Mësime nga Estonia: nga shtet i varfër post-komunist në parajsë digjitale (FOTO)
Estonia është shteti që dëshmon se digjitalizimi përmirëson kualitetin e jetës së qytetarëve. Mijëra shërbime, kryesisht administrative, estonezët i kryejnë me disa klikime nga shtëpia ndërsa pritja në radhë nëpër sportele është shndërruar në një histori të largët. Ky vend baltik me 1.3 milionë banorë, në 25 vitet e fundit e ka këmbyer identitetin e tyre post-sovjetik me atë të inovacionit teknologjik dhe demokracisë digjitale. Përpos përfitimeve të shumta, digjitalizimi i kursen vendit 2% të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) në harxhime dhe paga, gjë që përputhet me sasinë e parave që Estonia duhet të shpenzojë në sektorin e mbrojtjes për të plotësuar kriterin e NATO-s. Këtë të dhënë estonezët e tregojnë me krenari dhe të qeshur thonë se falë inovacionit tani “sigurinë e vendit e kanë falas”, shkruan Portalb.mk. Përpos parave, banorët e këtij vendi kursejnë kohën dhe nervat përmes e-qeverisjes.
Për të parë së afërmi sesi funksionon sistemi ku një popull është i lidhur digjitalisht me aq mençuri dhe efikasitet, Fondacioni Metamorfozis përmes projektit “Rritja e pjesëmarrjes qytetare në Agjendën digjitale – ICEDA” i mbështetur nga Bashkimi Evropian, në bashkëpunim me organizatën e-Governance Academy (eGA) – Akademia për e-Qeverisje organizoi vizitë studimore në kryeqytetin e Estonisë, Tallin. Në të morën pjesë 23 përfaqësues të institucioneve të qeverive si dhe sektorit civil nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Kosova dhe Mali i Zi të cilët janë të kyçur në promovimin dhe implementimin e Agjendës Digjitale në shtetet e tyre. Gjatë vizitës, ata u takuan me përfaqësues të eGA, qeverisë së Estonisë, përfaqësues të pushtetit lokal dhe organizata të tjera nga Estonia.
“Qëllimi i projektit ICEDA është të fuqizojë qytetarët të angazhohen me kompetencë në transformimin digjital të shoqërive në Ballkanin Perëndimor. Të gjithë, duke filluar nga qytetarët e deri te vendimmarrësit dhe politikbërësit duhet jo vetëm t’i kuptojnë, por edhe t’i ndjejnë përfitimet e këtij procesi. Gjatë hartimit të projektit, ishte e qartë se Estonia është destinacioni më i përshtatshëm për të parë dhe ndjerë këto përfitime, së pari sepse shumica e shteteve të Ballkanit janë të ngjashme për nga madhësia me Estoninë dhe pastaj gjithashtu ndajmë një të kaluar të ngjashme, pasi jemi shtete të lindura nga një sistem i ngjashëm politik (socialist / komunist) dhe si të tillë kemi trashëguar të njëjtat sfida që ndjekin vendet që kalojnë nga një shoqëri e mbyllur drejt shoqërive demokratike dhe të hapura. Por, për dallim prej nesh, sot Estonia është lider botëror në transformimin digjital, ndërsa Ballkani Perëndimor është shumë prapa në këtë proces.
Më e rëndësishmja, Estonia e ka bërë këtë duke përdorur një qasje që në qendër të procesit të transformimit digjital vendos qytetarin dhe nevojat e tij, që për ne si OJQ është tejet e rëndësishme. Dëshira jonë ishte që vizita studimore jo vetëm të frymëzonte të gjithë pjesëmarrësit, të tregonte qartë se një sukses i tillë është i mundur, por edhe se askush nuk mund të gjejë sebepe për mossuksesin tonë, për shkak të madhësisë së vendeve tona, apo për shkak të madhësisë së popullsisë, apo për shkak të së kaluarës së vështirë politike. Ne donim të tregonim se me një vizion të qartë, bashkëpunim kuptimplotë midis të gjithë sektorëve të shoqërisë, angazhim dhe punë mundemi edhe ne në Ballkanin perëndimor të arrijmë sukses, dhe Estonia është jo vetëm një shembull i shkëlqyer për ta ndjekur, por edhe një partner ndihmës për të gjithë rajonin.” tha drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari.
Baza për të ndërtuar shoqërinë më të digjitalizuar në botë
1.Transformimi demokratik
Që në rini, ish deputetja, ish ministrja dhe ekspertja për e-demokraci, Liia Hanni ka dhënë kontributin e saj në transformimin demokratik të shtetit të Estonisë. Ajo tregoi sesi ky shtet është çliruar nga pushtimi i Bashkimit Sovjetik përmes “Revolucionit të Këngës”. Gjegjësisht, në protestat dhe demonstratat masive kundër regjimit rus, populli i revoltuar ka kënduar pandalë dhe ka organizuar festivale me motive patriotike.
Pas zhvillimeve të tilla, në vitin 1991 Estonia sërish shpalli pavarësinë dhe fillon procesi i ndërtimit të institucioneve demokratike në vend. Hanni thotë se për të arritur këtë nivel të demokracisë që e ka vendi sot, sidomos të e-demokracisë, janë disa faktorë thelbësorë.
“Nevojiteshin reforma radikale që në fillim të viteve të nëntëdhjeta. Një nga to ishte fokusimi në sundimin e së drejtës. Ndërtuam institucione të fuqishme që të kemi demokraci të qëndrueshme. Më pas, vendosëm përdorim të gjerë të teknologjisë informative në sektorin publik dhe në shoqëri. Faktor shtesë ishte dhe anëtarësimi ynë në Bashkimin Evropian si dhe në NATO.” tha ajo në një intervistë për Portalb.mk.
Sipas saj, përpos institucioneve të fuqishme, është e nevojshme që ata të jenë transparente në punën e tyre.
“Gjithashtu, duhet të kuptojmë se fuqia është te njerëzit, nëse ata kërkojnë transparencë nga vendimmarrësit atëherë nuk do të vuajnë nga vendimet e gabuara të tyre.” deklaroi Hani.
Kërkimi i llogaridhënies, transparencës dhe aktivizmi në përgjithësi janë pjesë e punës së organizatave civile, prandaj ato duhet mbështetur.
“Përfshirja e aktivistëve lokal dhe organizatave të shoqërisë civile në vendimmarrjen e vendit si dhe mbështetja e tyre, kjo pra është baza e demokracisë. Kjo dhe u jep kurajë dhe i nxit njerëzit të interesohen dhe të jenë më aktiv për të ndryshuar situatën e tyre.” u shpreh Liia Hanni, e cila tani është e angazhuar si eksperte në eGA.
2.Ndërtimi i besimit mes institucioneve dhe popullatës
Transparenca e institucioneve shpie në ndërtimin e besimit mes tyre dhe qytetarëve ndërsa fjala besimi i ndërsjellë u përmend në çdo prezantim të përfaqësuesve estonez. Shkurt thënë, fakti që estonezët u besojnë institucioneve me të dhënat e tyre dhe që institucionet e dëshmojnë këtë kur punët e përditshme kryhen shpejtë dhe sigurt nëpër kanalet digjitale, është një nga themelet e suksesit të e-shoqërisë estoneze.
“Në vendin tonë përpos mekanizmave tradicionale për të mbajtur institucionet transparente siç janë: kontrolli nga Parlamenti, sundimi i së drejtës, liria e mediave, dorëzimi i raporteve financiare nga kompanitë dhe deklarimi i rregullt i pasurisë nga zyrtarët, kemi krijuar dhe mekanizma tjerë shtesë. Në to përfshihen: miratimi i Ligjit për Transparencë, kërkesat për qasje të lirë ndaj informatave të kenë përgjigje jo më gjatë se tre javë, secili institucion të ketë regjistër digjital të dokumenteve me të dhëna të detajuara, dhe të tjera” sqaroi Viljar Peep, zëvendësi i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Drejtësisë duke e prezantuar si shembull ueb faqen e Gazetës Zyrtare të Estonisë e cila përmban informata shumë të detajuara për gjitha ligjet e vendit duke i ndërlidhur ato (mes tjerash) me vendimet gjyqësore që bazohen në ato ligje.
Termi “trust by design” ka të bëjë me futjen e sigurisë dhe mbrojtjen e privatësisë në çdo hap të zhvillimit teknologjik. Gjithashtu, ka të bëjë me transparencën me të cilën krijohen shërbimet digjitale në vend, përdoret softuer open-source, me kodim të hapur dhe të qasshëm për të gjithë.
Përpos kësaj, estonezët në çdo kohë mund të kontrollojnë online se kur, nga cili institucion dhe për çfarë përdoren gjitha të dhënat e tyre.
“Nëse qytetarëve ua tregoni procesin sesi është krijuar një shërbim dhe si shkon implementimi, kjo padyshim që rrit besimin e tyre në këtë sistem. Kur kemi probleme, ne flasim hapur për atë se çfarë po ndodh sepse kërkojmë zgjidhje për problemin. Zbulojmë çështjen dhe flasim me të gjithë që atë se çfarë duhet ndërmarrë. Nuk themi që i dimë të gjitha apo të fshehim ndonjë ngecje te natyrës së ndryshme” tha drejtori i Programeve për Tekonologji në eGA, Heiko Vainsalu.
3.Liderë me vizion dhe shërbime me fokus qytetarin
Natyrisht se ata që e kanë udhëhequr vendin dhe që aktualisht janë në krye të vendimmarrjes nuk kanë qenë ekspertë për digjitalizim, por kanë qenë dhe janë të përbashkuar në përmbushjen e Agjendës digjitale që mbetet prioritet kryesor shtetëror.
Pa marrë parasysh se kush është në pushtet qendror apo lokal, përkushtimi dhe vullneti për të çuar vendin para me inovacionet teknologjike mbetet i njëjtë.
Partitë politike nuk e kanë zakon të bllokojnë idetë e mira nëse ato vijnë nga partitë oponente. Zyrtarët nëpër institucione nuk ndryshohen sa herë që ndryshon garnitura politike udhëheqëse në vend. Estonia e ka prioritet ruajtjen e ekspertëve të administratës në vendet e tyre të punës edhe nëse ata nuk i përkasin partisë aktuale në pushtet, dhe kjo padyshim është një nga recetat e suksesit të madh që ka arritur ky vend.
“Liderët e vendit kanë vizion të përbashkët sa i përket transformimit digjital. Personat vendimmarrës e dinë që nga to pritet të kuptojnë se çfarë duhet dhe çfarë nënkupton të digjitalizosh shërbimet, të japin dritë jeshile për eksperimentime dhe të kenë durim për të lejuar ndryshimet e mëdha të ndodhin” u shpreh eksperti Arvo Ott, anëtar i bordit të eGA.
Shërbimet online që krijohen kanë në fokus nevojat e qytetarëve sepse ato, në rend të parë bëhen për tu shërbyer atyre dhe vetëm e vetëm për t’ua përmirësuar jetën tyre.
Kryetari i qytetit Tartu, Jarno Laur, në prezantimin e tij për shërbimet digjitale lokale në këtë qytet, potencoi se për të marrë vendime me të cilët të gjithë do të pajtohen kjo komunë shfrytëzon disa kanale online të komunikimit.
“Kemi dhe gazetën zyrtare që e dërgojmë nëpër shtëpi, por në radhë të parë janë disa kanale në uebfaqen e komunës ky qytetarët propozojnë ide, votojnë dhe diskutojnë për të deri sa të zgjidhet ideja më e mirë. Më pas, i gjithë dokumentacioni i projektit që do të implementohet, si do të duket, sa kushton dhe si shkon i gjithë procesi deri në mbarim, të gjitha këto gjenden online dhe janë të qasshme për secilin” tha ai.
Përmes ueb faqeve komunale banorët e vendit mes tjerash, kanë mundësi të shohin çdo të dhënë për qytetin e tyre, për tokat, ndërtesat, listën e shkollave dhe çerdheve dhe aktiviteteve të tyre, madje dhe vendet se ku do të mbillen drunjtë.
Si funksionin sistemi?
E-Qeverisja e Estonisë mbështetet në disa shtylla: krijimin e ligjeve, kapacitetin e sektorit teknologjik dhe administrativ për të implementuar ligjet dhe vendimet, në shfrytëzimin dhe besimin që kanë qytetarët në këto zgjidhje digjitale, në internet të lirë dhe të qasshëm për të gjithë, në këmbimin e të dhënave mes institucioneve mes mekanizmit X-Road që gjithashtu garanton transfer të sigurt si dhe në kartelën e identitetit digjital që mundëson banorët të vendosin nënshkrimin e tyre digjital. Gjithashtu, në Estoni rëndësi të madhe i vendosin mësimit të aftësive digjitale të banorëve të tyre që nga mosha e hershme.
Identiteti digjital
Duke mbledhur të dhënat e qytetarëve përmes principit “only once” apo “vetëm njëherë” që në praktikë domethënë që qytetarit njëherë i regjistrohen të gjitha të dhënat në sistem dhe ato përdoren për çdo shërbim në të ardhmen, shteti krijon identitetin digjital të banorëve. Që nga lindja, për çdo banor krijohet një numër i përbërë nga disa shifra i cili është unik. Kartelat e identitetit digjital janë nga plastika, në të kanë çip dhe gjurmë biometrike të gishtit të pronarit të kartelës. Ato janë të detyrueshme për çdo banor në vend. Identitetin digjital të estonezëve e ke të qasshëm edhe në telefon dhe në versionin “smart”. Në to krijohet nënshkrimi digjital përmes së cilit mund të kryhen mijëra shërbime online duke u nisur nga shërbimet në bankë, regjistrim në shkolla e universitete, të deklarojnë tatimin, të votojnë, të marrin shërbime mjekësore dhe të tjera.
“Pasi ta vendosi kartelën e identitetit në laptop dhe mbaron procesi i identifikimit, unë mund të aplikoj për të vazhduar lejen time të vozitjes” sqaroi Annela Kiirats, drejtoreshë e Programeve të Trajnimeve për E-qeverisje në eGA.
Ajo më pas e hapi portalin në të cilën gjenden në një vend të gjitha informatat e saj: adresën dhe të dhënat kur dhe ku ka lindur, numrin e telefonit, adresën, emailin, të dhënat për pasurinë e saj të patundshme, listën e pronave, të dhënat për punësimin e saj, vendet ku ka punuar, ku ka kryer çerdhen, shkollën fillore, të mesme, fakultetin dhe masterin. Më pas në këtë portal gjen të dhënat për pagesën e tatimit, për kartelat e parkingut dhe të transportit publik, të dhënat e saj mjekësore dhe recetat nga mjekët, të dhënat për familjen e saj, fëmijët, madje dhe kafshët që ka në përkujdesje.
“Këtu janë të dhënat për veturat e mia, për shkeljet eventuale në trafik, si dhe për sigurimin e veturës. Tani do të aplikoj për vazhdim të lejes. Përmes emailit ne marrim rikujtime se kur na kalon afati i çdo lloj dokumenti.” tha ajo dhe me tre klikime mbaroi me aplikimin e saj, duke qenë në zyrë dhe duke mos shkuar asnjëherë në sportel.
X-Road
Të gjitha këto të dhëna të lartpërmendura të një personi, për shkaqe sigurie nuk ruhen në një portal. Por të dhënat lidhen përmes platformës së qeverisë X-Road, përmes kanaleve të sigurta të enkriptuara (end-to-end). Më thjeshtë sqaruar, të dhënat e mjekut tuaj amë gjenden në sistemin e tij, ashtu edhe të dhënat e bankës dhe të shkollës suaj së mesme, dhe kur personi kyçet në portal për të marrë këto informata ato mblidhen nga burimet ku gjenden dhe krijojnë informacionin e plotë. Sa për ilustrim, informatat udhëtojnë sikur një anije që kalon nëpër një kanal duke përdorur çelësa për të hapur dyert e kanaleve. Në këtë rast bëhet fjalë për rrugë digjitale me çelësa digjital. Procesi i mbledhjes dhe kryqëzimit të këtillë i të dhënave, pra nga shumë institucione dhe etnitete quhet interoperabilitet.
X-Road ka filtër shumë rigoroz, asnjë institucion nuk mund të qaset në të dhënat që nuk ka të drejtë t’i ketë. Arsimtarët e një shkolle kanë qasje në notat e një nxënësi por jo dhe në të dhënat shëndetësore të tij. Dhe sa herë që një institucion përdor të dhënat e një personi, ai mund ta sheh këtë në kohë reale dhe të dijë pse janë përdorur.
“Për sigurinë e të dhënave të qytetarëve jemi shumë rigoroz. Në planifikimin tonë të buxhetit të kaluar dhe në strategjinë për zhvillimin tonë në vitet në vijim, gjithnjë jemi të kujdesshëm të ndajmë mjete të mjaftueshme për të mbrojtur të dhënat” tha Luukas Kristjan Ilves, zyrtari kryesor qeveritar i informimit dhe zëvendës sekretari i përgjithshëm për Zhvillim Digjital në Ministrinë e Ekonomisë.
X-Road, përpos që lidh të dhënat e gjitha institucioneve shtetërore në vend, përmes saj lidhen edhe informatat e bizneseve private. Madje në të lidhen edhe të dhënat nga shtetet e tjera, në këtë rast një estonez që shkon në Finlandë, në barnatore mund të merr barna me recetën digjitale të mjekut amë në Estoni.
Për dy dekada, rreth 1.4 bilionë nënshkrime digjitale që kanë të njëjtën vlerë sikur nënshkrimet në letër, janë përdorur përmes shërbimeve elektronike ndërkaq rreth 1.5 bilionë kërkesa në vit kalojnë përmes platformës X-Road.
Efikasiteti, shpejtësia dhe siguria e shërbimeve online, bën që 70 % të banorëve të Estonisë të përdorin rregullisht kartën e identitetit digjital, konfirmoi Janek Rozov nga Ministria e Punëve të Brendshme e Estonisë.
E-Votimi
Që nga viti 2005, shteti u mundësoi estonezëve të votojnë kudo që të gjenden përmes kartës së identitetit digjital. Që atëherë votimi online është bërë traditë e thuajse gjysmës së popullatës.
“Votimi në mënyrë digjitale është i lehtë dhe i sigurt, vetëm duhet të përdoret karta e identitetit digjital. Është shumë e përshtatshme për ata që jetojnë jashtë vendit por edhe për personat në shtet, mund të votohet një javë, në çdo kohë. Mund të them që ata që votojnë njëherë, nuk kthehen më të votojnë me letër.” tha Priit Vinkel, ekspert për e-qeverisje në eGA.