Zyrtarë të OSBE-së u arrestuan në Ukrainë
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) deklaroi se disa prej anëtarëve të saj të Misionit Special të Monitorimit (SMM) janë arrestuar në Donjeck dhe Luhansk në Ukrainën lindore, transmeton CNN.
Në një deklaratë, OSBE njofton se po punohet për të mundësuar lirimin e tyre.
“OSBE-ja është jashtëzakonisht e shqetësuar që një numër anëtarësh të misionit kombëtar (SMM) janë privuar nga liria në Donjeck dhe Luhansk. OSBE po përdor të gjitha mekanizmat në dispozicion për të mundësuar lirimin e stafit të saj”, thuhet në një deklaratë të postuar në Twitter.
The OSCE is extremely concerned that a number of @OSCE_SMM national mission members have been deprived of their liberty in Donetsk and Luhansk and is using all available channels to facilitate their release.
— OSCE (@OSCE) April 23, 2022
Misioni Special i Monitorimit (SMM) është një divizion civil i paarmatosur i OSBE-së, i cili ka për detyrë të vëzhgojë dhe raportojë mbi zonat e konfliktit.
Misioni u zhvillua në Ukrainë që nga viti 2014 me kërkesë të qeverisë, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe shpërthimit të konfliktit në rajonin e Donbasit.
Më 31 mars, mandati i SMM në Ukrainë skadoi pasi Rusia, e cila është një nga 57 shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, bllokoi zgjatjen e tij.
Misioni Special i Monitorimit ka operuar me një kapacitet administrativ në Ukrainë për të garantuar sigurinë e stafit të saj që nga 1 prilli, por OSBE ka vazhduar të raportojë për shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga forcat ruse.
Ndryshe, sot u bënë dy muaj që kur Rusia filloi invazionin e saj në Ukrainë, apo konkretisht sot është dita e 60-të e luftës. Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës njoftoi se ushtria ruse po përpiqet të rrisë shpejtësinë e operacionit për të siguruar kontroll të plotë mbi rajonet Donetsk dhe Luhansk në lindje të Ukrainës. Nga ana tjetër, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Llody Austin, është planifikuar që sot, të bëjnë vizitën e tyre të parë në Kiev, prej kur Rusia ka nisur luftën e paprovokuar në Ukrainë dy muaj më parë.
LEXO: Dita 60: Zyrtarët e lartë amerikanë pritet të arrijnë sot në Kiev