MPJ bullgare arsyetohet: Pa qëndrimin e qeverisë dhe parlamentit nuk mund të formulojmë një qëndrim zyrtar për propozimin francez

Nga MPJ Bullgare thonë se nuk kishte asnjë mundësi objektive që kriteret afatshkurtra të përcaktuara në pozicionin kornizë të përmbusheshin deri në fund të presidencës franceze (30 qershor), transmeton Portalb.mk.

Ministria e Jashtme bullgare pasditen e sotme deklaroi qëndrimin e saj për propozimin francez për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut dhe konkluzionet e Këshillit të BE-së.

Ministria e Punëve të Jashtme, e udhëhequr nga ministrja në dorëheqje Teodora Gencovska, kërkon nga Komisioni për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Bullgarisë që të caktojë seancë për shqyrtimin e draft dokumenteve nga Franca. Gjithashtu thuhet se pa qëndrimin e tyre dhe të qeverisë bullgare, ata kanë mandat vetëm t’u përmbahen qëndrimeve të vendosura më parë bullgare.

“Do të ishte e përshtatshme që Komisioni të thërriste menjëherë një seancë me pjesëmarrjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme, për të diskutuar të gjitha dokumentet në dispozicion, për të formuluar një qëndrim të konsoliduar bullgar dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm të diplomacisë bullgare. Do të ishte optimale sikur qeveria të kishte shprehur tashmë qëndrimin e saj për këtë çështje të rëndësishme për vendin. Nëse kjo nuk ndodh, Ministria e Jashtme ka mandat vetëm t’i përmbahet Qëndrimit Kornizë, Deklaratës së Asamblesë Kombëtare të vitit 2019 dhe konkluzioneve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të vitit 2022, me të cilat draft-korniza negociuese e propozuar nuk përputhet plotësisht”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme bullgare.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se në këtë fazë nuk ka mundësi objektive për përmbushjen e kritereve afatshkurtra për pozicionin kornizë të qeverisë bullgare deri në fund të presidencës franceze.

“Është e mundur që deri në fund (të presidencës franceze) të ketë qartësi për hapat e ardhshëm në procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut me të gjitha garancitë e nevojshme për interesat bullgare dhe të drejtat e bullgarëve në shtetin fqinj”, shkruan në deklaratë.

Kujtojmë se hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohet nga Bullgaria. Dy vendet raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button