Shpallet konkurs për angazhimin e vullnetarëve në institucionet shtetërore

Zyra e kryeministrit dhe e sekretariatit të përgjithshëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë shpallën konkurs për angazhimin e vullnetarëve në periudhën prej 1 korrikut deri në shtator. Përparësi do të kenë studentët e fakulteteve të shkencave juridike, politike, ekonomike dhe filologjike, kumtoi sot zëdhënësi qeveritar Aleksandar Gjorgjiev.

Konkursi do të zgjasë deri më 21 qershor, deklaroi Gjorgjiev dhe potencoi se deri në fund të këtij muaji do të zgjasë përzgjedhja e atyre që do të tregojnë interes për t’u angazhuar vullnetarisht në qeveri dhe në sekretariatin e përgjithshëm.

Ai e përmendi procedurën për kandidim dhe tha se testimi është shumë i thjeshtë dhe se çdo student i interesuar mund të dorëzojë letër motivuese te arkiva e Qeverisë, ku do t’i theksojë motivet personale për angazhimin vullnetar, një biografi të shkurtër me referencat e tij, arsimin e deritanishëm dhe përvojat plotësuese (në qoftë se ka) si dhe kopje të indeksit ku do të shihet viti i studimeve.

Gjorgjiev theksoi se në procesin e përzgjedhjes fillimisht do të shqyrtohen aplikimet të cilat janë dorëzuar e pastaj do të vijojnë intervistat me kandidatët potencialë. Pas zgjedhjes finale, duke filluar prej 1 korrikut të vitit 2013 deri më 15 shtato, personat që do të kualifikohen, do të munden, në suaza të punës në zyrën e kryeministrit dhe të sekretariatit të përgjithshëm, çdo ditë të vijnë në punë dhe të shohin se si kryhen detyrat e punës, si funksionon sistemi dhe si krijohen politikat dhe si realizohen ato në këto dy institucione.

Personat do të marrin kompenzim në bazë të angazhimit vullnetar që do t’i mbulojë harxhimet për transport dhe ushqim, në vlerë prej 4.000 deri në 4.500 denarë.

Qeveria dhe sekretariati i përgjithshëm tashmë shtatë vjet e zbatojnë këtë program për angazhim vullnetar të personave me ç’rast ata librezë të vullnetarit që mund t’u shërbejë në karrierën e tyre të mëtutjeshme. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button