Dhjetori, eufori e rreme apo mundësi reale për fillimin e negociatave RMV-BE?

Liderët e vendit gjithnjë e më shumë shprehen optimistë se dhjetori do të jetë fundi i pritjes në “paradhomë” për qasje në Bashkimin Evropian. Në katrahurën e skenës politike, liderë të pushtetit dhe opozitës në vazhdimësi i referohen fund-vitit si vendimtar për fillimin e negociatave, gjegjësisht mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Në këtë zallamahi, parti politike kritikuese të pushtetit, në emër të eurointegrimeve dhe mundësisë për fillim të këtij procesi në dhjetor u kyçën në qeveri. Megjithatë eufori të ngjashme kemi pasur edhe në të kaluarën, të cilat përfundonin me zhgënjim të thellë të Maqedonisë, pasi Bullgaria gjithmonë “përplaste veton para këmbëve të Maqedonisë”, transmeton Portalb.mk.

Dhjetori shihet si mundësi, pasi më datë 14 të këtij muaji mbahet edhe mbledhja e Këshillit për Punë të Përgjithshme ku ndër konkluzionet e tjera, pritet edhe vendimi për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut. Pavarësisht se ky nuk është shansi i fundit për vendin, lidershipi shtetëror i Maqedonisë së Veriut, beson se do të ketë dritë jeshile, pavarësisht se Bullgaria ka njoftuar se vetoja mbetet edhe më tej.

Ministri i Jashtëm Bujar Osmani së fundmi është shprehur optimist se konferenca e parë ndërqeveritare me BE-në mund të mbahet më 31 dhjetor, nëse Bullgaria heq veton deri atëherë, por frikësohet se mosmarrëveshja mund të përshkallëzohet në një konflikt të ngrirë dhe Maqedonia e Veriut të izolohet në perspektivat evropiane. Ai theksoi se kjo nuk është e mirë për asnjë vend e as për rajonin në përgjithësi,

Megjithatë, qeveria e vendit fqinj për disa media bullgar konfirmoi edhe njëherë se Bullgaria nuk do ta ndryshojë pozicionin për fillim të negociatave qasëse të Maqedonisë së Veriut me BE-në, përkatësisht nuk do ta heq veton.

Nga Qeveria bullgare përsëri thirren në deklaratën e parlamentit bullgar nga 10 tetori i vitit 2019 dhe thonë se ai pozicion mbetet edhe për mbledhjen e Këshillit për punë të përgjithshme të BE-së më 14 dhjetor në Bruksel.

Në deklaratën e parlamentit bullgar, me të cilin vendosen kushte për eurointegrimin e Maqedonisë, mohohet ekzistimi i gjuhës maqedonase dhe kërkohet fshirja e shprehjes “okupatori fashist bullgar”.

Nga qeveria bullgare thonë edhe se janë të gatshëm të japin dritë jeshile për fillimin e negociatave qasëse të BE-së me Shqipërinë.

Megjithatë këto deklarata vijnë nga një qeveri teknike, pasi në rrjedh janë negociatat për formimin e qeverisë politike pas zgjedhjeve të 14 nëntorit, të tretat këtë vit.

Sidoqoftë, Kiril Petkov, bashkë-kryesues i koalicionit “Ndryshimi vazhdon” dhe me gjasë kryeministri i ri i Bullgarisë, në intervistë për Spiegel, në lidhje me çështjen mes Shkupit dhe Sofjes, tha se duhet të formohen grupe pune dhe të lihen të negociojnë gjashtë muaj, që të mos i përcaktojnë çështjet vetëm nacionalistët. Me fjalë tjera ai po jep shpresë në lidhje me marrëdhëniet bullgaro-maqedonase, duke thënë se nuk duhet të rrënohet i gjithë procesi i fqinjësisë së mirë me Maqedoninë e Veriut dhe ata të pranohen në BE vetëm në bazë të një kriteri – historisë.

Ndërkohë edhe disa ekspertë vendas konsiderojnë se BE-ja ka dhënë disa sinjale pak më  serioze se është e gatshme të nisë bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, mirëpo pasi shumë pak punë është bërë nga Komisionet që të largohet vetoja bullgare para 15 dhjetorit, kjo tregon se duhet parë 2022 për fillimin e bisedimeve më BE-në dhe natyrisht pritjen e madhe që Sofja zyrtare të ketë hequr veton në Bruksel.

Me fjalë të tjera, fillimi i negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, ka mundësi të ndodhë, veçanërisht me qeverinë e re politike, e cila po je psi sinjale positive, por gjithsesi, kjo gjë varet nga shumë faktorë të tjerë, sidomos nga negociatat dypalëshe Shkup-Sofje.

Kurse me qeverinë aktuale, nuk ekzistojnë gjasa për fillimin e negociatave, pasi edhe pas shumë paralajmërimeve të vazhdueshme nga BE-ja dhe ShBA-ja, qeveria e mëparshme politike dhe kjo aktuale teknike, nuk kanë ndryshuar për asnjë moment qëndrimin e saj karshi Maqedonisë së Veriut, madje kërkuan edhe ndarjen e Maqedonisë dhe Shqipërisë në këtë proces. Por, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, në një deklaratë për VOA, tha se edhe Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut kanë miratuar reforma të vështira, thelbësore dhe të dyja meritojnë të përparojnë në rrugën e tyre qasëse drejt BE-së, që nënkupton se ShBA-ja nuk e pranon ndarjen e dy vendeve.

Kujtojmë se, Bullgaria është kundër pranimit të Maqedonisë së Veriut për shkak të mosmarrëveshjeve historike dhe gjuhësore. Por edhe nëse ka ndonjë marrëveshje, gjendja e keqe pasqyron paralizën e planit të BE -së që të ndërtojë “unazë miqsh” nga Ukraina në Tunizi, duke ofruar lidhje më të ngushta, por edhe tregti dhe ndihmë.
Bullgaria nga fundi i vitit 2020, bllokoi fillimin e negociatave midis Maqedonisë së Veriut dhe BE -së dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Të dy vendet nënshkruan Marrëveshje për Fqinjësi të Mirë në vitin 2017, por përfaqësuesit e të dy vendeve kanë fajësuar njëri -tjetrin për shkeljen e marrëveshjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button