Në prag të fushatës zgjedhore, Ganiu, Shilegov dhe Pacolli nënshkruan marrëveshje për ndërtimin e garazheve në kate në Çair

Në prag të fushatës zgjedhore të zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, Komuna e Çairit nënshkroi marrëveshje për ndërtimin e garazheve në kate, të premtuara prej katër vitesh nga kryetari aktual i kësaj komune. Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu dhe ai i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, sot nënshkruan marrëveshje me biznesmenin nga Kosova, Begjet Pacolli, për ndërtimin e garazheve në kate, shkruan Portalb.mk.

Bëhet fjalë për investim të kompanisë së Pacollit, Mabetex Project Engineering, i cili kap shifrën e 50 milionë eurove. Sipas kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, në kuadër të këtij investimi planifikohet ndërtimi i 12 garazheve në kate dhe nëntokësore, të cilat do të krijojnë 3000 vend-parkingje të reja në më shumë lokacione të Komunës së Çairit.

“Sot do t’ia hapim rrugën investimit strategjik dhe shumë të rëndësishëm, ndërtimit të garazheve në kate dhe garazheve nëntokësore në më shumë lokacione në komunën tonë, ndërsa njëra ndër ato lokacione është pikërisht edhe sheshi Skëndërbeu. Por, ajo që është po aq e rëndësishme është se partner strategjik në ndërtimin e këtyre garazheve do ta kemi ndërmarrjen e njohur botërisht “Mabetex” të biznesmenit të njohur Begjet Pacolli. Ndërsa, pesha e investimit është mbi 50 milionë euro. Ne së bashku me Pacollin dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, do të nënshkruajmë memorandumin për marrëveshjen për bashkëpunim”, tha Ganiu.

Pacolli tha se ai do të realizojë këtë projekt në afat kohor prej 2,5 vite, nga përfundimi i procedurave brokratike.

“Një projekt i jashtëzakonshem që do i sjellë Komunës së Çairit më shumë hapësira parkingu, gjelbërimi, rekreacioni e sporti, dhe që përfundimisht do të përmisojë jetën e qytetareve dhe transformojë hapësirat publike për më shumë zhvillim ekonomik, më shumë turizëm, e më shumë punësim. Jam i nderuar që kemi zgjedhur Komunën e Çairit për të realizuar këtë investim. Do të lidhim shqiptarët e do ndërtojmë me shije e me stil, siç bëmë gjithandej botes dhe siç po bëjmë sot edhe në Shqipëri”, ka thënë Pacolli.

I pyetur se kur do të përfundojnë procedurat burokratike, Ganiu tha se kjo gjë nuk varet vetëm nga komuna dhe se janë duke punuar në atë drejtim.

Kujtojmë se Portalb.mk ka shkruar një seri tekstesh për problemin me parkingjet të banorëve të Komunës së Çairit dhe mos ndërtimin e garazheve në kate, të cilat Ganiu i premtoi gjatë fushatës së zgjedhjeve të kaluara lokale të vitit 2017.  

Në “Kontratën” e tij, Ganiu kishte parashikuar buxhet prej 1,156,293,957,00 denarë (18.8 milionë euro) për ndërtimin e 4 garazheve në kate në territorin e kësaj komune.

Komuna e Çairit vitin e kaluar i kishte dorëzuar Ministrisë së Transportit kërkesat për miratimin e planeve urbanistike për projektet e ndërtimit të dy garazheve në kate.

Por, që të dy planet urbanistike i ishin kthyer Komunës së Çairit nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, që të harmonizohen me aktet ligjore dhe nën ligjore nga fusha e planifikimit urbanistik. Nga Komuna e Çairit në mars thanë se, kërkesat fillimisht ishin kthyer nga ministria në fjalë, për shkak të disa problemeve teknike dhe jo se ato nuk kanë qenë në përputhje me ligjin dhe se do të ridërgohen gjatë muajit mars.

Por, në përgjigjen e fundit që kemi marrë nga ministria në muajit korrik, thanë se nuk kanë kërkesa aktive nga Komuna e Çairit.

Ganiu kishte premtuar se do të ndërtohen garazhe në kate në “Saat Kullë”, për çka kishte parapara buxhet pre 176,668,200 denarë, (2,8 mln euro) garazh në kate te Teatri Shqiptar, ku kishte paraparë buxhet prej 112,455,000 denarë (1.8 mln euro). Garazhe në kate po ashtu, ishin premtuar edhe te Sheshi Skënderbeu dhe te “Çairçanja”, për të cilat ishte paraparë buxhet prej 786,169,857 denarë (12,7 mln euro) dhe 81,000,000 denarë (1,3 mln euro).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button