Mariçiq: Është mirë që Franca të marrë pjesë dhe të bëjë një iniciativë që mund të na ndihmojë në negociatat me Bullgarinë

Zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështjet Evropiane, Bojan Mariçiq, në emisionin “Click Plus” tha se ka vëmendje dhe interesim nga Franca si kryesuese, por edhe dëshirë që në këtë moment të ndjeshëm të jepet një shans dhe të ndihmojë në këtë proces të bisedimeve me Bullgarinë, transmeton Portalb.mk.

“Vërehet prezenca e shtuar franceze në rajon dhe në vendin tonë në periudhën e fundit. Kjo është mirë për ne, mendoj se është mirë që Franca të angazhohet, që vëmendja e saj të përqendrohet në Ballkanin Perëndimor, më saktë në rastin tonë. Kjo do të thotë që të gjithë faktorëve politikë këtu dhe në Bullgari duhet t’u bëhet e qartë se fillimi i negociatave tona është interes strategjik, jo vetëm për ne, por edhe për BE-në dhe veçanërisht në kontekstin e luftës në Ukrainë, në mënyrë që të mos ketë rrezik të destabilizimit të mëtejshëm dhe rrezikimit të pozitës së BE-së në rajon. Por nëse ka fuqi do ta shohim në fund”, tha Mariçiq në “Click Plus”.

Zëvendëskryeministri theksoi se të gjitha propozimet që kanë qenë në tavolinë deri më tani, duke filluar me Presidencën gjermane, janë shfrytëzuar gjatë bisedimeve ashtu siç janë propozuar, me disa modifikime dhe theksoi propozimin portugez si të pranueshëm dhe diçka që konsiderohet zgjidhje fer.

“Jemi në një pozicion parimor që gjithçka që do të bihet dakord dhe gjithçka që do të vendoset në dokument që është rënë dakord, nuk kemi problem ta zbatojmë si detyrim dypalësh. Megjithatë, kur diçka kërkohet për të hyrë në kuadrin e negociatave, kjo tashmë është çështje e të gjitha shteteve anëtare. Ndërsa këtu kemi shtete anëtare që nuk pajtohen me këtë, ndërsa as edhe ne nuk do të dëshironim që procesi ynë i integrimit evropian të kthehet në një proces vetëm për të diskutuar një çështje dypalëshe me Bullgarinë”, tha Mariçiq.

Lidhur me Iniciativën “Ballkani i Hapur”, zëvendëskryeministri Mariçiq tha se është nisma e parë që thyen barrierat në rajon, duke u bërë thirrje që të përfshihen edhe vendet tjera që konsideojnë se kanë diçka për të bërë së bashku, pa u ngarkuar me çështje politike dhe një mënyrë praktike për ta bërë jetën më të lehtë për të gjithë qytetarët në rajon.

“Ideja e një Ballkani të hapur është ide e mirë, bashkëpunim i mirë mes vendeve të këtij rajoni që nuk kanë bërë asgjë për një kohë të gjatë për të ulur barrierat, për të lehtësuar lëvizjen, për të lehtësuar biznesin, për të lehtësuar funksionimin e operatorëve ekonomikë dhe mendoj se është iniciativa e parë pas një kohe të gjatë, që vjen sinqerisht nga vendet e Ballkanit Perëndimor, theksoi Mariçiq.

Kujtojmë se hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohet nga Bullgaria. Dy vendet raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito. Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy here veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. Për zgjidhjen e kontesteve të historisë, komisioni maqedonaso – bullgar ka mbajtur takime, po nuk kanë arritur të gjejnë zgjidhje. Palët kanë mosmarrëveshje më së shumti rreth identitetit të figurave historike të Mbretit Samoil dhe Goce Delçevit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button