MBI BOTËN E ÇARTUR DHE MARRËZITË SHQIPTARE

Ashiqare bota po çartet ashtu siç nuk e mbajnë mend të lindurit pas Luftës së Dytë Botërore. Një dreq i madh ka hyrë në barkun e njerëzimit. Shtete të tëra po militarizohen, po vënë gjithçka në shërbim të pajisjes me armët më të sofistikuara sulmuese, po përgatiten për luftëra pushtuese, me arsyetimin se e bëjnë këtë për mbrojtje nga kanosjet e të tjerëve. Në ankth të veçantë janë shkretishtet e vogla që s’kanë takat të mbrojnë veten pa qenë vasalë të balenave të mëdha. Shtetthet në fjalë drejtohen zakonisht nga parësi të korruptuara, që i shndërrojnë popujt në rajë dhe i detyrojnë të marrin frymë, të qeshin e të qajnë në ritmin që u shkon për hoshafi. Ata janë satrapë ndaj të vetëve, po e çojnë mirë me të fortit dhe s’bëjnë asgjë pa lejen e tyre. Ata gjithë pisllëqet i arsyetojnë me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë. Madje edhe dhurimet e copëzave të Atdheut, shitjen me çmime qesharake të aseteve kombëtare, varfërimin dhe zbehjen e shpresës së njerëzve për një jetë më të dinjitetshme, që ka shkaktuar ekzodin më të paparë të të rinjëve nga trojet e të parëve. Me këso politikash ata sigurojnë garancën e jetës plot luks në kohë paqe dhe mbrojtjen e çifliqeve të vjedhura në kohë krizash, si kjo e sotmja, kur seriozisht është rritur rreziku i luftërave apokaliptike për shkak të manisë së hegjemonëve të pangijshëm për ta vënë njerëzimin nën thundrat e tyre.

Kërcënimet e këtilla kanë rritur shqetësimin e botës demokratike të gjendur para ultimatumeve të fuqive piromane si Rusia e Kina, të cilat ndërtimin e rendit të ri botëror duan ta nisin me pushtimin e Ukrainës dhe Tajvanit. Po kaq të rrezikshëm për paqen globale janë dhe jatakët ruso-kinezë si Serbia e Vuçiqit, e cila për të justifikuar pretendimet territoriale ndaj të tjerëve, ka rivënë në lojë propagandën e mirënjohur të Kasapit të Ballkanit për gjoja rrezikun që i kanoset popullit “të përvuajtur” serb, në Kosovë, Bosnjë, Mal të Zi dhe Kroaci.

Për çudinë e çudirave, lojën më të pabesueshme për sendërtimin e Botës Serbe, Vuçiqi e bën me miqtë besnikë shqiptarë, të cilët, në vend se ta akuzojë para botës si nxitës konfliktesh të reja gjenocidiste, ia sigurojnë karrigen e nderit në përrallën për Ballkanin e Hapur, pjesë e së cilës nuk është dhe nuk mund të jetë gjysma e shqiptarëve, për aq kohë sa pobratini serb i z. Rama vazhdon të mohojë pa brerje ndërgjegje dhunën dhe krimet monstruoze të bëra në Kosovë, për shkak të të cilave u fut në luftë me Serbinë gjithë bota perëndimore.

Për ta kuptuar mirëfilli marrëzinë shqiptare që e tebdilos kryeministrin serb në burrështetas të përgjëruar për paqen dhe mirëqenien e Ballkanit, mjafton të ndiqni deklaratat e ditëpërditshme luftnxitëse të Vuçiqit, i cili s’e fsheh fare se pret momentin e volitshëm për pushtimin e sërishëm të Republikës së Kosovës, që mund dhe ta realizojë, ashtu siç e kanë realizuar mentorët e tij, sa herë që kemi rënë në grackën e tre gomerëve, të cilëve ua ha kokën ujku, pasi i bën pikepesë me pallavra dashamirëse.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button