Komuna e Tetovës ende nuk ka informacion sa i kushtuan buxhetit të komunës 812 kontratat në vepër

Komuna e Tetovës dje në ueb-faqen e saj publikoi listën me të gjitha kontratat në vepër gjatë vitit 2021, që janë 812 kontrata. Të pyetur nga Portalb.mk se sa është shuma totale nga Komuna që u është dhënë personave nga këto kontrata, ata thonë se ende nuk kanë bërë përllogaritjen e saktë nga sektori i Financave, dhe do të njoftojnë në kohë kur ta kenë si informatë, shkruan Portalb.mk.

Në njoftimin e djeshëm Komuna njoftoi se do të jenë transparent me publikimin e kontratave do të vazhdojë për çdo muaj, por të pyetur për atë se sa punësime të reja janë bërë që nga ardhja e Bilall Kasamit në krye të Komunës dhe pse deri tani nuk janë publikuar, nga atje u përgjigjën kështu:

“Zotimi jonë edhe gjatë fushatës zgjedhore ka qenë transparenca. Në komunikatën e djeshme potencuam të njëjtën gjë. Punësime të rregullta nuk kemi bërë ende, një konkurs i hapur është ende ne proces, kurse kontrata në vepër është numër që lëviz nga muaji në muaj. Normalisht që do të publikohen të gjitha bashkë me emrat, kur të ketë përfunduar gjithë procesi për muajin e kaluar”.

Komuna deri më tani nuk e ka të gatshme dhe të kompletuar listën me raportet se sa nga këta persona të punësuar me kontratë në vepër kanë shkuar në punë dhe nuk kanë marrë para pa mos punuar, nga atje thonë se kjo listë po procesohet dhe kontrollohen raportet.

Ndërkaq për atë se a do u vazhdohen kontratat personave që kanë shkuar rregullisht në punë por kanë qenë me kontratë  në vepër, nga Komuna thanë se “personat që kanë qenë të angazhuar dhe që vazhdojnë të punojnë konform marrëveshjeve të lidhura edhe në vazhdimësi u janë vazhduar kontratat dhe vazhdojnë punën e tyre”.

Ndryshe, sipas komunës personat që kanë sjellë raport për punën e kryer, në përputhje me marrëveshjet, do t’u paguhen të gjitha mjetet financiare të ngelura si rezultat i inspektimit të kësaj shkelje ligjore nga strukturat e pushtetit lokal nga qeverisja e kaluar. Kurse atyre që nuk kanë dërguar raport për punën e kryer do t’u dërgohet njoftimi për kthimin e mjeteve të marra nga kontratat e tyre në buxhetin e Komunës së Tetovës. Në të kundërtën do të parashtrohet padi penale në organet e drejtësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button