Komuna e Çairit: Kemi përfunduar procedurat për garazhet në kate, mbetet që kompania investuese të aplikojë në Qeveri

Komuna e Çairit vazhdon të përballet me problemin e parkingut. Edhe pse, kryetari Visar Ganiu që në mandatin e kaluar, kishte premtuar se do të zgjidh këtë problem, nuk u ndërmor ndonjë projekt më serioz në këtë drejtim dhe qytetarët vazhdojnë të shërbehen me vend- parkingje të improvizuara. Si pasojë e mungesës së vend-parkingjeve, qytetarët detyrohen që veturat e tyre t’i parkojnë nëpër trotuare, ndërsa në pjesë të caktuara edhe në rrugë, gjë që shkakton kaos në komunikacion, pasi zë hapësirën e dedikuar për këmbësorë, si dhe ngushton korsitë e veturave, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu edhe në mandatin e dytë, të cilin e mori javë më parë, premtoi se do të zgjidh problemin e parkingut në këtë komunë, që paraqet një ndër problemet kryesore të saj.

Ai tha se do të krijojë 3000 vend-parkingje të reja. Këtë Ganiu, synon ta bëjë me ndërtimin e 12 garazheve në kate, projekt ky që u prezantua në prag të fushatës zgjedhore. Ganiu dhe ish kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, nënshkruan marrëveshje me biznesmenin nga Kosova, Begjet Pacolli, për ndërtimin e garazheve në kate. Investimin, sipas kësaj marrëveshje, duhet ta bëjë kompania e Pacollit, Mabetex Project Engineering.

Nga komuna thanë për Portalb.mk se, kanë kompletuar të gjitha procedurat dhe tani i mbetet kompanisë që të aplikojë në Qeveri, për të realizuar projektin.

“Të gjitha procedurat që kanë qenë të Komunës kanë përfunduar, tash vetëm ka mbetur që firma Mabetex ta bëjë aplikimin në Qeveri”, thanë nga Komuna e Çairit.

Garazhet në kate të premtuara nga Ganiu në programin 2021-2025

Ky investim kap shifrën e mbi 80 milion eurove, mes Komunës së Çairit dhe kompanisë Mabetex. Sipas programit të Ganiu, 2021-2025, garazhet në kate planifikohen të ndërtohen në lokacionet;

  • Garazhë me kate te Xhamia Isa Begu
  • Garazhë me kate te Teatri Shqiptar
  • Garazhe me kate në Çairçankë
  • Garazhë me kate te rruga e pllastikave
  • Garazhë me kate në lagjen Çair – parcella 7.36
  • Garazhë me kate në lagjen Çair – parcella 7.35
  • Garazhë me kate në lagjen Çair – parcella 7.38
  • Garazhë me kate në lagjen Çair – parcella 7.4
  • Garazhë me kate përballë Çarshisë 4.16
  • Garazhë me kate Princ
  • Garazhë me kate KP 2079 Çair
  • Garazhë me kate KP 1114/1 edhe KP 1109/5 në Qendër

Po ashtu, Ganiu ka premtuar edhe 369 vend-parkingje te parkingu nëntokësor te Sheshi Skënderbeu.

Kujtojmë se Portalb.mk ka shkruar një seri tekstesh për problemin me parkingjet të banorëve të Komunës së Çairit dhe mos ndërtimin e garazheve në kate, të cilat Ganiu i premtoi gjatë fushatës së zgjedhjeve të kaluara lokale të vitit 2017.

Në “Kontratën” e tij, Ganiu kishte parashikuar buxhet prej 1,156,293,957,00 denarë (18.8 milionë euro) për ndërtimin e 4 garazheve në kate në territorin e kësaj komune.

Komuna e Çairit vitin e kaluar i kishte dorëzuar Ministrisë së Transportit kërkesat për miratimin e planeve urbanistike për projektet e ndërtimit të dy garazheve në kate.

Por, që të dy planet urbanistike i ishin kthyer Komunës së Çairit nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, që të harmonizohen me aktet ligjore dhe nën ligjore nga fusha e planifikimit urbanistik. Nga Komuna e Çairit në mars thanë se, kërkesat fillimisht ishin kthyer nga ministria në fjalë, për shkak të disa problemeve teknike dhe jo se ato nuk kanë qenë në përputhje me ligjin dhe se do të ridërgohen gjatë muajit mars.

Ganiu kishte premtuar se do të ndërtohen garazhe në kate në “Saat Kullë”, për çka kishte parapara buxhet pre 176,668,200 denarë, (2,8 mln euro) garazh në kate te Teatri Shqiptar, ku kishte paraparë buxhet prej 112,455,000 denarë (1.8 mln euro). Garazhe në kate po ashtu, ishin premtuar edhe te Sheshi Skënderbeu dhe te “Çairçanja”, për të cilat ishte paraparë buxhet prej 786,169,857 denarë (12,7 mln euro) dhe 81,000,000 denarë (1,3 mln euro). Asnjëra nga këto garazhe, nuk u ndërtua në mandatin e parë të Ganiut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button