RMV, rezultatet e regjistrimit të popullsisë pritet të shpallen rreth fundvitit

Rezultati përfundimtar i regjistrimit të popullsisë pritet të jetë gati në fund të këtij viti. Këtë e ka thënë për Portalb.mk zëvendësdrejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Ilmi Selami. Ai tha se edhe pse ligjërisht kanë afat prej gjashtë muaj që të shpallin rezultatet, ato do të shpallen para këtij afati, përkatësisht rreth Vitit të Ri, apo më së voni në fund të janarit, nëse del diçka e paparashikuar.

“Po ne presim diku rreth Vitit të Ri, ose para ose pas Vitit të Ri. Ne me ligj kemi gjashtë muaj, por nuk do të presim gjashtë muaj që të mbarojnë, do të jetë shumë më herët. Të gjitha të dhënat që janë marrë në bazë të regjistrimit, të gjitha të dhënat, ashtu siç janë bërë pyetjet, janë dhënë përgjigjet, ashtu edhe rezultatet do të jepen në bazë të këtyre pyetjeve. Më së voni fundi i janarit, mund të na del diçka. Se ne psh prisnim që brenda dhjetë ditëve të na dërgojnë institucionet bazat e të dhënave, mirëpo u benën 22 ditë faktikisht që i kemi dërguar kërkesat, vetëm një institucion ka mbetur pa i dërguar. Kështu që plus-minus të shohim se si do të zhvillohet puna praktike”, deklaroi Selami.

Ai njoftoi se momentalisht, po mblidhen bazat e të dhënave nga institucionet e tjera, të cilat më pas do të gërshetohen me të dhënat e regjistrimit.

“Përpunimi i të dhënave vazhdon edhe më tutje, jemi në përmbledhje të data – bazave prej institucioneve që i kanë të përditësuara. Jemi duke i grumbulluar, na ka mbetur edhe një institucion pa i dërguar, presim që prej të hënës të bëhet edhe gërshetimi i tashmë të dhënave të regjistrimit dhe të shohim se si do të dalin rezultatet. Do të thotë, ende nuk janë hapur bazat e regjistrimit, sepse presim t’i marrim bazat e të dhënave prej institucioneve”, tha ai.

Në lidhje me numrin e personave të cilët kanë refuzuar që të regjistrohen, Selami tha se ajo përqindje është shumë e vogël dhe nuk do të ndikojë në përqindjen e rezultatit përfundimtar. Mirëpo, por ato persona do të ngritët aktpadi dhe do të kërkohet që t’u shqiptohen gjoba.

“Për çdo person duhet veç e veç të ngritët aktpadi edhe aktpadia kërkon një periudhë që deri sa të futen të gjitha të dhënat që i marrim prej Ministrisë së Punëve të Brendshme e kështu me radhë, janë goxha të dhëna që duhet të grumbullohen. Ne do të kërkojmë që të ketë dënime, dënimet i shqipton gjykata, kështu që shpresojmë të ketë dënime për këto sepse, ashtu është e paraparë edhe në ligj. Ligji parasheh dënime të cilat do të sillen prej 200 deri në 300 euro për person. Do të thotë një familje nëse përbëhet prej pesë anëtarëve që të pesë duhet të paguajnë dënime se pse nuk kanë pranuar të regjistrohen. Prandaj, kërkon kohë grumbullimi i të dhënave për krejt personat. Se mund të ketë për shembull, ne e kemi informatën se në një shtëpi që nuk kanë hapur derën janë pesë persona, mirëpo në ndërkohë MPB ka të dhëna prej kufijve hyrje – daljet dhe mund të thotë për shembull për një person, ai nuk është në shtëpi ka emigruar. Krejt këto të dhënat duhet të pastrohen”, tha zëvendësdrejtori i statistikave.

Procesi i regjistrimit të popullsisë është përshëndetur edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian. Në të thuhet se është bërë përparim në procesin e punës përgatitore dhe zbatimit të regjistrimit të popullsisë, i cili në shtator të këtij viti.

“Operacioni i regjistrimi, i pari që nga viti 2002, përfundoi më 30 shtator 2021. Përmirësimet vërehen  në të gjitha fushat statistikore dhe përafrimi i mëtejshëm i statistikave sektoriale me standardet e BE-së. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar shtrirjen dhe cilësinë e të dhënave të makroekonomisë dhe statistikave sociale. Meqenëse rekomandimet e vitit të kaluar u zbatuan pjesërisht, në vitin e ardhshëm, vendi duhet në veçanti: të përpunojë dhe publikojë rezultatet e regjistrimit të popullsisë; të vazhdojë të harmonizojë llogaritë financiare dhe llogaritë kombëtare tremujore me Sistemin Evropian të Llogarive 2010 (ESA 2010); të sigurojë personel adekuat dhe burime të mjaftueshme financiare për Entin Shtetëror të Statistikave”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave të publikuara nga enti, me regjistrimin e popullsisë që zgjati nga 5 deri më 30 shtator, u regjistruan 1.832.696 persona568.175 familje dhe 837.255 banesa. Ata që për çfarëdo arsye mbetën të paregjistruar, do të gjenden në ndonjë nga bazat e të dhënave gjatë përpunimit të të dhënave dhe do të jenë pjesë e regjistrimit.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button