Bëhet fjalë për shëndetin, shkas: Raporti Vjetor për Shëndetin në BE në vitin 2021

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Po të mos ishte pandemia e shkaktuar nga kovid-19, shëndeti me siguri do të kishte mbetur nën radarin e vëmendjes së publikut evropian dhe atij në vendin tonë. Kujdesi shëndetësor është fushë e kompetencës së përbashkët midis BE-së dhe shteteve të saj anëtare.

Ndërkohë që shtetet anëtare i identifikojnë dhe i ofrojnë shërbimet e tyre shëndetësore dhe kujdesin shëndetësor, Unioni i plotëson politikat e tyre kombëtare për të përmirësuar shëndetin publik, për të parandaluar sëmundjet fizike dhe mendore dhe burimet e rreziqeve shëndetësore. Unioni e bën këtë kryesisht nëpërmjet koordinimit të politikave, por ka gjithashtu edhe autorizime e kompetenca për të nxjerrë ligje për çështje të caktuara.

Çdo vit, Komisioni Evropian, në bashkëpunim me Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe Observatorin Evropian për Sistemet dhe Politikat Shëndetësore, publikon një raport mbi gjendjen e shëndetit në BE. I u fundit u botua në dhjetor të vitit të kaluar. Raporti i mbulon edhe Norvegjinë e Islandën, si shtete anëtare të Zonës Ekonomike Evropiane, por fatkeqësisht jo edhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ashtu siç pritej, e gjithë përmbajtja e Raportit është ndërthurur me pasojat e krizës nga Kovid-19 dhe masat për ta luftuar atë. Rritja e vdekshmërisë për shkak të Kovid-19 i ka përmbysur përfitimet e fituara vite më parë, kështu që jetëgjatësia mesatare u ul nga 81.3 në vitin 2019 në 80.5 vjet, në vitin 2020.

Megjithatë, treguesi i vdekshmërisë, në nivel të BE-së, që nuk vjen nga KOVID është rritur mesatarisht për 12%, që tregon se të gjitha vdekjet e shkaktuara nga KOVID nuk janë raportuar. Pandemia e ka reduktuar qasjen në shërbimet e tjera shëndetësore. Derisa dallimet në relacion me treguesit e përmendur në BE janë të mëdha, një gjë është e sigurt – në të gjithë BE-në pasojat e pandemisë ishin shumë më të rënda për popullsinë në gjendje më të keqe socio-ekonomike.

Kështu, për të ilustruar do të vejmë në pah se, në Belgjikë vdekshmëria që nuk lidhet drejtpërdrejt me KOVID në mesin e një të dhjetës së popullsisë me statusin më të ulët social ishte dyfish më e madhe në krahasim me një të dhjetën e popullsisë me statusin më të lartë social. Në Gjermani, nga ana tjetër, 70% e atyre me arsim të ulët janë përballur me rrezik të formës së rëndë të Kovid-it, në krahasim me 41% të atyre me arsim të lartë. Pasojat për shëndetin mendor janë gjithashtu të dukshme.

Çrregullimet e ankthit dhe depresionit janë rritur për 24% përkatësisht për 23%, duke e goditur veçanërisht popullatën e re. Raporti, natyrisht, e mbështet strategjinë e mbulimit më të madh me vaksinim si një mjetin themelor për të luftuar pandeminë.

Aspekti i dytë vendimtar i Raportit është përdorimi i inovacioneve digjitale në sigurimin e kujdesit shëndetësor edhe në shëndetin publik. Dhe fakti i thjeshtë që përqindja mesatare e popullsisë në BE që përdor onlajn konsultime nga vera e vitit 2020 deri në muajt e parë të vitit 2021 u rrit nga 28.7% në 38.6% (ndërsa në disa vende i ka tejkaluar 70%) flet për efektin e madh të pandemisë në përdorimin të mjeteve digjitale në shëndetësi.

Një pjesë e madhe e masave si përgjigje ndaj krizës nga pandemia përfshinin futjen e zgjidhjeve të ndryshme digjitale në sistemet kombëtare shëndetësore, si dhe në nivel të BE-së. Për Komisionin Evropian, një nga prioritetet në fushën e shëndetësisë është krijimi i Zonës Evropiane të të Dhënave Shëndetësore (EHDS), e cila duhet t’u japë qytetarëve të BE-së qasje, kontroll dhe përdorim më të madh të të dhënave të tyre shëndetësore, por edhe përfitime për studiuesit, novatorët, politik-bërësit dhe rregullatorët.

Komisioni Evropian, si aspekt të tretin kyç të situatës shëndetësore në BE, e vlerëson rishikimin e strategjive dhe planifikimin e fuqisë punëtore shëndetësore. Pandemia në të gjitha vendet e BE-së ka ushtruar presion mbi burimet njerëzore në shëndetësi, por situata ndryshon shumë nga vendi në vend. Pavarësisht se, gjatë dekadës së fundit, numri i mjekëve dhe personelit mjekësor është rritur për 16% përkatësisht 14%, 15 vende anëtare të BE-së raportojnë mungesë të personelit mjekësor.

Dallimet mes shteteve anëtare, por edhe mes rajoneve gjeografike brenda vetë shteteve-anëtare janë të mëdha. Shumë masa të ndryshme afatshkurta materiale dhe jomateriale janë futur për të stimuluar dhe mbështetur personelin mjekësor (paga më të larta, bonuse, kujdesi për fëmijët, akomodimi, etj.).

Megjithatë, rekomandimi kryesor i KE-së është të sigurohet që planifikimi afatgjatë shëndetësor, financimi dhe investimet të jenë më elastike ndaj sfidave – si situatat urgjente që u shkaktuan nga pandemia Kovid-19 dhe ato që do të shkaktohen nga ndryshimet klimatike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button