëve do të rregullojë edhe çështjen e “20 përqindëshit”

Hapja e Kushtetutës dhe përfshirja e bullgarëve dhe pakicave tjera në të do të zgjidhë edhe çështje tjera të hapura në Maqedoninë e Veriut, siç është edhe formulimi i gjuhës shqipe, e cila në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut është e shkruar si “gjuha që e flasin mbi 20% e popullatës dhe që është e ndryshme nga maqedonishtja”. Kjo sipas ekspertëve do të kontribuonte në paqen dhe stabilitetin e vendit. Lidhur me propozimin francez, njohësit e çështjeve politike edhe eurouintegruese, janë të ndarë në mendime të ndryshme, disa thonë se ka atmosferë të mirë për heqjen e vetos, ndërkaq të tjerët janë skeptik, shkruan Portalb.mk.

Analisti Selim Ibraimi vlerëson se ajo që mund të jetë e besueshme dhe e vërtetë është se propozimi francez të bëhet pjesë e Kornizës negociuese e BE-së për Maqedoninë e Veriut. Mirëpo ende është e paqartë nëse Sofja zyrtare mund të ndikojë gjatë procesit të fillimit të bisedimeve me Shkupin zyrtarë. Poqë së palët do të pajtohen për këtë rrugëtim atëherë ngërçi do të tejkalohet dhe problemi do të bie mbi BE-në e cila më tej do të kërkojë nga Maqedonia e Veriut që t’i plotësojë kërkesat e propozimit francez. Megjithatë mbetet ende për tu parë reagimi i qeverisë së Maqedonisë këtë javë.

Selim Ibraimi
Selim Ibraimi

“Plotësimi i kërkesave të Bullgarisë është meritë e shtetit bullgar dhe këtu Sofja është kujdesur për interesat e saja nacionale. Dihet se çdo shtet së pari i shikon si përparësi disa veçori në politikën e jashtme dhe kjo lidhet me pakicat nacionale dhe respektimi i të drejtave të tyre në shtetet përkatëse”, thotë Ibraimi.

Ndërsa sa i përket hapjes së Kushtetutës, Ibraimi thotë nëse do të ndodhë një gjë e tillë, është mirë që të përfundojë edhe procesi i largimit të 20  përqindshit të shqiptarëve në kushtetutë. Kjo njëherit do të shkonte në favor të paqes dhe stabilitetit afatgjatë në MV.

“Në këtë drejtim duhet parë se si partitë politike maqedonase do të reagojnë dhe a do të jenë të gatshme të hyjnë në një ujdi të re me shqiptarët. Sidoqoftë kjo do të varet edhe nga vendosmëria e partive politike shqiptare pra të BDI-së dhe opozitës. Në përgjithesi largimi i përqindjve për të gjitha grupet etnike do të ishte në të mirë të Maqedonisë së Veriut”, kondiseron Ibraimi.

Në anën tjetër, analisti Alber Musliu, lidhur me propozimin francez thotë se do të përfshihen çështjet e kritereve të Kopenhagës si mosdiskriminimi, barazia etj. Ndërsa lidhur me heqjen e vetos, Musliu sheh atmosferë pozitive nga të dyja palët

“Unë shoh atmosferë të mirë edhe nga pala bullgare edhe te pala jonë që kjo të tejkalohet, a shoh edhe një angazhim pak më të madh të kryetarit francez edhe të kancelarit gjerman, që nuk është diçka që duhet të injorohet, gjithsesi bëhet fjalë për dy shtyllat kryesore të Unionit Evropian”, tha Musliu.

Albert MusliuSa i përket çështjes së heqjes së 20 përqindshit për shqiptarët, Musliu nënvizon se për këtë duhet ta negociojnë partitë shqiptare.

“Nga partitë serioze maqedonase nuk kemi parë ndonjë rezistencë ose kundërshtim të tërheqjes së 20 përqindshit, ashtu që nuk e shoh që pse mos mund që kjo të ndryshohet. Ekziston, por duhet ta negociojnë pasi është nuk nënkupton veç heqjen e 20 përqindshit, por ka edhe ndryshime tjera më thelbësore. Mendoj se nuk ka ndonjë rezistencë nga liderët e LSDM-së dhe VMRO-së. Ka pasur disa kushtëzim nga Mickoski, prandaj duhet ta sqarojnë subjektet politike”, deklaroi Musliu.

Sefer Selimi – drejtor i organizatës joqeveritare “Democracy Lab”, ndërkohë, është optimist për zgjidhjen e 20 përqindshit, por jo edhe për heqjen e vetos bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Madje, për të, duhet të ndodhë ndonjë mrekulli, që Bullgaria ta heqë veton për vijimin e procesit eurointegrues të vendit. Sipas tij, duhet pasur parasysh se gjatë gjithë procesit negociues, Bullgaria në çdo moment si anëtare e plotëfuqishme e BE-së mund ta bllokojë Maqedoninë në rrugëtimin e saj në BE.

“Ekziston dhe flitet për një kompromis a zgjidhje franceze, por ende është vetëm në suaza të spekulimeve, sepse ende nuk është dërguar zyrtarisht as në Parlamentin bullgar ku duhet të marrë miratimin fillestar. Në pikëpamjen time, gjithsesi që një zgjidhje kompromisi dhe një heqje e vetos është në margjinat e një mrekullie. Pra nëse ndodh, duhet të kalojë në një mrekulli në pozicionin politike në të cilën gjendet Bullgaria në këtë moment. Me një Qeveri ku një nga arsyet kryesore e rrënimit të paktën në mënyrë proklamative ka qenë edhe çështja e insistimit të kryeministrit Petkov për ta hequr veton bullgare për Maqedoninë, edhe reagimet e para janë mjaftë skeptike nga një pjesë e politikanëve populist dhe kanë nuanca nacionaliste në politik-bërjen e tyre, prandaj do të jetë shumë e vështirë. Gjithsesi se situata gjeopolitike e ka rikthyer fokusin primar, jo vetëm për nga reformat dhe nga arritjet që duhet t’i kenë vendet kandidate, por edhe si çështje e sigurisë dhe interesit gjeostrategjik. ashtu siç ka qenë momenti kur janë pranuar Bullgaria dhe Rumania në BE. Nuk ka luajtur rol reformat, nuk ka qenë primare nëse i kanë plotësuar kushtet ose jo, ka qenë momenti gjeopolitik dhe poashtu ndikimi rus në rajon që e bëri BE-në ta përshpejtojëprocesin e integrimit të Bullgarisë në BE.”, konsideron Selimi.

Sefer Selimi

Për çështjen e hapjes së Kushtetutës, ai nënvizon mund të zgjidhet edhe 20 përqindshi, duke marrë parasyshë se edhe kryetari i opozitës Hristijan Mickoski në disa qëndrime publike ka deklaruar që përkrah edhe ish-kryeministri Zaev e ka thënë një gjë të tillë, por që konsideron se edhe kryeministri aktual nuk do të ketë diçka kundër.

“Kur Kushtetuta hapet për t’i përmbyllur disa çështje që kanë të bëjnë me drejtat e qytetarëve dhe mendoj se është shumë e logjikshme që të mbyllet edhe kjo çështje, e cila, në radhë të parë shkakton shpeshherë probleme në diskursin politik dhe në marrëdhëniet në mes dy etnive më të mëdha dhe shpesh herë mund të shfrytëzohet për keqpërdorime si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Prandaj mbyllja e kësaj çështjeje do të ishte edhe logjike edhe e mirëpritur për të gjithë shtetin”, thotë Selimi.

Kujtojmë se hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohet nga Bullgaria. Dy vendet raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button