Nuk është e vërtetë që qeveria ka shqyrtuar propozimin që vaksina kundër Kovid-19 të bëhet e detyrueshme

Nga Ministria e shëndetësisë demantuan se po shqyrtohet që vaksina kundër Kovid-19 të bëhet e detyrueshme. Pas përfundimit të seancës nga Qeveria informuan se është miratuar plani i propozuar për imunizimin e detyrueshëm për vitin 2022, por në të si e detyrueshme nuk është përfshirë edhe vaksina kundër Kovid-19.

Një postim në Facebook shpërndan një lajm sipas të cilit Qeveria në seancën e mbajtur më 11.01.2022 e ka vënë në rend dite pikën sipas të cilës vaksina kundër Kovid-19 do të bëhet e detyrueshme në Maqedoni. Kjo nuk është e vërtetë.

Në seancën e fundit të Qeverisë ta vësh në rend dite pikë për imunizimin e detyrueshëm (SARS CoV 2), do të thotë që dikush të ka dhënë ryshfet të majmë dhe duhet të bësh të pamundurën që ta çosh këtë punë deri në fund. As që dua të mendoj se mund të përfshihen fëmijët, thuhet në postimin që po analizojmë.

Nuk është e vërtetë që qeveria ka shqyrtuar propozimin që vaksina kundër Kovid-19 të bëhet e detyrueshme. Qeveria në seancën e djeshme (11.01.2022) e shqyrtoi propozim programin për imunizimin e detyrueshëm të popullatës për vitin 2022, të propozuar nga Ministria e shëndetësisë.

Në një deklaratë për А1 on, Ministria e shëndetësisë u shpreh se bëhet fjalë për programin për imunizimin e rregullt të popullatës.

Pas lajmit se Qeveria do të shqyrtojë programin për vaksinimin e detyrueshëm për vitin 2022, në pyetjen e Infomax nëse vaksina kundër Kovid-19 do të jetë e detyrueshme, nga Ministria e shëndetësisë thonë se është e drejta e çdo qytetari që të zgjedhë nëse do e pranojë këtë vaksinë.

Bëhet fjalë për programin për imunizimin e rregullt. Sa i përket vaksinës kundër Kovid-19 e drejtë e çdo qytetari është që të zgjedhë nëse do e pranojë atë dhe ajo nuk është në kalendarin e rregullt të imunizimit, thonë nga Ministria.

Pas seancës, Qeveria informoi se është miratuar plani i propozuar për imunizimin e detyrueshëm për vitin 2022. Në të nuk është paraparë përfshirja e vaksinës kundër Kovid-19 si vaksinë e detyrueshme.

Qeveria sot miratoi Programin për imunizimin e detyrueshëm të popullatës në Maqedoninë e Veriut për vitin 2022, i cili zbatohet në vazhdimësi gjatë gjithë vitit çdo vit dhe që mbulon vaksinimin e personave në një moshë të caktuar kundër: hepatitit B viral akut (Hepatiti B), Tuberkulozit (Tuberculosis), sëmundjeve të shkaktuara nga Haemophilus influenzae tip B (Hib), difteria (Diphtheria), tetanozi (Tetanus), kola e thatë (Pertussis), paraliza e fëmijëve (Poliomyelitis acuta), fruthi (Morbilli), shytat (Parotitis epidemica), lia (rubeola), infeksioneve të shkaktuara nga human papilloma virusi, infeksionet e shkaktuara nga rotaviruset dhe infeksionet e shkaktuara nga Streptococcus pneumoniae për të gjithë personat e një moshe të caktuar në pajtim me Kalendarin e imunizimit.

Programi përfshin kalendarin e imunizimit për fëmijët nga 0 deri në 18 vjeç dhe kalendarin e imunizimit për fëmijët nga 5 deri në 18 vjeç që nuk i janë nënshtruar vaksinimit të rregullt, si dhe planin për sigurimin e nevojave vjetore për vaksinat për imunizimin e detyrueshëm dhe vaksinave sipas indikacioneve epidemiologjike, njoftojnë nga Qeveria.

 

Autoritetet shëndetësore në Maqedoni bënë një përpjekje për të zbatuar vaksinim të detyrueshëm për të punësuarit në sektorin e shëndetësisë, dhe planifikonin zbatimin e një certifikate vaksinimi të detyrueshme, test PCR negativ ose dëshmi të shërimit nga sëmundja për punonjësit e sektorit publik. Përpjekjet e tilla dështuan pas reagimeve të shumta nga sindikatat. Qeveria hoqi dorë nga këto masa për shkak se ka hasur në vështirësi në përcaktimin e dënimeve në rast se një person refuzon të vaksinohet dhe në zbatimin e kësaj mase, tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Autoritetet shëndetësore tani po tentojnë që me një masë tjetër të rrisin mbulimin me vaksinim. Çdo mjek amë 70 përqind e pacientëve të së cilit do të vaksinohen kundër Kovid-19, do të përfitojë bonus prej 30 denarë për pacient. Paratë mjekëve amë do t’u paguhen deri në fillim të verës.

Në Maqedoninë e Veriut është ende herët që vaksina kundër Kovid-19 të bëhet e detyrueshme, deklaroi ministri Filipçe një muaj më parë.

Në Maqedoni ka një Program për vaksinimin e detyrueshëm dhe ai çdo vit shqyrtohet dhe miratohet nga Qeveria. Në Programin për imunizimin e detyrueshëm për vitin 2021, për shembull, përfshihej një plan për sigurimin e sasive të nevojshme vjetore të vaksinave për imunizimin e detyrueshëm dhe vaksinave sipas indikacioneve epidemiologjike.

Nga Ministria e shëndetësisë demantuan se po shqyrtohet që vaksina kundër Kovid-19 të bëhet e detyrueshme. Qeveria nuk ka shqyrtuar një propozim të tillë. Duke e pasur parasysh të gjithë këtë, mund të konkludojmë se në postimin që po e recenzojmë është përcjellë një e pavërtetë.

Burimi: VERTETMATES

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button