Lufta ruso-ukrainase dhe kuajt e trojeve shqiptare

Pas muajve të tërë të qëndrimit përreth kufijve të Ukrainës ushtria ruse e sulmoi atë nga të katër anët – nga toka, qielli e deti. Është ky hapi të cilin shtetet perëndimore e paralajmëruan prej kohësh, kurse Rusia e mohoi, duke e prezantuar grumbullimin e armatimit dhe ushtarëve përreth Ukrainës si një manovër të zakonshme të bërë bashkë me aleaten e saj besnike, Bellorusinë.

Putini e mashtroi botën edhe ditën kur e nënshkroi dekretin për njohjen e pavarësisë së dy krahinëva separatiste ukrainase, Donetsk dhe Luhansk, duke ushqyer shpresën e botës se me kaq do të përfundojë invazionin. Por, tash e nëntë ditë, ai kryen sulme të fuqishme artilerike duke mos e bërë dallimin ndërmjet infrastrukturës së armatës ukrainase dhe spitaleve, shkollave e objekteve të banimit në qytetet e mëdha si Kievi, Odesa…

Këtë fashizëm të nxitur nga një mendje skizofrenike bota e ndoqi fillimisht e nemitur nga frika e një lufte eventuale bërthamore që mund ta zhdukë jetën në planetit tokë. Por në momentin kur Putini vuri në gatishmëri të lartë armët bërthamore, ajo (bota) u zgjua, e ndëshkoi agresorin me saknsione të rrepta, nisi ta furnizojë ushtrinë ukrainase  me armë moderne mbrojtëse dhe t’ia thejë dhëmbët një nga një, në rradhë të parë falë heroizmit të pashoq që tregojnë vetë ukrainasit e gatshëm të vdesin për lirinë dhe atdheun e tyre.

Kjo rezistencë e fortë dhe e papritur jo vetëm nga rusët, ka ndalur përparimin e ushtrisë ruse dhe e ka dëmtuar atë duke ia ashkatërruar armatimet e rënda dhe duke i vrarë e zënë robër mijëra ushtarë të shashtrisur, që pandehën se ukrainasit do t’i presin me lule. Sidoqoftë, betejat serioze posa kanë filluar dhe ka shumë gjasa që lufta të përhapet papritur edhe në vendet tjera evropiane, sepse diktatori rus ashiqare është budallepsur fare dhe sepse një tërhjekje me turp nga fronti i luftës që e nxiti vetë do të shënonte fundin e karierës së tij politike.

Dhe, sado që shtetet tjera evropiane janë bërë një me SHBA-në në dhënien fund të kësaj tragjedie që, sa çel e mbyll sytë bëri refugjatë lufte miliona njerëz të pafajshëm, gjithsecili gjen kohë për t’u kujdesur edhe për vetveten. Ata pastrojnë armët ekzistuese, blejnë me të madhe armë mbrojtëse prej më të fortëve, sigurojnë ushqimet më të domosdoshme për një periudhë të pacaktuar kohore, sepse, siç dihet, Rusia dhe Ukraina janë eksportuesit e gati 30% të drithërave të botës.

Ata e dinë se gjëja e parë që t’i ndodhë njerëzimit pas përshkallëzimit eventual të konfliktit, do të jetë mungesa e ushqimeve dhe karburanteve, prandaj janë syçelë. Kështu veprojnë të gjithë, hiq ca shtete si Shqiptaria jonë që nuk mërzitet dhe mbrojtjen e atdheut e lë në duart e të tjerëve. Të shpresojmë se kjo është pasojë e shqetësimit të pësuar për shkak të përfundimit të edicionit të Big Brother dhe pamundësisë për të vëzhguar gjithë natën e lume, kush  me kë do të puthet, kush kë do ta tradhëtojë, kush me kë do asojshe e hajt bir.

Për habinë  e habive të Zotit, posa u zbut pak shqetësimi i lartëpërmendur dhe nisi emetimi i debateve më serioze për pasojat e mundshme që mund të ketë edhe në viset tona nga konflikti ruso-ukrainas, dolën në shesh mediet dhe gazetarucët serbofilë, të cilët nga 100 herë në ditë e përsërisin lajmin: “OKB votoi rezolutën për nderprerjen e sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, kurse Serbia votoi PRO”.

Kaq iu desh për të futur brenda kllapave faktin se Serbia e Vuçiqit është aleatje e vetme serioze e Putinit në kontinentin evropian, se ajo deklaron pro forma se është edhe me vëllain rus edhe me ukrainasit, por nuk përkrah në asnjë mënyrë sanksionet kundër agresorit, sepse është kryekëput proputiniste, sepse, për momentin ka drojë nga humbja e Putinit se ndryshe nuk do ta ulte bishtin, po do t’ua mësynte tokave shqiptare me plot kuaj troje.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button