Ndërprerje e vetos apo bullgarizim deri në pafundësi?

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.  

  • Propozimi konkluzionet dhe për kornizën negociuese franceze për 23 qershor –
    Malinka Ristevska Jordanova

Zakonisht përmbahem nga komentimi i dokumenteve të pakonfirmuara. Megjithatë, në këtë rast bëhet fjalë për propozime të dokumenteve të publikuara (nga 360 gradë) të cilat janë shumë të rëndësishme për Maqedoninë. Janë pjesë të konkluzioneve të propozuara nga Këshilli i BE-së për Çështje të Përgjithshme për Maqedoninë, të cilat duhet të jenë në tryezën e Këshillit për Çështje të Përgjithshme më 23 qershor dhe drafti i ri i kornizës negociuese të paraqitur nga Presidenca franceze.

Konkluzionet e propozuara të Këshillit sigurojnë dy pika hyrëse për zbatim të plotë të kërkesave bullgare: 1. zbatimi i Marrëveshjes dypalëshe për Miqësi dhe Bashkëpunim me Bullgarinë si një nga kushtet themelore në negociata dhe 2. përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë, së bashku me veçimin e të drejtave të pakicave si pjesë e kritereve të Kopenhagës. Për marrëveshjen dypalëshe është paraparë një protokoll i veçantë, i cili dukshëm është ende i paqartë, sepse në disa vende tekstet janë  në kllapa.

Në tekstin e konkluzioneve të propozuara thuhet se “konferenca ndërqeveritare e radhës për hapjen e negociatave” do të mbahet pasi Maqedonia e Veriut t’i përfshijë bullgarët në preambulën e Kushtetutës – obligim të cilin qeveria jonë tashmë e ka ndërmarrë. Prandaj, çdo gëzim për largimin e vetos dhe vënien në dukje të “hapjes përfundimtare të negociatave” duket i tepërt. Hapja e negociatave në rastin tonë padyshim do të jetë një proces që do të zgjasë më shumë.

Të përkujtojmë se Konferenca e Parë Ndërqeveritare (e paraparë për 23 qershor, nëse propozimi kalon) është vetëm një prezantim i Qëndrimit të Përgjithshëm të Këshillit, i cili përbëhet nga një Deklaratë Hyrëse dhe një Kornizë Negociatore.

Në këto tekste ka disa ndryshime të rëndësishme krahasuar me propozimin e mëparshëm nga fundi i presidencës gjermane. Ato kryesisht kanë të bëjnë me: zbatimin e Marrëveshjes për Miqësi dhe Bashkëpunim me Bullgarinë (dhe atë të Prespës), gjuhën maqedonase, të drejtat e “pakicave apo komuniteteve”, si dhe mënyrën e monitorimit.

Kuadri negociator, krahas kritereve të Kopenhagës dhe kritereve të Procesit për Stabilizim Asociim, e ngre kërkesën për zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe për Miqësi me Bullgarinë dhe të protokolleve për zbatimin e saj në një nivel të ri, duke kërkuar “rezultate të dukshme” dhe “zbatim të vullnetit të mirë”.

Ndonëse në tekstin e vjetër të Kornizës Negociatore qëndron se acquis do të përkthehet në maqedonisht, në deklaratën hyrëse BE-ja deklaron se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut synojnë të lëshojnë deklarata të njëanshme për gjuhën maqedonase. Nuk mund të presim që Bullgaria të ndryshojë qëndrimin e saj në lidhje me gjuhën maqedonase, nuk e dimë tekstin e deklaratës sonë, as nuk kemi garanci se këto deklarata nuk do të ndikojnë në trajtimin e mëtejshëm të gjuhës në BE (në të kundërtën, do t’i bashkëngjitet Procesverbalit të Konferencës së Parë Ndërqeveritare). Ndaj, pohimet në stilin “gjuha/identiteti janë mbrojtur” duken naive.

Ndryshimet më të mëdha janë bërë sa i përket të drejtave të pakicave apo komuniteteve. Është prezantuar një plan i veçantë veprimi për mbrojtjen e të drejtave të personave që u përkasin pakicave ose komuniteteve, i cili i shtohet Udhëzimeve për Sundimin e Ligjit (Kapitujt 23 dhe 24). Në këto fusha, në këtë plan, qartë dallohen kërkesat bullgare: mos diskriminimi, lufta kundër gjuhës së urrejtjes, madje edhe fusha e arsimit që nuk i përket formalisht këtyre kapitujve. Me këtë plan kërkohet të ketë “masa efektive, mekanizma raportues dhe përcaktim të institucioneve kompetente” – përsëri kërkesa të njohura bullgare, madje për këtë do të ketë një raport të veçantë nga Komisioni. Nuk ka pasur kurrë një kombinim kaq të çuditshëm të fushave për asnjë vend, thjesht sepse është prerë “sipas masës bullgare”.

Nuk mund të na gëzojë fakti se zbatimi i Marrëveshjes për Miqësi dhe Fqinjësi me Bullgarinë nuk ka hyrë si kapitull më vete, sepse përfshirja e kërkesave bullgare në klasterin Themelet (që ishte kërkesë e ndryshuar bullgare) ka, në mos peshë më të madhe, atëherë të paktën të njëjtën si një kapitull i veçantë. Klasteri Themelet do të hapet i pari dhe do të mbyllet i fundit. Progresi në këtë klaster e përcakton ecurinë e negociatave në përgjithësi. Udhëzimet për hapjen e Klasterit janë Udhërrëfyesi për Sundimin e Ligjit (Kapitujt 23 dhe 24), si dhe administrata publike që autoritetet e Maqedonisë duhet të përgatisin, por pas propozimit francez – dhe Planit të veprimit për pakicat/komunitetet. Këto standarde, me propozimin e Komisionit Evropian, miratohen njëzëri nga Këshilli, i cili, kur vendos nëse ato janë përmbushur, vendos standarde të përkohshme. Nuk mund të mbyllet asnjë kapitull derisa Këshilli i BE-së të konkludon se standardet e përkohshme janë përmbushur.

SA për krahasim: Mali i Zi dhe Serbia si pikë referimi për hapjen e kapitujve të sundimit të ligjit (atëherë nuk kishte klasterë) kishin një plan veprimi – atë për Kapitujt 23 dhe 24. Në propozimin francez për ne ka tre – për sundimin e ligjit, administratën planin e veprimit për pakicat/komunitetet.  Asnjë kapitull nuk mund të mbyllet derisa Këshilli i BE-së të arrijë në përfundimin se standardet e përkohshme janë përmbushur dhe për planin e veprimit për pakicat/komunitetet, ndërsa mund të shtohen standarde të tjerë për kapituj dhe fusha të tjera të grupit Themelet. Mali i Zi kishte gjithsej 82 standarde të përkohshme, Serbia – 91. Ata janë duke negociuar tashmë dhjetë vjet, kurse standardet e përkohshme janë vendosur një vit e gjysmë pas fillimit të negociatave për Malin e Zi (në 2013), si dhe dy vjet e gjysmë pas fillimit për Serbinë (2016). Përveç kësaj, planet në Serbi-Malin e Zi tashmë kanë pësuar disa rishikime, dhe raportet për to janë temë e debateve serioze në të dy shtetet.

Sikurse në rastin me Serbinë dhe Malin e Zi, Komisioni Evropian do t’i raportojë Këshillit të BE-së për përmbushjen e standardeve të përkohshme të sundimit të ligjit çdo gjashtë muaj, vetëm në rastin tonë do të jenë dy udhërrëfyes dhe një plan veprimi. Gjithashtu për Maqedoninë, Komisioni do t’i dorëzojë Këshillit raporte të rregullta për përmbushjen e kushtit për marrëdhënie të mira fqinjësore, gjegjësisht zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes për Bullgarinë, përfshirë protokollet e panjohura deri më tani.

Mbi të gjitha, sipas Metodologjisë së re, do të zbatohet rregulli i kthimit të procesit (revirzibilitetit) – nëse vlerësohet se në ndonjë fushë të caktuar ka regres, hapja e klasterit mund të “kthehet mbrapa”, sipas një procedure të veçantë.

Nëse pranohet propozimi francez, Bullgaria do të ketë bazë ligjore për të bërë vërejtje dhe sugjerime jo vetëm për udhërrëfyesit, por edhe për Planin e Veprimit të bashkangjitur për pakicat/komunitetet, kurse natyrisht edhe për standardet e përkohshme. Do të ketë shumë mundësi për veto. Nuk është e vështirë të supozohet se në tavolinë mund të vihet gjithçka – duhet vetëm të shikohen deklaratat e zyrtarëve bullgarë, të qeverive të ndryshme në periudhën e kaluar, dhe mund t’i presim “risitë” e tyre në të ardhmen. E njëjta gjë vlen edhe për kontributin e mundshëm të Bullgarisë në diskutimin e raporteve që do të dorëzohen nga Komisioni dhe në formësimin e konkluzioneve të Këshillit të BE-së për to.

Prandaj, është e vështirë të flitet për “mbyllje” të çështjeve me Bullgarinë. Përkundrazi, ne marrim detyrime të reja, pakrahasueshme më të mëdha dhe të ndryshme nga vendet e tjera aderuese, jashtë acquis së BE-së. Cili do të jetë ndikimi në planin e brendshëm është çështje e veçantë që duhet të shtjellohet veçmas. Megjithatë, duke ditur se çfarë ndarjesh, në të gjitha linjat, shkaktuan Marrëveshja e Prespës dhe më pas kërkesat e Bullgarisë, mund të supozojmë se cili do të jetë ndikimi kur këto çështje si pjesa më e rëndësishme e agjendës së anëtarësimit në BE të ngrihen vazhdimisht si prioritet në shoqërinë maqedonase në dekadën e ardhshme ose dekadat në vijim.

Në fund të presidencës së saj gjashtëmujore të BE-së, Franca do të jetë në gjendje të mburret se i ka dhënë Ukrainës kandidaturën e saj dhe se nuk e ka harruar Ballkanin Perëndimor, por se ka bërë përparim vendimtar hequr veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Bullgaria, nëse pajtohet me propozimin, do të dëshmojë se është bashkëpunuese dhe do të ofrojë bazë ligjore për përfshirjen e kërkesave të saj ndaj Maqedonisë në çdo rast të ardhshëm në Këshillin e BE-së.

Do të na duhet të përballemi me pasojat e vendimeve të paligjshme dhe jo transparente të qeverisë sonë, përfshirë edhe lëshimet e bëra deri tani, të cilat e bënë të mundur këtë propozim francez.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button