244 persona kanë marrë rrogë nga Komuna e Tetovës, por nuk kanë shkuar në punë, alarmojnë nga VMRO-DPMNE

Opozita ka alarmuar që 244 qytetarë kanë marrë rroga në Komunën e Tetovës por nuk kanë shkuar në punë, në periudhën kur kjo komunë është udhëhequr nga koalicioni BDI-LSDM, transmeton Portalb.mk.

“Koalicioni i krimit BDI-LSDM e kanë dëmtuar Komunën e Tetovës me 7 milionë. Aq është vlera për shkak se nuk kanë shkuar në punë 244 persona, të cilët merrnin rroga nga buxheti i komunës, edhe pse nuk kanë punuar asgjë”, deklarojnë nga VMRO-DPMNE.

Ata vlerësojnë se përgjegjësi duhet të kenë personat që nuk kanë shkuar në punë, por fillimisht Teuta Arifi.

“7 milionë në vend për përmirësimin e higjienës në qytet, instalime të reja për ujësjellësin dhe kanalizimin, kanë përfunduar te njerëzit e listës së Teuta Arifit, BDI-së dhe LSDM-së”, vlerësojnë nga opozita, duke theksuar që ky është shembulli si funksionon koalicioni BDI-LSDM.

Ndryshe, Komuna e Tetovës gjatë javës publikoi listën e personave të punësuar në komunë përmes kontratës në vepër shifra e të cilave ishte 812, por komuna për këtë nuk e bëri ndarjen se sa prej këtyre personave kanë qenë në punë dhe kanë dorëzuar raport dhe sa kanë marrë para nga taksat e qytetarëve tetovar. Kjo çështje u bë mollë sherri në mes ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshit dhe Komunës së Tetovës, të cilët hodhën akuza ndaj njëri tjetrit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button