Mbi vullnetin e mirë

Komesari i lartë për politikë të jashtme dhe siguri i Bashkimit Evropian, Zhozef Borel e vizitoi Shkupin këto ditë dhe gjatë prezantimit të tij para mediumeve dha deklaratën e cila u bë virale. Ai mes tjerash tha që nuk mund t’i premtojë Maqedonisë së Veriut datë të saktë kur do ti fillojë bisedimet për anëtarësim në BE-në, por mund t’i premtojë që në BE ka vullnet të mirë për fillimin e këtyre bisedimeve. Kjo deklaratë ishte objekt i sarkazmit në rrjetet sociale, ku dikush mes tjerash shkroi: “Mblidh katër data dhe fito vullnet”. Kur të mendosh që bëhet fjalë vetëm për një datë të thjeshtë për fillim të negociatave të cilat mund të zgjasin pafundësisht, e megjithatë në vend të datës ne vazhdojmë të fitojmë vetëm vullnet të mirë, është vërtet e çuditshme si arrijmë të qëndrojmë seriozë në këtë proces që duket sikur nuk ka fund.

Në këtë kohë krizë, kur Ukraina u sulmua aq paturpësisht nga Rusia e udhëhequr nga Putini, kur e drejta ndërkombëtare u nëpërkëmb në mes të Evropës si rrallë herë, Bashkimi Evropian, që në fillim dukej shumë i konsoliduar dhe i bashkuar për ti bërë ballë këtij bulizmi të paparë, po rikthehet ngadalë në zonën e komforit ku përfshihet edhe tema e pasigurisë rreth zgjerimit të mëtejshëm të këtij unioni. Nga Tirana sërish Zhozef Borel deklaroi se marrëdhëniet e BE-së me Rusinë nuk do të jenë si kanë qenë më parë dhe se ky është moment kyç në zgjerimin e unionit. Është vërtet vështirë të kuptohet kahja e zhvillimit të strategjisë Evropiane për zgjerim, kur në njërën anë theksohet se ky është momenti kyç për zgjerim, por në anën tjetër, një vendi si Maqedonia e Veriut që bëri shumë për të pasur progres të ideve provropiane gjatë viteve të fundit, i premtohet mbi të gjitha vetëm vullnet i mirë pa asnjë rezultat konkret.

Të mos harrojmë që edhe për Ukrainën kishte vullnet të mirë që një ditë të integrohet në NATO dhe në BE e megjithatë, ja ku është tani Ukraina, jashtë këtyre strukturave dhe duke u përballur me një tiran që po e shkatërron pëllëmbë për pëllëmbe gjithë territorin e saj e megjithatë edhe më tej deklaron se nuk e ka sulmuar vendin që po e rrënon.

Është një aforizëm që thotë se “Rruga për në ferr është shtruar me qëllime të mira”. Pra, të nderuar përfaqësuese të Bashkimit Evropian, vullneti i mirë nuk mjafton për të siguruar paqen dhe mirëqenien në Evropë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button