ASH-BESA: Nëse hapet Kushtetuta për bullgarët, të ndryshohet dhe formulimi nënçmues për gjuhën shqipe

Partitë opozitare shqiptare në RMV, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA, përkrahin zhbllokimin sa më shpejtë të zhbllokohet procesi fillimit të bisedimeve me Bashkimin Evropian dhe nëse hapet Kushtetuta të hapet edhe çështja e formulimit të gjuhës shqipe, e cila në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut është e shkruar si “gjuha që e flasin mbi 20% e popullatës dhe që është e ndryshme nga maqedonishtja”, njofton Portalb.mk.

Elmi Aziri

Në lidhje me propozimin francez për zhbllokimin e bisedimeve, nga ASH thonë se nuk duan të komentojnë derisa ta shohin në formë zyrtare, ndërkaq Lëvizja BESA thotë se përkrah zhbllokimin e negociatave.

“Aleanca për Shqiptarët mban qëndrim se duhet t’i bëjmë gjitha gjërat e nevojshme që të kthehet shpresa e humbur e qytetareve drejt anëtarësimit në BE! Propozimin francez nuk e kemi parë në forme zyrtare dhe si të tillë nuk duam të komentojmë liferimet mediatike! E rëndësishme për këtë fazë është debllokimi, çështjet e hapura duhet të jenë pjesë e debatit në vazhdim! Aleanca për Shqiptaret përmes kryetarit Ziadin Sela para 6 viteve ka pohuar se bullgarët duhet të përfshihen në Kushtetutën e vendit! Kushtetuta e vendit duhet të jetë gjithëpërfshirëse e jo përjashtuese, dokument afirmativ e jo restriktiv ne funksion të lehtësimit të jetës së qytetarëve e jo kufizimeve!”, thotë për Portalb.mk Elmi Aziri nga Aleanca për Shqiptarët.

Abdush Demiri
Abdush Demiri

“Lëvizja Besa përkrahë çdo zgjidhje që hap rrugën e integrimit të vendit në BE”, tha për Portalb.mk, Abdush Demiri nga Lëvizja BESA.

Të dy partitë theksojnë se nëse hapet Kushtetuta, për t’i futur pakicat bullgare, atëherë ata do të insistojnë që të ndryshohet edhe formulimi për gjuhën shqipe.

“ASH do të bëjë atë që e kemi bërë edhe në të kaluarën rreth kësaj çështje, do të insistojmë që te hiqet ky definicion nënçmues! Për këtë çështje presim përkrahje edhe te subjekteve tjera politike në Kuvend!”, thekson Aziri.

“Nëse kjo zgjidhje nënkuptohet hapje të kushtetutës atëherë vlerësojmë se duhet të shfrytëzojmë rastin për avancimin e të drejtave te shqiptarëve. Ne rastin konkret Besa do te kërkoj që të hiqet formulimi nënçmues i 20% dhe zëvendësimi me termin shqiptar”, thotë Demiri.

Portalb.mk, kërkoi qëndrim edhe nga BDI, megjithatë ata nuk kthyen përgjigje në porositë tona.

Ministri i Jashtëm, i cili vjen nga BDI, Bujar Osmani sot ka deklaruar se ende nuk e ka pranuar zyrtarisht propozimin e presidencës franceze për zhbllokimin e integrimeve evropiane të Maqedonisë dhe derisa të miratohet nga vendet anëtare të BE-së, përfshirë edhe Bullgarinë, nuk është në interesin tonë të deklarojmë qëndrimet tona.

“Ajo që po ndodh është se dje ka një propozim nga Presidenca për vendet anëtare, përfshirë Republikën e Bullgarisë, që të shprehen për disa ide që presidenca franceze beson se mund të jenë bazë për vazhdimin e procesit. Nuk mendoj se është në interesin tonë që të shprehim qëndrimin tonë për propozime të tilla derisa të dëgjojmë qëndrimet e shteteve anëtare”, tha Osmani, duke shtuar se nëse unifikohet dhe Bullgaria e thotë qëndrimin e saj, atëherë edhe ne do t’i tregojmë qëndrimet tona.

Ndryshe, propozimi i udhëheqësisë franceze me BE-në për tejkalimin e vetos bullgare për fillimin e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE ka arritur në Komisionin për Çështje të Jashtme të Kuvendit të Bullgarisë dhe dje është diskutuar për atë në Grupin Parlamentar për Miqësi me Francën, informoi Radio Nacionale Bullgare, duke u thirrur në burime nga Kuvendit

Në thelb, një pjesë e madhe e propozimit francez ka të bëjë me mbrojtjen e pakicës bullgare në vend dhe në zbatimin e Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Në dokumentin që është dërguar nga udhëheqësia franceze deri te kryetarja e Komisionit për Çështje të Jashtme të Kuvendit të Bullgarisë, Vencisllava, thuhet se “bisedimet e anëtarësimit parashohin kujdes special  ndaj mbrojtjes dhe marrëdhënies jodiskriminuese ndaj qytetarëve nga grupet e pakicave në Maqedoninë e Veriut”. Që të garantohet ajo, avancimi për këtë çështje do të ndiqet me kujdes nga Komisioni Evropian, i cili do të përgatis raporte deri te Këshilli.

Me këtë propozim, për të cilin Sofja duhet të deklarohet këto ditë, mbetet aktiv edhe kontesti për gjuhën maqedonase, që Bullgaria e hapi, sepse në propozim parashihet që të dy vendet me deklarata të njëanshme t’i drejtohen BE-së me shpjegime për gjuhën.

Njëkohësisht, Franca propozon një zgjidhje unike për organizimin e dy Konferencave Ndërqeveritare. E para më 23 qershor në Bruksel, të cilën e prezanton si “politike”, dhe e dyta në të ardhmen, kur Maqedonia e Veriut të përfundojë me ndryshimet kushtetuese.

Propozimin francez e ka publikuar mediumi “360 Gradë” dhe mund ta lexoni: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button