Të hulumtohet sa para dha Rama për foton me Obama

Ligjvënësi republikan nga Kalifornia, Dana Rohrabacher, u ka kërkuar autoriteteve amerikane të hetojnë burimin e parave që janë përdorur për të siguruar një fotografi, që kryetari i Partisë Socialiste në Shqipëri, Edi Rama ka bërë me Presidentin Obama, gjatë një aktiviteti për grumbullim fondesh vitin e kaluar, shkruan VOA.

Në se fondet kanë ardhur nga një vend i huaj, thotë ligjvenësi amerikan, kjo mund të përbëjë shkelje të ligjeve amerikane.

Në një letër dërguar Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, Eric Holder dhe Komisionit Federal të Zgjedhjeve, Zoti Rohrabacher, Kryetar i Nën Komisionit për Evropën dhe Euroazinë në Komisionin e Çështjeve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, tërheq vemendjen për blerjen e dy biletave nga 40 mijë dollarë secila për pjesmarrje në aktivitetin e Presidentit Obama për grumbullim fondesh në San Francisco më 12 tetor 2012.

Biletat, shkruan kongresmeni, u blenë nga Bilal Shehu, shofer limuzine dhe gruaja e tij, e cila nuk mori pjesë në aktivitet. Por në vend të saj, bileta u përdor nga udhëheqësi i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama.

Shtetas të huaj si zoti Rama, shkruan më tej ligjvenësi në letrën drejtuar autoriteteve amerikane, e kanë të ndaluar të kontribuojnë në fushatat zgjedhore amerikane.

Ndërkohë, e kontaktuar nga Zëri i Amerikës, Partia Socialiste tha se nuk ka ndonjë reagim lidhur me këtë çështje.

Lajme të ngjashme

Back to top button