TARGAT, TWITTERI DHE ZAGA (I)

Targat e reciprocitetit, tema më e nxehtë në Ballkan javës së fundit, në veçanti në raportet shqiptaro-serbe. Debate e dialogji e pafundme. Dhe në këtë kuadër, në një intervistë të dhënë para disa ditëve (22 shtator) për Radio Evropa e Lirë, ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, duke aluduar në politikën serbe aktuale, mes tjerash u shpreh se dikush nuk mund të çlirohet nga idetë megalomane, “nga synimet për shtet të madh”, se ende ka të atillë që mendojnë se mund t’i arrijnë qëllimet përmes ushtrisë. Sipas tij Serbia ende nuk ka shpëtuar nga mendësia e viteve 1990, ende nuk po e sheh të vërtetën në sy. “Gjermanët kanë ulur kokën. Serbia, për fat të keq, jo.” “Në vend që të luftojnë në vendin e tyre për më shumë të drejta civile, për standard më të lartë të jetesës, për më shumë punësim, për bashkëpunim më të madh midis vendeve të rajonit, ata përsëri ëndërrojnë për ndërhyrje të mëdha në kufij. Por, ndërhyrje në kufij nuk mund të ketë.” “Do të ishte mirë sikur të kishte më shumë informacione në Serbi, që shoqëria të kuptojë se politika e Sllobodan Millosheviqit ka qenë e gabuar dhe tani duhet pranuar realiteti”-sugjeron Mesiq.

Faktet sociologjike e konfirmojnë konstatimin e këtij politikani të shquar kroat me filozofi politike racionale, me kulturë politike kozmopolite, përtej nacionalizmave dhe miopive ballkanike. Ditëve të fundit, pas vendimit për targat, kur sërish djallëzitë fashizoide po dinamizohen në veri të Kosovës, te fqinji verior i këtij vendi të pavarur, në rrjetet sociale qartë vërehet fryma e ideologjisë ultra-nacionaliste që kultivon në mënyrë sistematike politika serbe. Siç shprehet një përdorues i rrjeteve sociale “shovinistët i kanë vënë në veprim tastierat” (@elGrecooos). Ky kontekst, disa analistë i ka shtyrë të japin prognoza defetiste si: “Yugoslavia 2.0 coming soon” (Së shpejti po kthehet Jugosllavia 2).

Në këtë shkrim si metodë kryesore kemi shfrytëzuar analizën e përmbajtjes së tweet-eve lidhur me krizën në Jarinje dhe Bërnjak. Pas postimit të kryeministrit Kurti të 21 shtatorit ku ai shpjegon vendimin e qeverisë (“S’është provokim as diksriminim…”), para na dalin komente të përdoruesve serbë si këto: “Helikopterët serbë mbi Jarinje”, “Dhe, përfundimi” (fotografi të traktorëve me çadra, përplot shqiptarë gjatë luftës ’98-‘99), pra kërcënim i hapur dhe kënaqje me të kaluarën gjenocidale. “UE duhet të rishqyrtojë këtë projekt të ndytë të quajtur Kosovë”, “Enter a valid state!” (Vendos një shtet të rregullt!) Komentet shoqërohen me një karikaturë nga aeroporti i Kabulit dhe njerëzit që vrapojnë pas avionit amerikan me qëllim të ikjes jashtë, me një tjetër ku kumtohet kërcënimi se Kosovën e pret skenari i Vietnamit dhe Afganistanit. Shenjim orientalizuas, pra në këtë vizatim kosovarët paraqiten si paralele e afganëve. Ka edhe mesazhe rusofilie dhe pansllavizmi: “Ja ku jemi. Rusët po arrijnë” (@ivanastradner)

“Kjo është ajo që ndodh kur shumica është myslimane!” Ky është një mesazh ku autori përhap islamofobi, gjë që lançohet edhe rang ndërkombëtar. Ambasada e Serbisë në Portugali (@SRBinPortugal) mes tjerash ka vizualizuar hartën e Kosovës me qiellin plot yje, duke ia shtuar cicërrimën:  “It is not the Universe, but Serbian Christian churches and monasteries in Kosovo and Metohija” (Nuk është universi, por kishat dhe manastirët serbë në Kosovë). (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button