Besueshmëria e BE-së në pikëpyetje

Kriza në Ukrainë nuk nxori diçka të re që të habitemi rreth fuqisë së BE-së për tu bërë ose jo aktor global dhe vendimtar në çështjet e sigurisë jo vetëm të Evropës por gjithandej arenës ndërkombëtare. Pasi ShBA-ja po bisedon me Rusinë dhe ka angazhuar mbi 8500 trupa amerikane në gjendje gatishmërie për tu përballë me rusët në Ukrainë, BE-ja vazhdon të mbetet e përçarë. Përveç Britanisë së Madhe vendeve nordike dhe atyre baltike, pjesa tjetër e shteteve anëtare të BE-së, e sheh krizën ruso-ukrainase dhe atë të ShBA-së me Rusinë, si në një territor të huaj dhe të largët e jo në oborrin e saj.

Disa shtete të BE-së haptazi kanë refuzuar që të dërgojnë armatim në frontin lindor. Kroacia bëri të njohur se nuk e ka ndërmend të hyjë në luftë me Rusinë. Ky shtet është anëtare e NATO-s dhe e BE-së dhe si Gjermania, Hungaria, Italia dhe Franca, nuk janë gati për një përplasje me Rusinë. BE shihet se nuk ka kapacitete të zgjidhë as çështje të vogla dhe të mos flasim për mosmarrëveshje që mund të nxisin luftë në shkallë evropiane dhe globale. Pasi ShBA-ja vazhdon të jetë këmbëngulëse me Rusinë dhe po negociohet për të ardhmen e Ukrainës, rreth pikave të sigurisë, Brukselit zyrtarë nuk i kanë mbetur shumë kohë që të tregohet i bashkuar dhe të veprojë me seriozitet. Dihet se nga BE-ja dhe shtetet anëtare që kanë interesa të veçanta me Rusinë, nuk pritet që të kenë pajtueshmëri të plotë me shtetet evropiane që janë kundër Rusisë apo të jenë në një linjë me qëndrimet e ShBA-së.

BE -ja nuk duhet vetëm me kumtesa të qëndrojë bashkë me aleatët, këtë duhet ta bëjë me vepra konkrete duke u mobilizuar si union, që nesër të jetë shembull për shtetet tjera që nuk janë pjesë e kësaj bashkësie. Kriza në Ukrainë tregon se BE-ja nuk është një union që mund të vendosë për çështjet e rëndësishme të sigurisë dhe as për një politikë të jashtme. Këtë e shohim në Kosovë, Bosnjë dhe tani haptazi me Rusinë.

Fundja nga BE-ja e përçarë nuk kërkohet më shumë, shtetet e unionit të flasin me një zë ndaj veprimeve të Rusisë dhe satelitëve të saj. Po kjo vështirë se do të ndodh. Shpresat janë tek veprimet diplomatike të ShBA-së dhe aleatëve që po bëjnë përpjekje për të parandaluar Moskën të pushtojë qoftë një pjesë të territorit të Ukrainës apo në tërësi. Kur jemi tek ShBA-ja, janë ngritur zëra për dhe kundër që të dërgohen forca amerikane në Ukrainë. Forcat konservatore kanë bërë thirrje që ukrainasit vetë të mbrohen nga rusët. Se sa serioze do të jetë i gjithë ky mobilizim apo jo rreth Ukrainës, mbetet të shihet në pranverë. Kurse BE-ja duhet të ndryshojë, për tu vendosur në epiqendër të sigurisë globale dhe natyrisht për tu bërë aktor dominant. Po e njëjta vlen edhe për shtetet kandidate, nëse do të vazhdojnë politikën e jashtme me dy standarde rreth krizës ose do të rreshtohen me forcat demokratike botërore për të penguar një konflikt të ri në tokën evropiane.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button