Kuvendi i RMV-së të enjten do të mbajë seancën për votëbesimin e Qeverisë, edhe VMRO edhe Zaev pretendojnë se kanë shumicë (VIDEO)

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka pranuar kërkesën për votimin për besimin ndaj Qeverisë dhe e njëjta është arkivuar nga shërbimet përgjegjëse, shkruan Portalb.mk.

“Kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi, në pajtim me Nenin 215, paragrafi 2 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, do e caktojë seancën për kërkesën e parashtruar për votim të besimit ndaj Qeverisë dhe e njëjta do të mbahet ditën e tretë nga dita e parashtrimit të pyetjes për besimin ndaj Qeverisë , respektivisht e enjte (11.11.2021), në ora 11.00h. Sipas Nenit 215, paragrafi 3 i Rregullores së Kuvendit, afati për caktimin e seancës fillon të rrjedhë prej ditës së ardhshme, të parashtrimit të pyetjes për besimin ndaj Qeverisë”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Kërkesa u dorëzua sot nga ana e VMRO  – DPMNE-së, pasi Zaev nuk dorëzoi dorëheqjen e paralajmëruar në Kuvend në afatin që i vendosi si ultimatum partia opozitare.  Aleksandër Nikolovski nga kjo parti në konferencë për media tha se, Zoran Zaev para tetë ditëve e paralajmëroi dorëheqjen dhe nuk e ka dorëzuar dhe për këtë sot dorëzojë iniciativë për votim të mosbesimit të Qeverisë.

Ai pret që deri të enjten, kryetari i Kuvendit të thirr seancë në Kuvend ku do të votohet për besim.

“Në iniciativë për votëbesim ka 61 deputetë ndhe presim kryetari i Kuvendit të thirr seancë ku do të votohet mosbesim i Qeverisë. Në rrjesh janë edhe negociata intensive me disa deputetë tjerë, kështu që presim se iniciativën ta përkrahin më shumë se 61 deputetë”, deklaroi Nikollovski.

Për hapa se çka do të vijonte pas votimit eventual të mosbesimit të Qeverisë, Nikollovski tha se, për atë do të bisedohet pas të enjtes, deri kur duhet të mbahet seancë parlamentare.

“Pasi të bie kjo qeveri, sepse Zaev nuk ka mbajtur fjalën, rrjedhë afati prej 10 ditëve për ndarjen e mandatit. Ai që do të sjellë 61 deputetë te presidenti i shtetit, ai do të formojë qeveri. Por, kemi thënë hap pas hapi, fillimit të votohet mosbesimi i kësaj Qeverie”, tha ai.

Në lidhje me deklaratën e deputetit Rexhepi, i cili tha se do ta tërheq nënshkrimin e tij, Nikollovski tha se ai do ta mbështesë votimin për besim.

“Do të shohim deri të enjten. Unë jam i bundur se zotëri Rechepi do të votojë për rrëzimin e kësaj qeverie të LSDM-së dhe BDI-së”, tha ai.

Paraprakisht, deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi (Zejdi), i cili ditëve të fundit përflitej në media se nuk do të nënshkruaj për rrëzimin e Qeverisë, më në fund sot ka folur publikisht duke konfirmuar informatat se nuk do të pranojë që nënshkrimi i tij të jetë në listë me partinë e “E majta”. Në një deklaratë për Alsat, Rexhepi tha se çdoherë do të jetë kundër rrëzimit të BDI-së, por jo me çdo çmim. Rexhepi tha se, fillimisht “E majta”, nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes.

“Të gjithë deputetët kemi qenë të bindur se “E majta” nuk do të nënshkruan. Marrëveshja ishte që do nënshkruaj LDP-ja, Besa, VMRO-ja dhe ne. Në frymën e kësaj u dakordova që do ta jap nënshkrimin dhe do ta jap gjithmonë çdo nënshkrim që duhet të largohet e keqka e quajtur BDI për shqiptarët, por kjo nuk është me çdo kusht. Edhe qëndrimi i Alternativës gjithmonë ka qenë i tillë që ne nuk guxojmë të identifikojmë veten me një subjekt politik i cili është antishqiptar me të gjitha elementet. Kështu nuk e lejoj në jetën time ta njollosë identitetin tim familjar për asnjë çmim”, tha ai.

Lideri i Aleancës për Shqitparët, Zijadin Sela, komentoi këtë deklaratë dhe tha se, ajo nuk është shkak të konstatohet se shumica e re parlamentare bie.

“Njeriu kur ka ndonjë shqetësim tenton të gjejë arsyetime të pabaza dhe gënjeshtra. Askush nuk është fëmijë dhe çdokush e di se lista që është nënshkruar është nënshkruar që të bie qeveria. Ideja që qeveria të bije, të ketë shumicë të re, është që qytetarët të jenë më të lirë. Kur flasim për liri, nuk ka nevojë askush askënd të manipulojë. Nuk kam nevojë askënd të mashtrojë. Çdoherë kam qenë i hapur, posaçërisht jam i kujdesshëm me deputetët që janë pjesë e koalicionit dhe ideja është që qytetarët të vendosin lirshëm me vullnetin e tyre në zgjedhje nëse konstatojmë se një aparat shtetëror e kufizon lirinë dhe i shantazhon qytetarët”, tha Sela.

Ndërkohë, pas dorëzimit të interpelancës në Kuvend nga ana e VMRO – DPMNE-së, ka reaguar kryeministri Zoran Zaev.

Nëpërmjet një shkrimi në profilin e tij në Facebook, ai ka thënë se, për dëshirë të shkretë të pushtetit, janë të gatshëm që shtetin ta shpien në tatëpjetë dhe populli të vuan. Ai tha se nuk do të lejojnë që që Mickoski, Apasiev dhe Gruevski të robërojnë dhe shkatërrojnë përsëri shtetin

“Këto ditë jemi dëshmitar të rrezikimit të Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, të një shoqërie të përbashkët dhe të barabartë, të paqes së qytetarëve brenda dhe të raporteve të mira fqinjësore. Por, ky shtet ka popull të vet, edhe qytetarë, edhe demokratë dhe luftëtarë dhe politikanë dhe parti që nuk do të lejojnë që Mickoski, Apasiev dhe Gruevski të robërojnë dhe shkatërrojnë përsëri shtetin”, ka shkruar Zaev.

Ai më tej ka shtuar se, kauza e tyre është qytetare dhe shtetformuese dhe se prapa saj qëndrojnë shumica e deputetëve.

Nëse votohet mosbesim i Qeverisë, kryeministri duhet të jap dorëheqje në afat prej 24 orëve nga votimi i mosbesimit. Për votimin e mosbesimit të Qeverisë dhe për dorëheqjen, kryeparlamentari e informon menjëherë kryetarin e shtetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button